Media serbe: Shqipëria, lider në Ballkan pas ndërtimit të TAP
Shqipëria pritet që të jetë një nga vendet me pozicionin më të mirë në rajonin e Ballkanit. Kjo, falë projekteve energjetike. Kështu shkruante dje gazeta serbe “Vesti”, në një analizë gjeostrategjike. Sipas saj, projektet energjetike do ta nxjerrin Shqipërinë nga fundi i tunelit. “Shqipëria për këtë, mbështetet fuqishëm edhe nga aleatët perëndimorë, NATO-ja, BE-ja dhe SHBA-ja”, thekson “Vesti”. Sipas gazetës serbe, prapa projektit TAP që pritet të kalojë nga Shqipëria, fshihen interesat e SHBA-së. Në tri vite, Shqipëria do të përfitojë 400 milionë euro nga ky projekt. Ky projekt fillimisht nuk ishte favorit, por ai arriti që të triumfonte ndaj “Nabucco”, i cili do të favorizonte Beogradin. Gazi azer do të arrijë kështu në Europë, nëpërmjet Shqipërisë, përveç Greqisë dhe Turqisë.
Dhe nëpërmjet Shqipërisë, do të shpërndahet në vendet e tjera ballkanike, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë”, theksohet në këtë analizë. “Vesti” shkruan ndër të tjera për marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-në. “Në këtë projekt natyrisht që Tirana ka mbështetjen e Uashingtonit, e cila e sheh Shqipërinë si një aleat të besueshëm. Shqipëria shihet si një aleat besnik ndaj NATO-s dhe SHBA-së dhe nuk ka asnjë lidhje me Rusinë. Në një kohë që vendet e Ballkanit janë në një krizë të rëndë ekonomike, Shqipëria shpreson për një mrekulli ekonomike dhe shpreson që rritja të jetë të paktën 3%.
Për më tepër që Shqipëria pritet t’i nisë shumë shpejt bisedimet me BE-në për anëtarësimin dhe kjo do të bënte që të kishte përfitime të tjera në investime, si në ndërtimin e rrugëve, aeroporteve dhe fushave të tjera të infrastrukturës”. Analistët, megjithatë, sipas Vestit, thonë se Shqipëria vazhdon të mbështetet ende, edhe në ekonominë mafioze. Gazeta shkon më tej kur thotë se, Serbia shumë shpejt do të mund të varet nga Shqipëria për gazin, prandaj duhet të rregullojë marrëdhëniet me të. “Shqipëria përfaqëson interesat e SHBA-së në Ballkan. Dhe, shumë shpejt Serbia mund të varet nga Shqipëria për gazin. Për këtë arsye, ajo duhet të rregullojë marrëdhëniet me Tiranën dhe të zgjidhë disa çështje pezull. Pozicioni i Serbisë tashmë është bërë i pakëndshëm, sidomos pas dështimit të projektit rus, “South Stream