Mero Baze: Dy standarde të ndryshme nga Greqia dhe i njëjti fat i keq me Evropën
Nga Mero Baze
Greqia është e angazhuar njëkohshëm në dy debate juridiko- politike. Ajo është në një konflikt të hapur politik me Shqipërinë për çështjen “Beleri”, duke kërkuar nga politika shqiptare që ai të lirohet për t’u betuar, gjë që në fakt nuk e ka fare në dorë politika. Madje Edi Rama nëse do të bëhet cinik, mund të bëjë thirrje publike që SPAK ta lirojë, se kështu e ka të garantuar që ja shtojnë ndonjë vit.
Ndërkohë vet Greqia është nën presion nga Kroacia të lirojë tifozët e ndaluar pas incidentit me vdekje në Athinë, të një tifozi grek, nga dhuna e tifozëve kroatë. Kroacia pretendon se kanë kaluar 5 ditë nga ndalimi policor dhe ata duhet të lirohen, pasi po mbahen në bllok të gjithë të burgosur, ndërkohë që është identifikuar fajtori.
Në debatin me Shqipërinë, nuk flasin juristët grekë, por politikanët grek. Që nga kryeministri i vendit Micotaqis, dhe nipi i tij po ashtu Micotaqis, kryetari i Bashkisë së Athinës, që janë në krye të presionit politik, duke shantazhuar Shqipërinë me bllokim të rrugës evropiane, nëse Beleri nuk lirohet.
Ndërsa me Kroacinë ekuacioni është i kundërt. Presidentit të Kroacisë Zoran Milanovic i është përgjigjur Sindikata e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Greqisë, duke ja konsideruar deklaratën provokim, ndërhyrje në punët e brendshme të Greqisë dhe cënim i pavarësisë së drejtësisë greke. Dhe në parim kanë të drejtë.
Problemi i vetëm është që Greqia duhet të ketë një standard si për Kroacinë, dhe për Shqipërinë. Nëse për deklaratat politike të presidentit kroat, ajo nuk bën lëshime, pasi drejtësia është pushtet i pavarur, të njëjtin standard duhet të aplikojë dhe për Shqipërinë.
Madje Edi Rama ka hyrë kot në këtë debat. Kryeministrit të Greqisë dhe politikanëve të tjerë grek duhet t’u përgjigjet KLGJ dhe KLP, si institucione rregullatorë të gjykatave dhe prokurorisë, nëse do të bënim analogji me atë që Greqia po bën kundër Kroacisë.
Por, nëse ne sillemi siç sillet Greqia me Kroacinë, rrezikojmë të bllokohemi në rrugën tonë evropiane prej Greqisë në shenjë hakmarrje. Nëse sillemi siç sillet Kroacia me Greqinë, pra nëse pranojmë që politika këtu mund të lirojë njerëz nga burgu, natyrisht që minojmë përsëri perspektivën evropiane, pasi do të provojmë që kemi një drejtësi politike.
Pra në të dy rastet ne jemi të rrezikuar të shkojmë në Evropë nga kjo ngjarje. Por të paktën të kemi një arsye më të hajrit. Dhe arsye më e hajrit është të bllokohemi në rrugën drejt Evropës nga një arsyetim anti-evropian, siç është ky i Greqisë ndaj nesh, apo i Kroacisë ndaj Greqisë.