“Me qetësi dhe me dashuri”

 

Nga Skënder Minxhozi

Sondazhi i shumëdebatuar i IPR Markting dhe “Ora News” ka prodhuar reagimet e para, vetëm pak orë pasi shifrat e shpallura kanë afishuar një avantazh në rritje të koalicionit qeverisës. Sipas sondazhit të fundit, e majta ka thelluar shifrat e epërsisë në të gjitha qytetet ku janë pyetur zgjedhësit, përfshirë Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin. Erion Veliaj ka tashmë 16 pikë avantazh ndaj Halim Kosovës, Vangjush Dako e ka çuar në tetë pikë epërsinë mbi Grida Dumën dhe i njëjti fenomen ka ndodhur edhe me Qazim Sejdinin.

Megjithatë, një aspekt po aq interesant i sondazhit është popullariteti i liderëve politikë. Në të treja qytetet, popullariteti i Ramës është pak më i madh se ai i dy liderëve të opozitës të marrë së bashku. Dhe kjo nuk përbën ndonjë surprizë, nga momenti që lidershipi i Bashës dhe mënyra e tij e të bërit fushatë, duket se nuk po ngjisin tek shqiptarët. Kurse Berisha ndodhet në shifra të kuptueshme popullariteti, për shkak të largimit nga podiumet e fushatës dhe të tërheqjes në rrjetet sociale dhe në Parlament.

Opozita bëri mjaft zhurmë ndaj shifrave të sondazhit, duke e konsideruar atë një listë të trukuar shifrash, për llogari të qeverisë. Ndoshta PD duhet të preokupohet jo edhe aq për minimumin historik ku e nxjerrin sondazhet e ndryshme, por për faktin se ndodhet para një zhvillimi të brendshëm që potenciaisht mund të jetë mjaft i dhimbshëm pas 21 qershorit. Një humbje qoftë edhe në shifra të përafërta me ato që shohim sot, do të nënkuptonte praktikisht fundin e lidershipit të Lulzim Bashës. Opozita ka investuar thuajse të gjitha energjitë e saj në garën e Durrësit, i vetmi qytet i madh ku duket se e djathta ka shanse reale për të fituar. Por nëse Dako ja arrin të marrë një fitore në fotofinish edhe në qytetin bregdetar, alibia e Bashës për zgjedhjet do të jetë thuajse inegzistente.

Gjithsesi një ndër të dhënat më të qëndrueshme dhe më të dukshme të kësaj vale sondazhesh që po kryhen, është soliditeti i LSI dhe popullariteti i Ilir Metës. Meta kuotohet kudo mbi shifrat e 40% të popullaritetit. Çka të kujton shprehjen e tij “Me qetësi dhe dashuri”, në ditët e konfiktit me Tom Doshin. Duket se kreu i LSI po bën një fushatë të ethshme, edhe si reagim i asaj që i ndodhi pak javë më parë, me dy deputetët socialistë. E kjo mund të prodhojë paradoksalisht edhe më shumë vota në thesin tashmë të rënduar elektoral të LSI.

Javanews.al

SHKARKO APP