Mentaliteti vrasës shqiptar: “Po ku p*erdh unë për koronavirus”
Nga Dritan Shano-
Përpara 25 minutash, dola në rrugë për të kryer një blerje.
Kafenetë plot. Rrugët plot. Siç e kemi zakon për Shën Valentin. Distanca me njeri-tjetrin as që respektohej.
Dy njerëz, të sekseve të ndryshme, pështynë përtokë. Kombinacioni më i rrezikshëm gjysh-nip ndeshej jo rrallë.
Ndoshta koronavirusi nuk do merret me ne.
Por po qe se do na vizitojë me të njëjtin ritëm si Italinë është e qartë se do i kemi punët pisk. Jo për gjë po mjekësia jonë nuk ka lidhje me mjekësinë italiane.
Prandaj ideja se koronavirusi nuk ka ç’na bën duhet të largohet për nja dy javë nga truri ynë kombëtar.
Pa asnje panik dhe histeri, duhet thjesht të ndjekim ca këshilla që lidhen me higjienën personale dhe publike, dhe duhet të qëndrojmë sa më shumë të mundemi brenda në shtëpi.
Por çfarë po ndodh në realitet. Në real time. Shpërfillja e këshillave që duhen ndjekur për të zbutur sa më shumë përhapjen e koronavirusit është e prekshme, e dukshme duke demonstruar një papërgjegjshmëri, mendjelehtësi dhe injorancë të rrallë. Se dihet që ne shqiptarët, po nuk ndodhi në familje, jemi të bindur se koronavirusi nuk e ka me ne. Përkundrazi na sheh me respekt dhe na hap rrugën.
Kjo shpërfillje vjen edhe nga fakti se për koronavirusin dhe masat që duhet të merren, për mënyrën e re e sjelljes dhe jetesës që duhet të përqafojmë, flasin ata, politikanët. Politikanët tanë, që i marrtë të keqen koronavirusi i marrtë, etj. Politikanët jo profesionistët.
Dihet se Shqiptarët nuk i besojnë politikanëve. Nuk i marrin seriozisht. Jo më kot 84% e tyre duan të ikin prej atyre. Prandaj ata duhet ta qepin gojën, dhe në ekrane të dalin vetëm profesionistët. Ata që marrin vesh nga këto punë. Vetëm atëhere, shqiptarët ndoshta do jenë në gjendje të pranojnë ndonjë këshillë, se si duhet të sillen që mos venë jetën e vet dhe të të tjerëve në rrezik.
Kur dola nga dyqani ku bëra blerjen, në kafenenë anash pashë 4-5 pensionistë që rrinin ngusur ngucur dhe bisedonin indiferentë. Me siguri po i thoshin njeri tjetrit: Ku pjerdh unë për koronavirus! More mos e ke? i thoshte një tjetër. E në e paça a do pak nga ky koronavirusi im?
Zoti i ruajtë shqiptarët!