Media italiane: Xhihadistët e rinj tani vijnë nga Kosova

 

Katër qytetarët e Kosovës që janë ndaluar për apologji terrorizimit nuk befasojnë. Siç kishte treguar Espresso më 2014, shumë xhihadistë aspirantë takohen në rrjetet sociale dhe i publikojnë aty aksionet e Kalifatit. Kështu, gjashtë vite pas pavarësisë, ish provinca serbe po tregohet një kuzhinë e ekstremistëve, shkruan Gazeta italiane L’Espresso

Kosova si kuzhinë e xhihadistëve. Roli i facebook-ut. Dhe i Lavdrim Muhaxherit, muxhahedinit që nuk hezitonte t’i postonte në rrjetin social ekzekutimet e tij mizore. Janë të gjitha elementet e treguara një vit më parë nga Espresso në operacionin që ka çuar deri te ndalimi, në Brescia, të katër qytetarëve kosovarë për apologji terrorizmit dhe nxitje të urrejtjes raciale.

Hetimet kanë nisur më 2014 pikërisht pas zbulimit në Facebook të një grupi të titulluar në mënyrë domethënëse “Me ty ose pa ty, Kalifati është rikthyer”, i pjesëmarrë nga foreign fighters ballkanikë që luftojnë në Siri mes radhëve të Shtetit Islamik.

Sipas vlerësimeve, janë të paktën 300-400 luftëtarë të etnisë shqiptare, kryesisht kosovarë. Prania e nja dyzet prej tyre në brigadat e ISIS-it është qartësuar një vit më parë nga autoritetet e Prishtinës.

Këtij numri i shtohen, sipas përfundimeve të burimeve hulumtuese, nja njëzet celula terroristike aktive në rekrutimin dhe stërvitjen mes Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës.

Por, mbi të gjitha është konfirmimi i rolit të Lavdrim Muhaxherit, i treguar si komandant i “brigadës ballkanike”, që paraqet pikën më domethënëse: autor i një thirrje për xhihad drejtuar bashkëkombëtarëve, në një video të ISIS-it që qarkullon në rrjet të mbajë një fjalim para turmës në një arabishte të rrjedhshme, duke tundur një thikë të madhe dhe duke e djegur pasaportën, “dokument i jobesimtarëve”: «Unë jam vetëm mysliman». E në profilin e tij në Facebook kishte postuar edhe një foto që e paraqiste teksa ia hiqte kokën një të riu sirian të akuzuar për spiun, ndërsa në një tjetër shihej të xhironte me celular ekzekutimin e kryer nga një bashkëkombës.

Të fundmin e kanë ndaluar javën e kaluar në aeroportin e Tiranës. Mentor Zejnullahu, 24 vjeç, banor i Vitisë, ishte duke u nisur për në Stamboll, për të mbërritur më pas në Siri dhe për t’iu bashkuar xhihadistëve. Ajo çka e ka gozhduar rekrutuesin janë sms-at e këmbyer me rebelët e al-Nusra, grupi i bashkuar me al-Qaeda. Nga Vitia vinte edhe gjashtëmbëdhjetëvjeçari i ndaluar më 5 gusht në Prishtinë, edhe ai me të njëjtin destinacion. E para më pak se tri javë më parë një operacion i policisë së Kosovës ka çuar në burg 40 xhihadistë të dyshuar (17 të tjerë kanë rezultuar të pagjendshëm), të cilët iu shtohen tre të tjerëve që kanë përfunduar në pranga në qershor dhe 11 të arrestuarve nëntorin e kaluar: më të rinjtë janë lindur më 1994 dhe shumica janë më të rinj se 30 vjeç.

