Mero Baze, “një mik që ia do të mirën” të majtës

Nga Arben Rrozhani

Dikur funksiononte me anë të letrave anonime, si në rrëfenjat popullore, ku nënshkruesi ishte “një mik që ta do të mirën”. Atëherë punonte shërbëtor me kohë të pjesshme. Ndërsa tani që punon shërbëtor me kohë të plotë, firmos me emër, por ka mbetur “një mik që ta do të mirën”. Është i njëjti shërbëtor: Mero Baze. Ka ndërruar porositësi i shërbimeve të ulëta. Nuk është më Sali Berisha dhe segmente të të djathtës, por elementë të kupolës së majtë dhe brenda qeverisë së Edi Ramës.

Koço Kokëdhima është një prej personazheve publikë, për të cilin nuk ka lënë gjë pa shpifur. Është ndoshta ndër më të sulmuarit në galerinë e personave publikë, dhe jo vetëm, që janë bërë objekt i sulmeve, intrigave dhe shpifjeve të ulëta, për llogari të personave të veshur me pushtet.

Galeria është termi i duhur për ish-inxhinierin e minierave, apo siç njihet në termonologjinë studentore, si urith. Nuk e përballoi dot profesionin për të cilin ishte diplomuar dhe e këmbeu nëntokën e pasur shqiptare të mineraleve me atë të medias së sapoliberalizuar shqiptare, pas ndryshimit të sistemeve në vitin 1990. Një urith mediatik që nga nëntoka e errët e lidhjeve me pushtetin e radhës, në emër të të të drejtës së shprehjes dhe lirisë së informimit ka bërë me qindra vrasje morale të urdhëruara prej padronëve të radhës.

“Miku i të majtës”

Mero Baze, të paktën prej 25 vitesh, ka qenë “miku i të majtës”. Ja ka dashur shumë “të mirën”. Prej vitit 1992, kur u emërua që të kontrollonte linjën berishiste të lajmeve zyrtare në ATSH, ai i ka shërbyer verbërisht rregjimit që do të tentonte të kthehej në klikë fashiste dhe që kishte si synim eleminimin politik të opozitës, por edhe eleminimin fizik të drejtuesve dhe aktivistëve të majtë.

Është për të ardhur keq që sot, në korrik 2016, ne duhet t’i japim të drejtë Fatos Nanos, kur deklaronte pak vite më parë, se PS-ja është katandisur në një parti pa memorie historike. Fytyrat e reja që e kontrollojnë atë dhe qeverinë e saj, kanë harruar dhe amnistuar krimet e Berishës dhe të shërbëtorëve të tij në vitet më të vështira dhe të dhimbshme për PS-në dhe të majtën shqiptare. Qindra socialistë të ndershëm u arrestuan, përndoqën apo dhunuan vetëm pse ishin të një partie kundërshtare në opozitë, apo vetëm pse protestonin për vjedhjen e votës.

Propaganda e PD-së, e lidhur ngushtë me SHIK-un famëkeq dhe e mbledhur përnatë në zyrën e ish-presidentit Sali Berisha bënte planet e errëta për të nxjerrë të majtën nga parlamenti dhe jeta politike, pse jo edhe jashtë ligjit, që Berisha të ishte diktatori i radhës dhe të rikthente diktaturën në vend.

Në ditët më të errëta dhe të vështira të të majtës, me kreun e PS-së të burgosur, Mero Baze ishte zyrtarisht korrespondent i radios “Zëri i Amërikës”, pra i politikës së administratës Klinton, e cila i kishte dhënë sinjale paralajmërimi qeverisë “Meksi”, pas prishjes së raporteve me Greqinë, thyerjen e vazhdueshme të kontrabandës së naftës ndaj Serbi-Malit të Zi si dhe shkeljes së të drejtave të njeriut në vend dhe sulmeve ndaj opozitës së majtë.

Por nuk u ndahej “galerive”, nëntokës së errët të medias që kontrollohej nga Berisha dhe prej aty sulmonte të majtën, intrigonte për letra të Nanos, qypin me m… dhe guralecë, përçante drejtuesit socialistë, vishte Gramoz Ruçin me fustan që të arratisej në Greqi për të mos rënë në dorë të Berishës së donte ta arrestonte, shantazhonte drejtuesit vendorë…

