Merkel dhe Trump theksuan rëndësinë e NATO-s
Presidenti amerikan Donald Trump dhe kancelarja Merkel kanë biseduar për NATO-n, raportet bilaterale dhe raportet me Rusinë. Po çfarë u tha?
Në një deklaratë pas telefonatës 45 minutësh mes presidentit Trump dhe kancelares Angela Merkel u tha se “ata kanë trajtuar çështje me rëndësi fundamentale”, siç është ajo e NATO-s. “Liderët kanë pranuar se NATO duhet të mbetet e aftë për t’u pëballur me të gjitha sfidat e shekullit 21 dhe se në të ardhen të gjithë aleatët duhet të japin kontributin e tyre për sigurinë kolektive”, thuhet në kumtesat e të dy palëve.
Donald Trump ka deklarur më parë se NATO është vjetëruar dhe se do të ushtrojë presion ndaj aleatëve që për qëllimet e mbrojtjes të ndajnë 2% të GDP së vendit. Gjermania ndanë aktualisht për qëllime të mbrojtjes 1.19 % të prodhimit bruto në vend. Merkel ka bërë të ditur se vendi do të punojë në këtë drejtim, por kërkohet kohë.
Në këtë telefonatë është biseduar edhe për gjendjen në Lindjen e Mesme, veri të Afrikës, për raportet me Rusinë dhe krizën në Ukrainë.
Raportet e ngushta gjermano-amerikane
Trump ka kritikuar gjatë fushatës politikën e kancelares Merkel ndaj refugjatëve dhe e ka quajtur “katastrofale”, sepse ka lejuar futjen në vend të qindra mijëra refugjatëve. Të premten ai ka nënshkruar edhe një dekret për ndalimin e futjes së refugjatëve në SHBA.
“Të dy liderët kanë rënë dakord për afirmimin e rëndësisë së raporteve të ngushta gjermano-amerikane dhe thellimin e bashkëpunimit mes vendeve tona, për siguri dhe prosperitet dhe angazhohen për thellimin e raporteve edhe ashtu shumë të ngushta në vitet e ardhshme”, thuhet në deklaratë.
Trump e ka pranuar ftesën e kancelares Merkel për pjesëmarrje në samitin e ardhshëm të G20, i cili do të mbahet në Hamburg në korrik. Ai tha se “së shpejti” të pres kancelaren Merkel në Uashington.
Sanksionet ndaj Rusisë
Për sanksionet ndaj Rusisë është shprehur edhe kryeministri i Bavarisë, Horst Seehofer, në një intervistë që botohet këtë të dielë në gazetën “Bild am Sonntag”. Seehofer u ka bërë thirrje vendeve të Evropës që të pezullojnë sanksionet kundër Rusisë, për shkak të ndërhyrjes në Krime të Ukrainës. “Unë angazhohem për politikë reale”. Ai tha se ne duhet të flasim qartë për dallimet në pozicione, siç është aneksimi i Krimesë, por duhet të promovojmë çështjet e bizneseve sensibël. Seehofer bëri thirrje që sanksionet të pezullohen gjatë këtij viti. Ndërsa Merkel, ministri i Jashtëm Sigmar Gabriel dhe liderët tjerë evropianë edhe më tej mbeten për sanksione.
Nuk ka të dhënat se çfarë është thënë për këtë çështje në telefonatën mes Merkelit dhe Trumpit.
bc/jm/bw (Reuters, AP, AFP)