Merruni vesh zoti Rama dhe zoti Basha!

Kanë ditë që Edi Rama dhe Lulzim Basha rrijnë “hidh e prit” me batuta, me facebook e fjalime kundër njeri tjetrit, ndërkohë që nga çadra te zyra e kryeministrit nuk janë as 30 metra. Vendi po shkon në sherr për zgjedhjet dhe data finale e regjistrimit të partive në KQZ po mbaron, ndërkohë që të dy përbetohen se duan ta zgjidhin çështjen e garancisë së zgjedhjeve, dhe thonë se “hajde ti se po të pres” dhe tjetri ia kthen me fjalët “më sill dorëheqjen këtu në çadër” dhe më pas prapë Edi Rama tall trapin nga Fieri duke u thënë fshatarëve se “ a ta pranojmë Lulin në PS”. Kjo e gjitha është një tallje e madhe me popullin. Si Rama, ashtu edhe Basha. Pak më shumë njeri se tjetri, por të dy nuk po i sherbejnë uljes në dialog dhe gjetjen e një zgjidhje për Shqipërinë.

Politikanët seriozë, dhe kur janë egërsisht kundër njeri tjetrit, gjejnë ura komunikimi dhe bisedojnë. Nuk zgjidhet kjo situatë me kush bërtet me shumë apo kush tregon barceleta për  tjetrin. Nuk ecët kështu!

Kryeministri duhet pikësëpari si zot i fateve të vendit, pasi është kryeministër, duhet të negociojë dhe kërkojë zyrtarisht me shkrim takimin me liderin e opozitës. E bën edhe publike që shqiptarët të shikojnë se kush mbetet serioz e kush don të gjejë pretekste. Natyrisht që pala e opozitës nuk ka përse përdor ironi apo humor në çadër duke thënë se “ a ta lejojmë të vijë në çadër kryeministrin dhe të na sjellë dorëheqjen?!”. Nuk është serioze, pasi nuk ka ditë të tepërta, dhe mundet që Shqipëria të futet në një spirale krize që nuk i dihet vertet fundi. Populli do përplaset, si përherë!

Opozita duhet të caktojë emrat që do të takojnë zyrtarisht kryeministrin pasi nuk mund të shkojë kryeministri në çadër dhe as t’ju jap dorëheqjen te çadra e Saliut. Nuk ka sens.

Ashtu sikurse edhe Edi Rama të lerë batutat dhe ironinë, nëse kërkon seriozisht zgjidhje me dialog.

Nuk ka kohë! Shqiptarët i kanë mandatuar për të na drejtuar, por pikësëpari për të biseduar dhe rënë dakort për një Shqipëri me të mirë dhe me stabël. Ulje në tavolinë pa batuta e pa ironi!

Kur të ndodhi rrëmuja, që nuk e dëshiron asnjë, të gjithë politikanët turren për tu fshehur. Si përherë e ha populli !

Mos bëni shaka e humor me jetën e popullit! Nuk doni ta kuptoni zotërinjë politikanë se përplasja po vjen, bile duket edhe fizike, me turma. Mos e bëni këtë krim, në emër të brezit të ri, në emër të njërëzve të thjeshtë!

SHKARKO APP