Autorësinë e tij mbajnë dhjetra editoriale të botuara në gazetat që komandonte Berisha dhe ku ai mbante frymën, pasi bënte lidhjet e tij telefonike, ku raportonte për “Zërin e Amerikës”, sipas linjës zyrtare të qeverisë amerikane, ndërsa në shkrimet me emra të sajuar, sulmonte Shtëpinë e Bardhë, mbrojtjen që po i bënte Athinës zyrtare, sulmeve të padrejta ndaj demokracisë së brishtë shqiptare dhe presidentit Berisha. Ndërsa vendi ishte në ditët e para të konfliktit politik dhe social në shkurt 1997, ndryshe raportonte për revoltat në nisën në Lushnje dhe në Vlorë dhe ndryshe hapte titullin e madh në të gazetës së Berishës ku sulmonte “puçin ndërkombëtar” ndaj Sali Berishës, duke nënkuptuar SHBA-të dhe Greqinë.

Se sa e ngushtë ishte marrëdhënia padron-shërbëtor mes Berishës dhe Bazes e treguan 8 vitet në opozitë dhe më pas kandidimi i tij si deputet i PD-së në jug të vendit, ku nuk arriti të fitonte, sepse nuk e votuan as bashkëfshatarët e tij “kërcikuq” të asaj zone që, sipas rrëfimeve të gjirokstritëve të vjetër, më mirë shkonin të bënin pazarin në Janinë, se sa t’i grabisnin paraardhësit e Mero Bazes, mes gërxheve të Tepelenës. Dhe prishja e tyre dy vite më vonë nuk ndodhi aspak për çështje parimore, por sepse Berisha nuk mund të pranonte që Baze të zëvendësonte fëmijët e tij si sekserë të bizneseve familjare.

Një mendje e sëmurë

Koço Kokëdhima, botues dhe politikan i respektuar, që prej vitesh ndjehet i tronditur dhe i shqetësuar për sulmet pa bazë, intrigat pa fre dhe shpifjet më të ulëta, duhet të ndjehet i përkëdhelur nga fati, kur të lexojë p.sh. se çfarë ka shkruar Mero Baze pak vite më parë për Edi Ramën, qeveria e të cilit e përdor sot. Ai ishte pjesë e atij detashmenti politiko-mediatik që e kanë demonizuar figurën e Edi Ramës, që kur ishte në opozitë si një publicist i pavarur dhe më pas si kryetar bashkie.

Në fletët e gazetës së tij janë botuar akuzat më të përbindshme ndaj një pushtetari vendor, figure politike dhe për më tepër një qenieje njerëzore. Në redaksinë e gazetës së tij, në janar 2007 u gatua futja 71-vjeçarit të paralizuar, Akile Rama, si kandidat për kryetar bashkie në emër të partisë inekzistente Balli Kombëtar Demokrat. Qëllimi ishte malinj, që votuesit të ngatërroheshin nga mbiemri dhe t’i hiqeshin sa më shumë vota Edi Ramës, që kandidonte për herë të tretë për kryetar bashkie, përballë rivalit të PD-së, të ndjerit Sokol Olldashi.

Në ato ditë intrigash politike që gatuheshin në zyrën e kryeministrit Berisha, Mero Baze do të bënte edhe editorialin e radhës “Edi Rama dhe sulmet ndaj rivalëve”, ku shkruante gjëra të tmerrshme kundër kryetarit të bashkisë, për ta denigruar përpara votuesve të kryeqytetit paragrafe të të cilit mund t’i botojë vetëm një media që drejtohet nga mendje të sëmura.

Një shpjegim për sulmet ndaj Kokëdhimës

Që prej kandidimit si deputet i PS-së në qarkun e Vlorës dhe deri më sot që shkruajmë, Mero Baze ka rivalizuar fort Berishën në sulmet ndaj Koço Kokëdhimës, si për të treguar se janë ende në të njëjtën varkë politike dhe notojnë në të njëjtët ujëra të qelbura që vijnë nga gjirizet e ndyra të politikës. Është marrë me bizneset e tij, punën e tij si deputet, me familjen e tij, me bashkëpunëtorët. Ka shpifur sa nuk mban më, aq sa lexuesit e “Tema” online, të lodhur nga “përroi psiqik” kundër deputetit i shkruanin: “Po mjaft o Mero, se ke ngatërruar Koçon me Saliun”.

Por Baze, ështu si dhe padronët e tij, që e kanë porositur të bëjë sulmet e radhës, kanë të drejtë të sillen ashtu siç bëjnë, sepse Koço Kokëdhima e theu mitin e politikanit të gatuar në këto 25 vite në Shqipëri, marrëdhënies së tij me qytetarin, biznesin, ligjin dhe u ka prishur pazaret. Kryefjalë e sulmeve ka qenë se ai është promovuar nga Edi Rama dhe se ka fituar prej tij. Kokëdhima nisi jetën e tij si biznesmen që ditën e parë që u lejua sipërmarrja e lirë në vitin 1991 dhe si botues i suksesshëm në vjeshtën 1997, mbi të gjitha me gazetën “Shekulli” dhe me pas me botime të tjera periodike që kanë lënë shenjë në shtypin e shkruar shqiptar.

