Me lokalet fitojnë të gjithë….
Nga Lufti Dervishi
Në këto zgjedhje u realizuan disa fitore, fitore e pastër, fitore me hile, fitore e hidhur dhe fitore të Pirros.
1) Aleanca për Shqipërinë Europiane, e shpall fitoren sepse ka fituar në mënyrë absolute kryeqytetin dhe numrin më të madh të njësive vendore. Partia Socialiste del parti e parë nga këto zgjedhje.
2) Edhe LSI që u ndëshkua aty ku investoi më shumë, (Vorë, Lezhë, Kukës, Pogradec), shpall fitoren sepse për herë të parë do të drejtojë 9 njësi vendore. Ani pse, njësia vendore më e afërt me Tiranën mbetet Përrenjasi.
3) Opozita, në qendër dhe rrethe do të flasë për fitore (rezultate befasuese dhe të papritura) sepse ka fituar në disa bastione të së majtës (Përmet, Pogradec), ka rritje relative krahasuar me zgjedhjet e fundit dhe mund të përdorë si argument, për mungesë rezultati, pjesën kritike të raporteve ndërkombëtare për zgjedhjet. Në vend të fjalës humbje do të përdorë, ringritje. Partia Demokratike me aletët e paktë që i mbetën fitoi po aq njësi vendore në jug sa edhe në veri duke shmangur kështu stigmën që veriu dominohet nga demokratët dhe jugu nga të majtët. Nëse do të ishte pjesëmarrëse aktive në reformën administrative sigurisht që rezultati me njësitë do të ishte krejt tjetër. Nga 39 njësi administrative që dorëzuan ekspertët, vullneti politik i shumicës dhe orekset e LSI dhe PDIU e çuan në 61 numrin e njësive vendore duke u dhënë minimumi një avantazh prej 20 njësisë mazhorancës.
4) Ditët në vijim do t’u rezervojnë kohë edhe kryetarëve të partive të tjera për të shpallur fitoren menjëherë pas numërimit të votës për këshilla lokalë. Edhe pse kjo votë nuk mund të lexohet si votë politike, për shkak se nuk janë të pakta rastet kur kandidatët lokalë kanë zgjedhur parti për të garuar dhe pesha politike më e saktë është ajo e votës së hedhur për kandidatët.
5) Fitues absolut të këtyre zgjedhjeve janë edhe të 5 –të kandidatët me “rekorde kriminale” që mbetën në garë. Megjithëse nuk pati fishekzjarrë në momentin e deklarimit të fitores, tymi në këto zona sigurisht që do të duket më vonë.
6) Fitues në zgjedhje – janë kandidatët e pavarur që garuan në kushte krejtësisht të pabarabarta, sa I përket financimit dhe aksesit në media. Këto zgjedhje shënuan numrin më të madh të kandidatëve të pavarur dhe votat më të shumta të hedhura për to.
7) Kandidatet vajza/gra janë tjetër fitore e këtyre zgjedhjeve. Humbjet e tyre në Durrës, Burrel, Pogradec, kompensohen nga Shkodra, Saranda, Prrenjasi, Libohova, Roskoveci, Ura Vajgurore, Gramsh, Gjirokastra, Patosi. Kurrë me shumë se pas këtyre zgjedhjeve Shqipëria nuk ka patur drejtuese gra në qeverisjen vendore. Shto këtu edhe faktin se me ligj tashmë 50% e këshillave bashkiakë do të jenë gra.
8) Vota kundër arrogancës: Humbjet e LSI në Vorë, Lezhë, Kukës, Pogradec, në qytete ku u investua më shumë me administratë dhe imazh, por edhe votimi në Sarandë, Përmet është një votë e mençur që shkon përtej votës partiake dhe që ndëshkon arrogancën në imponimin e kandidaturave, dhe injorimin e strukturave politike në bazë!
9) Fituam një ditë të qetë në zgjedhje! 21 qershori do të shënohet si dita më e qetë e zgjedhjeve, për shkak të mungesës së incidenteve të rënda. Por kjo është fitore si ajo e Pirros, – problemet e procesit që nisin para fushatës dhe përfundojnë me certifikimin e plotë të rezultatit, nuk janë të pakta. Shitblerja e votës, përdorimi administratës, shpenzimet dukshëm mbi limitin e përcaktuar në kodin zgjedhor, problemet me KQZ-në (ku njëri vendim mbështet mbi ligj dhe tjetri mbi motive patriotike (alias dekriminalizimi), problemet me profesionalizmin e medias dhe mbetjen në letër të neneve të kodit zgjedhor që rregullojnë funksionimin e medias në fushatë, raportimi fushatës nga kandidatët dhe jo nga gazetarët dëshmojnë se kemi ende rrugë për t’i kthyer zgjedhjet në një festë të demokracisë kur certifikohet vullneti i votuesve.
10) Një pikëpyetje për fitoren e bojkotit…
Shifrat zyrtare të pjesëmarrjes në votime 45-48%, krijojnë përshtypjen e gabuar se ka fituar bojkoti, se shqiptarët nuk janë shumë të interesuar në politikë. Nuk janë vetëm të huajt që gabohen në këto shifra. Edhe media nuk po kontribuon sa duhet për të lexuar të vërtetën.
Shifra 45-48% i referohet listës së votuesve. Lista e cila bazohet në regjistrin e gjendjes civile flet për afro 3.3 milionë votues! Censusi i vitit 2011 regjistroi 2.8 milionë banorë. Në listën e votuesve gjendet çdo shqiptar i lindur në Shqipëri, edhe mbi 1.5 milionë që kanë emigruar gjatë këtyre viteve. Në lista mund të gjesh edhe shqiptarë që nuk janë nënshtetas të Shqipërisë se kanë marrë shtetësinë e një vendi që nuk pranon dy shtetësinë (psh: Gjermania). Shifrat e vërteta të pjesëmarrjes luhaten mes 60% dhe 80% që nuk është shifër e ulët dhe nuk ka sens të hapësh debat për pjesëmarrje të ulët në votime.
syri.net
KOHA JONË SONDAZH

