Media e lirë me pronarë të (vet)robëruar?! – Nga Lutfi Dervishi
Nga Lutfi Dervishi
Një gazetar që takova sot në Shkodër ishte shumë i kënaqur se kishte marrë rrogën e muajit dhjetor. Për vitin 2015 ai quhet i paguar. Për vitin 2016 ka shpresë. Tek e fundit jemi në muajin e pestë.
A ka kuptim të flitet për lirinë e gazetarit kur botuesit/pronarët e medias nuk janë të lirë?! Në shumicën dërrmuese media nuk funksionon si biznes për të mbajtur veten, por si armë/mburojë për të kapur punë publike apo mbrojtur interesa private duke tundur flamurin e “interesit publik”. Në një vend të vogël si Shqipëria me 2.7 milionë banorë, gëlojnë mbi 20 gazeta të përditshme, mbi 60 stacione televizive, mbi 60 radio, afro 200 televizione kabllore dhe qindra faqe online. Nuk ka treg për të mbajtur në këmbë gjithë këtë armatë, por “armata” zvarritet duke shkurtuar vendet e punës, duke vonuar pagat, duke mos paguar dhe kur paguan me rroga mizerabël.
Biznesmenë që bëhen lakej të pushtetit, për të përfituar fonde publike, apo për t’u bërë pjesë e PPP (partneritet publik privat) kurrë nuk e çojnë në mendje se media është për të treguar “historinë” dhe jo për të bërë lustraxhiun e qeverisë.
Por,gjithsesi, botuesit janë e keqja më e vogël. Ka ardhur kohë e re, kohë kur partitë, qeveria, të shquarit e botës së artit nuk e duan më median për të komunikuar me publikun sepse e bëjnë vetë punën e medias.
Me siguri keni vënë re kronika televizive që kanë të njëjtët pamje dhe të njëjtin tekst. Janë si delet që i qeth një bari. Është vetëm një mikrofon anonim që shfaqet në televizione të ndryshme. Ky është mikroni qeverisë apo partisë. Nuk ka më gazetarë të shohin dhe të raportojnë, nuk ka më gazetarë të bëjnë pyetje. Kronikat dërgohen si pica taksi në redaksi.
Rezultati është që nga mëngjesi në deri në darkë- në ekran nuk sheh njerëz, por zyrtarë, nuk sheh probleme, por parada, nuk sheh punë të kryer, por përurime, nuk sheh gazetarë, por postime në Facebook dhe Twitter.
Kanë kaluar vite nga koha kur zgjedhjet i raportonin gazetarët. Zgjedhjet politike, i raportojnë partitë politike dhe media është videoteka ku luhet kaseta. Dhe ironia bëhet më e plotë kur vetë gazetarët pyesin: “Çfarë mendoni për raportin e fundit të Freedom House” që e rendit Shqipërinë në kategorinë e vendeve me liri të pjesshme?”
Media e re online dhe rrjetet sociale janë bekim për lirinë e shtypit. Për fat të keq sheh në Facebook qytetarë kurajoz dhe gazetarë të drojtur, ose gazetarë që raportojnë në Facebook dhe bëjnë propagandë aty ku marrin rrogën.
Media e re dhe rrjetet sociale mbeten shpresa se e vërteta do të jetë në sipërfaqe dhe ai që është në pushtet do të jetë gjithmonë i vëzhguar.
I lirë do të thotë që vendimet në lidhje me gazetarinë t’i marrësh në bazë të ndërgjegjes tënde profesionale, qoftë edhe duke gabuar, dhe jo duke menduar: “si e do ky… çfarë do të thotë ai…dhe ç’do na bëjnë ne?”
Nuk mund të ketë media të lirë, kur pronari medias është rob!