Merkel – tentativë për të kuptuar të ardhmen me Donald Trump
Kancelarja gjermane Angela Merkel dërgon këshilltarin për politikën e jashtme për bisedime me ekipin e presidentit të ardhshëm Donald Trump. Berlini është i pasigurtë për politikën e jashtme amerikane në të ardhmen.
Me fillimin e javës, Christoph Heusgen, këshilltari i kancelares gjermane, Angela Merkel për politikën e jashtme do të niset përtej Atlantikut për të zhvilluar bisedime me ekipin e presidentit të ardhshëm amerikan, Donald Trump lidhur me kursin amerikan në politikën e jashtme nën administratën e Trumpit. Këtë e njofton revista e njohur gjermane, „Der Spiegel”. Në Berlin sundon një pasiguri e madhe për orientimin e politikës amerikane në të ardhmen. Heusgen do të përftojë një përshtypje në vend dhe pritet të ketë takime ndër të tjera me të emëruarin si këshilltar për sigurinë kombëtare, Michale Flynn. Edhe një zëdhënës i qeverisë gjermane ka bërë të ditur për agjencinë e lajmeve, AFP, se Heusgen udhëton në fillim të javës.
Dyshimet gjermane
Gjatë fushatës elektorale, Trump kishte ngjallur dyshime tek besnikëria e SHBA-së ndaj partnerëve të NATO-s. Në të njëjtën kohë ai është shprehur pozitivisht për Putinin, ndërkohë që në dhënien e posteve kyçe, Trump ka injoruar establishmetin e politikës së jashtme të Uashingtonit, me të cilin Gjermania tradicionalisht ka kontakte të ngushta. Gjenerali i dalë në pension, Flynn njihet po ashtu si mik i Rusisë, ashtu si i emëruari për postin e Sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson.
Sipas gazetës gjermane, „Der Spiegel” në kabinetin e kancelares sundon shqetësimi se Trump me ekipin e tij të ri do të injorojë sanksionet e vendosura nga perëndimi për shkak të krizës në Ukrainë, duke e bërë kështu të pamundur një qëndrim unik të perëndimit.