Mediat që urren Edi Rama

Placeholder Image

“Jo më kot ai flet për makinerinë e baltës që nxin portretin e tij prej reformisti. Edi Rama, me aftësinë e një mjeshtri të propagandës, ka kuptuar një gjë. Rreziku i tij nuk janë mediat tradicionale tashmë të diskredituara. Rivali i tij nuk është opozita që ende rreket të mbrojë qeverisjen e vjetër”…

Nga Andi Bushati

Lexova sot një shkrim të kolegut tim Mero Baze, i cili u binte këmbanave të alarmit, lidhur me një ligj që po harton qeveria Rama, “për disiplinimin” e mediave online.

Si njëri nga gazetarët që e ka provuar egërsisht në kurriz dhunën e pushtetit, duke pranuar të ngërthehet në një luftë me të gjitha llojet e armëve kundër tij, Baze, e ka ndjerë shpejt rrezikun e kësaj masakre që po i qëndron si shpatë mbi kokë mediave më të reja të këtij vendi.

Ndaj, ai, i kishte zbërthyer në detaje shumë nga kundërthëniet absurde të këtij projekti.

Mjafton vetëm njëra prej tyre, ajo që theksonte se kjo nismë bie ndesh me kushtetutën e këtij vendi, që garanton një shtyp të lirë, për ta bërë atë jo vetëm nul, por edhe të dyshimtë.

Dhe pikërisht këtu, tek dyshimi që lind mbi këtë nismë, dua të ndalem për të shpjeguar se përse po e kërkon atë qeveria e Rilindjes.

Kur socialistët u rikthyen në pushtet, për herë të dytë në këtë çerek shekulli demokraci, ashtu si pas vitit ’97, ata u shoqëruan nga aureola e një çlirimi të shoqërisë, e cila pillte automatikisht edhe një frymëmarrje më të madhe në media.

Por nëse ngritja në pushtet e Nanos eci krahpërkrah me lindjen dhe zhvillimin e TV-ve private, ajo e Ramës u shoqërua nga një tjetër proces: lulëzimin e mediave online.

Shumë gazetarë të njohur, grupime reporterësh kronike dhe politike, kulture dhe sporti, mode dhe showbizi, vendosën t’u thonë “mjaft” gazetave të ngritura mbi parimin “Një pallat, një media”. Ata vendosën të shkëputen nga zgjedha e oligarkëve të shtypit, për të kërkuar më shumë liri dhe më shumë hapsëira për profesionin e tyre.

Natyrisht, beteja qe më e lehtë, sepse mediat online (lapsi.al është njëra prej tyre) kanë kosto ku e ku më të lira. Për to nuk duhen shpenzime të mëdha teknike, pagesë shtypshkronje, transporti gazetash, përqindje për shitësit në kioska e kështu me radhë.

Ky revolucion i mundësuar nga zhvillimi teknologjik, solli me vete edhe një oportunitet të ri. Pushteti i informacionit, u largua nga ndërtuesit e pallateve, nga shkatërruesit e bregdetit, nga gjobaxhijtë e bizneseve dhe sekserët e politikës, për t’u rikthyer (së paku përkohësisht) në duart e gazetarëve. Ata (me të mirat dhe qindra mëkatet e tyre) u ribënë drejtues realë të mediave të reja që kishin themeluar vetë.

Kështu, nëse ardhja e parë e socialistëve në pushtet, prishi monopolin e të vetmit ekran shtetëror, TVSH-së të drejtuar nga militantë të tipit Buçpapaj, Pollo, Sakajeva, rikthimi i tyre i dytë u shoqërua me zbehjen e pushtetit të Koçove, Sandërve, Irfanëve.

Lindja dhe shumimi i mediave online, jo vetëm nxorri në pah fallcitetin e makinerisë së tyre të propagandës, të ngritur vetëm për përfitime familjare, por njëkohësisht zbehu edhe monopolin mbi informacionin që i përcillet publikut.

Nuk është rastësi që sot, pjesa më e madhe e skandaleve të qeverisë së re, e aferave të saj korruptive, e tenderave për miqtë dhe koncesioneve për klientët, janë zbuluar dhe denoncuar nga mediat online.

Nuk është rastësi që sot, të gjitha “mediat e vjetra” nuk kanë më as minimumin e ndikimit (për të mos përmendur për arsye etike Lapsin), që ka faqja online e BIRN-it.

Megjithëse kanë në dispozicion emisione investigative, me dhjetra të punësuar, tolk show të pafundme, redaksi lajmesh të mbushura me reporterë të tredhur, mediat tradicionale janë kthyer në unanimitet në krehëse bishti të qeverisë.

Prandaj Edi Rama, ndryshe nga pushteti i parë i socialistëve, nuk ka vetëm një problem. Ai nuk është më vetëm para rrugës së njohur, për të dhënë leje ndërtimi për Klanin dhe Vizionin, Shekullin dhe Panoramën. Ai nuk është më vetëm përballë hallit për të dhënë liçensa të paligjshme dhe parkingje qyteti për Topin.

Ai ka një problem shumë më të madh, sepse tanimë, atij nuk i duhet të mbyllë borxhet e disa pronarëve, por zërat, gojët dhe lapsat e dhjetra dhe qindra gazetarëve.

Prandaj kryeministri po tenton të ndjekë një taktikë të re: atë që nuk e blen dot me para, po mundohet ta heshtë me anë të ligjit.

Nuk është e rastësishme që kjo përpjekje vrastare e neutralizimit të mediave online, vjen menjëherë pas tentativës së parë që dështoi me turp, asaj për kriminalizimin e shpifjes për gazetarët.

Si e para dhe e dyta tregojnë vetëm një gjë, që qeveria po i trembet deri në tmerr pluralitetit të zërave të rinj.

Jo më kot kryeminisri nuk lë studio televizive pa ironizuar lapsat që ka kundër.

Jo më kot ai shpall se nuk trembet nga lehja e qenve që duan ta pengojnë të ecë përpara.

Jo më kot ai flet për makinerinë e baltës që nxin portretin e tij prej reformisti.

Edi Rama, me aftësinë e një mjeshtri të propagandës, ka kuptuar një gjë. Rreziku i tij nuk janë mediat tradicionale tashmë të diskredituara. Rivali i tij nuk është opozita që ende rreket të mbrojë qeverisjen e vjetër.

Armiku i tij real, janë zërat e rinj dhe të lirë që po gëlojnë në rrjet.

Prandaj dhe ai po përpiqet të gjejë rrugë ligjore për t’i neutralizuaar ato.

Ky është në fakt thelbi i projektit të ri, i cili pretendon se disiplinon mediat online, duke shkuar deri në absurdin e shkeljes së kushtetutës. /Lapsi.al/ 

SHKARKO APP