Me çfarë parash i shëtiti Erion Veliaj gazetarët në Milano
Një grup prej 20 gazetarësh u ftuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për një udhëtim në fundjavë, në Milano.
Gjithçka e paguar! Që nga udhëtimi që nisi të premten nga Rinasi, spostimi nga aeroporti Malpensa në qendër të kryeqendrës financiare të Italisë, hoteli, drekat e darkat dhe kthimi në Tiranë.
Një ftesë, që vështirë se do t’i thoshte kush “jo”; nuk ndodh shpesh që të të ftojnë të kalosh një fundjavë luksi me gjithçka të paguar, në një nga qytetet më të shtrenjtë të Europës.
Qëllimi këtij udhëtimi, siç mëson lapsi.al, ka qenë takimi me arkitektin italian Stefano Boeri, i cili do t’u tregonte se si e kishte aplikua në Milano projektin për tarracat e gjelbërta. Ai u shpall fitues nga Ministria e Zhvillimit Urban, pak javë më parë, për hartimin e planti urbanistik të Tiranës.
Gazetarët nuk ishin ftuar për ta pasqyruar takimin në mediat ku punojnë. Asnjë prej tyre nuk shkroi për të. Një pjesë e tyre nuk shkoi fare në takim, por e shfrytëzuan udhëtimin në Milano për turizëm e shopping. Ndonjëra i shoqëroi daljet për blerje me foto në rrjetet sociale. Ndonjë tjetre i bënë përshtypje dritaret milaneze.
Edhe vetë Bashkia heshti për këtë udhëtim. Përse?
As vetë Veliaj s’ka shkruar asnjë gërmë në rrjetet sociale, ku zakonisht s’lë aktivitet pa publikuar dhe pa e shoqëruar me foto.
Mungesa e transparencës ngre disa pikëpyetje. Sa u shpenzua për këtë udhëtim dhe takimet e Veliajt? Sa kushtoi qëndrimi i këtij grupi prej më shumë se 20 personash në Milano? Kush i pagoi shpenzimet? Përse Bashkia e Tiranës nuk e bëri publike axhendën e udhëtimit të kryetarit? A duhet ta bëjë ajo transaprencën e kësaj vizite për qytetarët e Tiranës, me taksat e të cilëve paguhen zakonisht udhëtimet e kryetarit? A paguan ata edhe për këtë rast apo fatura i shkoi ndonjë biznesmeni?
Lapsi.al mësoi se për qëndrimin nga e premtja në mbrëmje deri të dielën në mëngjes, në Milano, janë paguar të paktën 300 euro për secilin gazetar. Nga një llogaritje e thjeshtë vetëm për gazetarët janë paguar 6 mijë euro, duke mos llogaritur këtu shpenzimet e Veliajt dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, e cila i qëndori përkrah atij këtë fundjavë.
Por zyrtarisht, se sa u shpenzua, nuk thuhet. Erion Veliaj edhe këtë herë zgjodhi të mos deklarojë se si i shpenzon paratë e taksapaguesve të Tiranës. /Lapsi.al