Me kë po fliste Josep Borell?!

Nga Dritan Shano –
Dje në mbledhjen e 11 të Këshillit të Asociimit me Shqipërinë, Ministri i Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian Josep Borell, i vuri kufijtë e rolit dhe aktivitetit politik, diplomatik dhe qeverisës Shqipërisë, duke përkufizuar:
“Shqipëria është partner kyç i Bashkimit Europian, një partner i besueshëm në fushën e sigurisë, dhe në shumë aspekte një model për të gjithë rajonin”
Pra, Kryeministri Rama nuk pse të shkojë në Turqi, dhe prej andej, me altoparlantin e vet të vogël në gojë, të shajë me libër shpie Bashkimin Europian sa herë ka ndonjë lloj frustrimi; nuk ka pse ushqen interesa jo-europiane që cënojnë sigurinë rajonale në politikë, diplomaci, dhe ekonomi; dhe nuk duhet kurrsesi t’u japë shembull vendeve të tjera të rajonit duke e mbjellë vendin me marihuana, duke shkatërruar financat publike për interesat e pak PPP-istave të përzgjedhur, si dhe duke mbushur të gjitha nivelet e përfaqësimit, në legjislativ dhe ekzekutiv me individë të lidhur me krimin, apo ushtrues të tij në vetë të parë !!!
Në fund të fjalës së tij Josep Borell, dukshëm në vetëdije se shqiptarët duan të shkojnë në Europë [e kanë demonstruar këtë vokacion të tyre duke bërë sakrifica personale dhe familjare të paimagjinueshme për ta arritur] por të gjithë udhëheqësit e tyre politikë jo, u bëri thirrje këtyre të fundit që edhe ata, njësoj si qytetarët shqiptarë, ta shohin integrimin europian si objektiv të përbashkët, dhe të synojnë t’i bashkojnë shqiptarët, e jo t’i përçajnë dhe egërsojnë kundër njëri – tjetrit ata. Kupton ti apo jo?!
Falemnderit për vëmendjen – ishin fjalët përmbyllëse të zotit Josep Borell.

SHKARKO APP