Merkeli e izoluar në Europë

Vërtet Merkeli u zgjodh „Njeriu i vitit“ nga një revistë amerikane e konsiderohej mbretëresha e Europës, gruaja më me pushtet. Por tani drejtimi i erërave ka ndryshuar duke sjellë furtunë përballë kancelares gjermane.

Flüchtlinge Deutschland Plakat Angela Merkel

Ndoshta në krizën greke të euros ata nuk kanë qenë të një mendimi, megjithatë Merkeli gjithmonë mund të mbështetej tek ministri i saj Financave, Wolfgang Schäuble. Kështu edhe pas takimit të ministrave të Financave në Bruksel të premten (15.01), ai nxorri shpatën në mbrojtje të saj. Problemet me grekët janë zgjidhur këto kohë, sigurisht priten hapa të tjera reformash, gjërat lëvizin ngadalë, por ka një optimizëm të kujdesshëm.

Kriza e refugjatëve rrezikon Europën

Mesazhi i ministrit të Financave në të vërtetë është: Kriza e refgjatëve është ajo që rrezikon të ardhmen e Bashkimit Europian. Tani duhet të „vijmë shpejt tek një zgjidhje europiane, kjo është sfida“. Këtë fjali Schäuble e përsërit disa herë, kaq e rëndësishme është kjo për të „Kancelarja thotë: „Ne mbrojmë Europën. Kjo është edhe detyra jonë.“ Por përfundimin logjik të saj, ai nuk e vazhdon – ne nuk mund ta bëjmë këtë vetëm.

Merkel në Mainz

Në vend të kësaj Schäuble paraqet një listë me skenaret e mundshëm. Po qe se Gjermania do të detyrohej të vepronte si Suedia (të mbyllte kufijtë) atëherë ky nuk është më problem gjerman, por një rrezik për Europën. Kjo nuk është çështje vitesh, …kohën Schäuble nuk e thotë, por në Bruksel pritet që kjo të ndodhë pas samitit të shkurtit. Për ta kompletuar skenarin e kërcënimit ai shton: „Po qe se dështon Shengeni, atëherë edhe në tregun e brendshëm nuk ka më kthim tek statusi „Ex Ante“, gjendja si para ujdisë për kufijtë e hapur.“ Kjo vlen edhe për euron. Në këtë rast do të kishim zhvillime të tjera dhe një dinamikë të re.

Nuk ka mbështetje

E parë me vëmendje Angela Merkel ka vetëm një mik në Europë, presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker. Ai kritikoi edhe njëherë mungesën e gadishmërisë së shumë vendeve anëtare për të dhënë kontributin e tyre në zgjidhjen e çështjes së refugjatëve. Por vendimet merren në Këshillin Europian, aty ku janë të ulur krerët e qeverive të vendeve të BE-së, dhe duket se këtu Merkeli nuk ka më mbështetës. Qeveria e re nacional-konservatore në Varshavë kërkon grindjen me Berlinin, ndërkohë që Merkel ishte përgatitur për mbështetje nga fqinja, Polonia. As ujditë me qeverinë e mëparshme për refugjatët nuk flitet të zbatohen. Kësaj i shtohet grupi i Vishegradit me Poloninë, Hungarinë, Çekiunë dhe Sllovakinë, i cili është bashkuar për të bërë një opozitë fundamentale.

Refugjate me foton e Merkelit

Kudo të kërkosh – nuk gjenden miq

Edhe kthimi i vështrimit nga Parisi nuk të ngushëllon. Lokomotiva gjermano-franceze funksionon në rast nevoje në politikën e jshtme, si në krizën e Ukrainës dhe në luftën kundër IS-it. Por në BE, kur vjen puna tek refugjatët Francois Hollande i bën bisht përballjes me sfidën. Në politikën e brendshme ai është i dobët. Frika nga Front National është e madhe. Kryeministri britanik, David Cameron nga ana e tij llogarit mbështetjen e Merkelit në çështjen e “Brexit”, por “shkëlqen” me mungesën e tij kur vjen puna tek refugjatët. Ndërsa kryeministri italian, Matteo Renzi ndodhet në një “tur” egoje të motivuar nga politika e brendshme dhe hedh shigjeta kundër dominancës gjermane në Europë. Në Spanjë nuk ka qeveri aktualisht, Portugalia është e dobësuar, Irlanda ndodhet para zgjedhjeve. Vetëm në raste të veçanta mund të krijohet një lloj koalicioni i të vullnetshmëve, si me Austrinë, Holandën e ndoshta Suedinë. Pra ka marrë fund aftësia e Merkelit për të bërë politikë në Europë?

Gjendja është serioze, por jo e pashpresë

“Nuk duhet që nga disa përshtypje të shkojmë deri tek skenarët apokaliptikë”, thotë Janis Emmanouilidis nga Qendra Studimore European Policy në Bruksel. Nga njëra anë kancelarja gjermane ka lënë të kuptohet se i identifikon problemet në lidhje me krizën e refugjatëve dhe reagon, që do të thotë jo largim nga parimet e duhura, por pranim i realitetit. Eksperti i politikës nuk beson se Merkel është në Europë vetëm. Duhet parë konteksti më i gjerë i krizave brenda BE-së. “Gjermania është në këtë kontekst gjithmonë një aktore e fortë, Merkel ka ende një rol shumë të fortë.” Edhe kritikët e Merkelit e dinë se sa i rrezikshëm do të ishte një vakuum pushteti në Europë, beson Janis Emmanouilidis.

Në rast nevoje ata do të veprojnë në mënyrë racionale

Po qe se Schäuble ka të drejtë me vizionin e tij për pasojat e mundshme nëse Gjermania mbyll kufijtë, këto pasoja do të “kapin për fyti” të gjitha ata në Bruksel që kanë parë vetëm politikën e brendshme në vendin e tyre. Deri tani krerët e qeverive të vendeve anëtare e kanë marrë kthesën në momentin e fundit, sidomos kur bëhet fjalë për mbijetesën. “Në fund ata e bëjnë nga dashuria për veten, sepse kanë frikë nga pasojat”. Rrezikun më të madh ai e sheh tek intensifikimi i krizave brenda BE-së dhe mundësia e aksidenteve politike të pakontrollueshme. Tek kriza e refugjatëve është e nevojshme një “magic moment” një moment magjik – ide me efekt publik që të fitojë zemrat me qëllim që negociatat të përfundojnë me sukses.

SHKARKO APP