Hulumtimi i Espresso i shtatorit 2014

Masakrat dhe bombat e NATO-s tahsmë duken vetëm një kujtim i vagullt. Në Republikën më të re të Europës, që është shpallur e pavarur në mënyrë të njëanshme më 200 (dhe menjëherë e njohur nga ShBA dhe gati nga të gjitha vendet e BE-së), kufiri i ri është radikalizmi islamik. E armiku i ri nuk janë më paramilitarët serbë si në kohën e UÇK-së, por jobesimtarët. Kështu, në një regjion ku Islami, i mësuar të bashkëjetojë me religjionet e tjera, e ka shfaqur gjithmonë anën e vet më tolerante, njëzet vjet nga lufta që çoi në shpërbërjen e mozaikut etnik të ndërtuar nga Tito, fundamentalizmi tregon t’i ketë futur thellë rrënjët. Aq sa të mund të llogarisë, zbulojnë burimet hulumtuese në Espresso, në të paktën 20 celula terroristike aktive në rekrutim dhe stërvitje mes Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës, siç tregon arrestimi i 16 rekrutuesve, përfshirë Bilal Bosnic, ish predikues i qendrës islamike të Cremosa-s, i konsideruar njëri prej rekrutuesve në spikamë i ISIS-it. Të financuara nga Ojq islamike – nga Arabia Saudite në Angli, e deri te Turqia e paparashikueshme – këto celula në disa raste i shohin ish luftëtarët (në Kosovë ata të UÇK-së) si pika të pashmangshme të referimit lokal. Një pozicion i përparuar në pritje, kushedi, për ta kthyer kah Europa këtë luftë deri më tash të luftuar në dheun e Lindjes së Mesme.

Xhihadisti është në Facebook

Autoritetet e Prishtinës po përpiqen ta minimizojnë: sipas Qeverisë, vullnetarët e nisur janë vetëm 43. E vështirë të besohet statistikisht, duke pasur parasysh se viktimat që dihen tashmë janë 16. Jo rastësisht, burime të ndryshme thonë se, mes 11 mijë të huajve në Siri (nga të cilët dymijë europianë), janë 300-400 luftëtarë të etnisë shqiptare, kryesisht kosovarë. Pak a shumë, sa ata që vijnë nga Britania e Bashkuar. Me dallimin domethënës se ish provinca serbe është e madhe sa Abruzzo dhe nuk i ka a 2 milionë banorë.

Një spikamë e demonstruar edhe nga Shteti Islamik i ISIS-it: fjalimi me të cilin komandanti al Bagdadi është vetëshpallur kalif është përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, turqisht, rusisht dhe shqip. Nga ana tjetër, xhihadistët kosovarë janë duke e dhënë kontributin e tyre; në mars Blerim Heta, lindur dhe rritur në Gjermani, por i kthyer në atdhe pas luftës, e ka çuar veten në ajër në Bagdad, duke i vrarë 52 zyrtarë policorë.

Ndërsa në web po çmend figura e Lavdrim Muhaxherit, i treguar si komandant i “brigadës ballkanike”: pasi që iu ka bërë thirrje për xhihad bashkëkombëtarëve, në një video të ISIS-it që qarkullon në rrjet ka mbajtur një fjalim para turmës në një arabishte të rrjedhshme, duke tundur një thikë të madhe dhe duke e djegur pasaportën, “dokument i jobesimtarëve”: «Unë jam vetëm mysliman». Së fundmi, në profilin e tij në Facebook kishte postuar edhe një foto që e paraqiste teksa ia hiqte kokën një të riu sirian të akuzuar për spiun, ndërsa në një tjetër shihej të xhironte me celular ekzekutimin e kryer nga një bashkëkombës.

E pikërisht kjo është risia: tashmë jo vetëm lufta e shenjtë zhvillohet në rrjet me video e apele, por muxhahedinët 2.0, kundërshtarë të anonimatit, i postojnë pa kurrfarë ngurrimi aksionet e tyre në rrjetet sociale. Njëfarë fati, sipas mënyrës së vet, duke qenë se kjo i lejon inteligjencës të shkojë deri te rrjeti i kontakteve të tyre. Për çdo rast, kur të kthehen në atdhe, askush nuk do të mund t’iu kontestojë asgjë. Kosova nuk ka ende një ligj që ndëshkon rekrutimin e terroristëve apo që shkojnë të luftojnë jashtë: projektligji, që parashihte dënime prej 5 deri në 15 vjet, nuk është ratifikuar në kohë para zgjedhjeve të qershorit.