Edi Rama u bë ministër në qeverinë e majtë në vitin 1998 dhe më pas kryetar bashkie në vitin 2000. Media e tij ka qenë në shërbim të publikut dhe qartësisht majtas, por duke mos kursyer drejtues të të majtës apo në qeveri që punonin kundër interesave të vendit. Bie fjala, “Shekulli” denoncoi aferën me koncesionin e Rinasit nga qeveria e majtë e Fatos Nanos, si një marrëveshje skllavëruese në kurriz të shqiptarëve dhe koha i dha të drejtë Kokëdhimës. Po ashtu edhe tentativën e Nanon në vitin 2004 për ta kthyer Shqipërinë në një kosh plehrash të rrezikshme të Italisë dhe sërish fitoi beteja e drejtë dhe qytetare e Kokëdhimës. Ndonjë botues tjetër do të bënte lepe-peqe, siç bëri, për të fituar milionat, por Kokëdhima jo.

Fitorja e tij në një zonë bastion  të majtës në vitin 2013, gjatë zgjedhjeve parlamentare, siç ndodh rëndom, mund të ishte edhe fillim dhe mbarim, sepse këtë model deputeti kishte kultivuar politika shqiptare këto dy dekada. Por ndryshe mendoi dhe veproi Kokëdhima. Deputeti është përfaqësuesi i popullit dhe jo agai i zonës elektorale. Për të qenë sa më afër zgjedhësve të tij në Vlorë, ai hapi zyrat e deputetit, duke i financuar me paratë e tij, si porta të hapura të pushtetit për qytetarët. Janë me mijëra hallet e konsultuara në këto zyra në Vlorë dhe Tiranë, zgjidhjet e dhëna dhe falenderimet e qytetarëve që ishin mësuar me deputetë që i shohin një herë në 4 vite. Fryt i bashkëpunimit me elektoratin dhe forcimin e strukturave të PS-së në bazë ishte edhe rezultati i zgjedhjeve vendore të 21 qershori 2015, ku e majta arriti të fitonte 5 bashki të rajonit Vlorë-Gjirokastër, duke e bërë PD-në inekzistente në bregdet.

Riorganizimi i PS-së në bazë ishte një sfidë tjetër e fituar nga deputeti Kokëdhima. Anëtarësia e PS-së në rajonin Vlorë-Gjirokastër u tre dhe katërfishua, me mijëra të rinj u ftuan dhe u bënë pjesë e struktrurave drejtuese në parti, e cila deri dje ishte bërë një bunker që nuk pranonte prurjet e reja. Këto zhvillime nuk u pëlqyen drejtuesve vendorë apo eprorëve të PS-së në Tiranë që ishin mësuar me modelin e çifligut elektoral në bazë, duke e kthyer degën e partisë në një biznes familjar. E cilësuan “projekt pilot”, pra si të papranueshëm për partinë tradicionale, por sot kur po shohin prurjet e reja, freskimin e partisë, shtimin e radhëve dhe garancinë për fuqizimin e partisë më të madhe në vend, por që ishte tkurrur vit pas viti, “projektin pilot” duan ta aplikojnë në të gjitha degët e partisë.

Mero Baze është sot zëdhënësi i atyre që komplotuan kundër mandatit të Kokëdhimës, për t’u dhënë mesazhin deputetëve të tjerë që të mos dalin nga rreshti dhe të bënin siç urdhëron kupola e partisë, edhe pse ky nuk është vullneti i elektoratit. Atë dhe padronët e tij i shqetëson fakti se Kokëdhima nuk u bë i pasur nga politika, por hyri i pasur në të, se nuk ka frikë nga reforma në drejtësi, por kërkon një rrugë të miratimit të saj që nuk çon në dështimin e saj, që nuk ka çifligje elektorale, por zgjedhës që presin zgjidhje.

Shërbëtori Mero shpërblehet sot, falë shërbimeve si maskë me pagesë për llogari të luftrave të brendshme në PS dhe në kampin e shumicës. Ndërsa qeveria nuk ka më nevojë për armiq. I del Merua, “miku që ia do të mirën” të majtës.

SHKARKO APP