Merkel në pozitë të vështirë me Francën

 

Presidenti i Francës po përfiton nga rasti jo fatlum që pas sulmeve terroriste në Paris të kërkojë solidaritet pa kushte nga Gjermania. Kjo mund t'i kushtojë shumë shtrenjtë politikisht kancelares, mendon Barbara Wesel.

Pas sulmeve ndaj Charlie Hébdo në janar çmimi i solidaritetit me Francën ishte ende nën kontroll për kancelaren. Një marshim i përmortshëm përkrah me Francois Hollande ishte i tërë dimensioni i vëllazërimit politik, i lidhur ky me pretimin, se tashmë natyrisht do të bëhet gjihçka për luftën kundër terrorizmit. Se ç'mund të presësh nga premtime të tilla në kontekstin europian, kjo dihet ndërkohë. Çdo vend në mënyrë strikte shmanget, që të mos i duhet të kontribuojë për ato gjëra që nuk do.

Parisi parashtron kërkesa

Por bota papritur duket ndryshe pas serisë së fundit të atentateve vrastare në Paris. Tani presidenti francez flet jo vetëm për luftë kundër terroristëve dhe drejtuesve të tyre në prapaskenë, por ai do që edhe ta drejtojë atë. Këtë ai ia bëri të qartë Angela Merkelit gjatë darkës në pallatin Elysée. Nisur nga kriteret e saj kancelarja kishte sjellë një dhuratë vërtetë zemërgjerë me vete: premtimin për të dërguar deri në 650 ushtarë gjermanë në Mali për të ndihmuar atje ushtarët francezë. Për kushtet gjermane kjo është si një lloj kthese e fortë në politikën e mbrojtjes.

Barbara Wesel Studio Brüssel

Barbara Wesel

Por kjo nuk mjafton për Hollande: ai kërkon më shumë angazhim, e mundësisht direkt në Siri dhe në Irak. Në rast se Gjermania mund të shkojë edhe më tej me mbështetjen e saj, ky do të ishte një sinjal shumë i mirë, formuloi presidenti francez. Mirë për kë, kjo është çështja. Natyrisht për të do të ishte një fitore, nëse do të mund ta involvonte qeverinë federale edhe ushtarakisht në luftën, që ai do të zhvillojë kundër „Shtetit Islamik“. Turneu i Hollande në Uashington dhe në Moskë dhe bisedimet e tij me kryeministrin britanik në kërkim të partnerëve deri tani vërtetë kanë sjellë plot fjalë të mira, por në fakt kanë fare pak ndihmë konkrete. Presidenti i SHBA-së Barack Obama nuk është fort i përshtatshëm për t'u ingranuar thellë në moçalin sirian. Presidenti i Rusisë Putin bën gjithsesi vetëm atë që ai e konsideron të dobishme. Dhe në Britaninë e Madhe dhoma e ulët e parlamentit vërtetë mund ta miratojë pjesëmarrjen në sulmet nga ajri në Siri, por predispozita britanike për aventura ushtarake aktualisht është mjaft e zbehtë.

Gjermania si partner në luftë kundër IS-it?

Eshtë befasuese që Angela Merkel la të kuptohet, se ajo do të ishte e gatshme të mendojë për detyra të mëtejshme në luftë kundër IS-it. Eshtë sjellë në konsideratë angazhimi i avionëve zbulues të tipit Tornado. Por kjo të habit, sepse në këtë drejtim kancelarja më shumë mund të humbasë se sa të fitojë: para së gjithash ajo mund të humbasë kapital në politikën e brendshme, ndërkohë që ajo e ka konsumuar mjaft atë për shkak të politikës së saj ndaj refugjatëve. Përveç kësaj një pjesëmarrje ushtarake në sulmet nga ajri ndaj Sirisë mund të ishte sërish një grackë e re pas angazhimit në Afganistan. Në një rast të tillë ke të bësh me involvimin në një luftë asimetrike me pasoja të paparashikueshme, me objektiva të paqarta dhe me perspektivë të zbehtë suksesi. Askush nuk pretendon seriozisht, se IS mund të mposhtet me sulme nga ajri. Njëkohësisht Gjermania do të implikohej në politikën e Lindjes së Mesme, që deri më sot nuk ka prodhuar asnjë zgjidhje, por vetëm probleme të mëtejshme.

Përse Merkeli i hyn rreziqeve të tilla?

Normalisht presidenti francez duhej të jepte konpensime për angazhimin gjerman. Por kursi i tij i ri bie ndesh me shumë objektiva të qeverisë federale. Përpjekjet për afrim me presidentin rus cënojnë politikën e kancelares për Ukrainën. Kjo sepse linja e saj e qartë kundrejt Putinit rrezikohet, në rast se ai bëhet partner i Francës kundër IS-it. Përveç kësaj Parisi e zhvleftëson përfundimisht politikën e kursimeve të Berlinit në Eurozonë me pretekstin e luftës kundër terrorit. Dhe lidhur me politikën ndaj refugjatëve, ku kancelarja ka nevojë urgjente për ndihmën franceze, kryeministri Manuel Valls ka sinjalizuar qartë: se nuk mund të pranohen më edhe më shumë njerëz.

Pra mund të ndodhë, që ndonjëherë ka tepër solidaritet ose ka solidaritet të gabuar? Apo beson Angela Merkel vërtetë në të ashtuquajturën „lufta kundër terrorit“? Çmimi politik mund të jetë mjaft i lartë për Gjermaninë. Shumë i lartë, nëse mendon perspektivën e paqartë të suksesit dhe faktin, se kush i hyn rrezikut, mund edhe të thyejë kokën. E kjo fjalë e urtë vlen veçanërisht për moçalin politik në Lindjen e Mesme.

SHKARKO APP