Fuçia e barutit ballkanike

Paradoksit i shtohet paradoksi: si Muhaxheri ashtu edhe Heta kanë punuar në kampin Bondsteel, baza kryesore amerikane nën komandën e KFOR-it, misionit të NATO-s në Kosovë, që ka mijëra ushtarë. E pikërisht qyteti Ferizaj ku gjendet kampi, afër kufirit me Maqedoninë, është bërë një qendër nevralgjike e rekrutimit: përveç kamikazit, 11 deri në 40 terroristë të arrestuar në gusht vinin nga aty. Ndoshta jo rastësisht: gjithmonë aty (në hotel Lion, sipas një raporti të shërbimeve të Beogradit më 2003) me vite Ojq-ja ‘Islamic relief’ ka rekrutuar fëmijë të mbetur jetimë nga lufta për të kryer atentate vetëvrasëse. Ai i vullnetarëve «është problem i përbashkët i të gjitha vendeve demokratike të zhvilluara» ka minimizuar ditëve të kaluara gjenerali Salvatore Farina, komandant në ikje i KFOR-it, në konferencën e tij të fundit të shtypit. Natyrisht, përqendrimi i terroristëve në Kosovë frikëson. Dhe i alarmon edhe 077-shat, duke qenë se një informator i AKI-së, shërbimi sekret i Prishtinës, është njohur dhe vrarë në Siri në fillim të vitit. E tërë kjo ndërkohë që në republikën e vogël operojnë ende pesëmijë ushtarë të Aleancës atlantike, që do të duhej ta mbështesnin zhvillimin e një Kosove stabile, demokratike, multietnike dhe paqësore.

Shkurt, Ballkani vazhdon të prodhojë më shumë histori se sa mund të tretë, sipas aforizmit kaustik të Churchillit. Në Shqipëri, ku xhihadistët e identifikuar janë 60, janë arrestuar disa imamë të Tiranës për nxitje të  terrorizmit, plus gjashtë milicianë të tjerë të kthyer nga Siria për t’i shëruar plagët. Nga provincat me shumicë myslimane të Serbisë jugore, vlerësohet të jenë nisur dhjetëra luftëtarë. Gjendja më e rrezikshme megjithatë ka të bëjë me Bosnjën, ku shërbimet sekrete vlerësojnë se janë tremijë radikalë islamikë të gatshëm të futen në aksion. Ndërkohë edhe Sarajeva e ka pasur kamikazin e vet në Irak: Emrah Fojnica, 23 vjeç, veç i involvuar në sulmin në ambasadën amerikane më 2011.

Infliltrimi i heshtur

Tani kur ndoshta veç është bërë vonë, policia po i kalon nëpër sitë qindra Ojq islamike të shpërndara nëpër Ballkan qysh nga lufta në ish Jugosllavi.

Organizata, zakonisht saudite, që kanë qëndruar në anën tjetër të aktiviteteve humanitare me ndërtimin e mijëra xhamive të reja fringo, në të cilat predikohet islami më radikal me inspirim wahabist dhe prej ku thirret për martirizim. Aq sa ditëve të kaluara deri edhe i përkori Financial times ka ironizuar me kolonizimin shiritor të vënë në jetë në këtë mënyrë nga Riadi. Një penetrim i heshtur i treguar në mënyrë profetike pesë vjet më parë në “Medreseja. Martirët e vegjël rriten mes Ballkani dhe Europës”, nga Antonio Evangelista, ish shef i kontingjentit të policisë italiane në petkun e misionit të OKB-së, ku merrej me krimin e organizuar dhe terrorizmin. Mbi të gjitha, i bërë i mundshëm nga një miks fatal: institucione të dobëta, jostabilitet politik, korrupsion endemik, papunësi marramendëse. Përveç kotësisë substanciale të pranisë ushtarake dhe premtimeve të pa mbajtura të Perëndimit, që i ka lënë pjesën më të madhe të popullsisë së Kosovës (dhe Bonjës) në një gjendje varfërie ashtu siç e kishin pasur me herët. Duke i shtyrë shumë prej tyre në krahët e radikalizmit islamik.

Në luftë me Papën

Kështu, nëse familja është gjëja më e rëndësishme, shumë xhihadistë nisen për në front me gra e fëmijë pas vetes. Ose, nëse bashkëshortet nuk janë dakord, vetëm me fëmijët. Siç ka bërë boshnjaku Ismar Mesinovic, i cili nga Belluno ka shkuar të luftojë në Siri duke marrë me vete të birin tre vjeç, i zhdukur pas vdekjes së tij. Dhe siç ka bërë edhe kosovari Arben Zena, i nisur me vogëlushin Erion, tetë vjeç. «Po shkojmë për një javë në Rugovë», i ka thënë gruas, Pranverës, në fillim të korrikut. Pastaj asgjë më, përveç një sms-i javën në vijim: «Jam në Siri me të birin». Tash gruaja ka hapur një faqe Facebook për të rrëfyer historinë e saj dhe për të mbledhur të dhëna.

Edhe ngase rastet e tilla nuk janë pak: një foto tregon fëmijën në mes të një grumbulli vërsnikësh. Njëri prej cilëve, i pavetëdijshëm, shpalos flamurin e zi shqetësues të Shtetit islamik. /Express

SHKARKO APP