Mes Amerikës dhe popullit
Nga Frrok Çupi
Kur hyri Amerika mes diktaturës komuniste dhe popullit shqiptar, në vitet '90, vetëm atëherë populli guxoi te besojë… Përsëri tani, teksa Amerika ka iniciuar pastrimin e qeverisë dhe të parlamentit nga krimi e korrupsioni, populli po beson.
Ka ardhur një moment kur populli nuk beson asgjë tjetër.
Populli nuk beson te përfaqësuesi i tij deputet apo Kuvend.
Vetë Kuvendi ka pranuar se brenda tij ndodhen edhe shtatëdhjetë anëtarë të inkriminuar. Poshtë Kuvendit, të gjithë që burojnë që këtej, burojnë nga inkriminimi: Qeveri, Gjykatë, Avokat, Prokuror… të gjitha
Populli nuk beson te politikanët e opozitës.
Në vitet 1990 populli besonte te nismëtarët e Levizjes Demokratike për rrëzimin e komunizmit. Kësaja here Amerika është vetëm, pa përfaqësuesit e opozitës. Vallë paska qenë më e lehtë për Amerikën në qershorin e vitit 1991 kur në tokën shqiptare zbriti sekretari i Shtetit i SHBA, zoti Bejker?! Sigurisht që po, bashkë me Amerikën këtu kishte zbritur besimi te djemtë dhe vajzat shqiptare që guxuan të luftojnë për demokraci.
Tani ku janë? Asgjëkundi.
Populli nuk beson te mediat.
Mediat bëjnë si Shëngjergji në mbrojtje të interesave të krimit. Të gjithë qesharakë me "ushta" në dorë ku mbrojnë një ose dy pushtetarë kriminelë. Mediat rrënojnë oponencën dhe brohorasin për fitoren e Mafias. Demoncimin ndaj kryetarit të Kuvendit, mediat e quajtën komplot. Edhe kundër diktatorit Hoxha, Perëndimi kishte "komplotuar" njësoj. Për të rrëzuar, sigurisht, por për të mirën e popullit të nëpërkëmbur. Pra njësoj si sot.
Populli nuk beson te kisha as te xhamia.
Prifti dhe hoxha luten e falen përditë për mirëqënien e qeverisë dhe të Kuvendit. Populli nuk ekziston! Kush ka shkuar në këto dyer e ka dalë me shpresë? Kush ka gjetur fjalë të vërtetë në dyert e besimit të vet?
Populli nuk beson te populli.
Dje u bënë votimet për pushtetin lokal dhe populli votoi në favor të kriminelëve vrasës dhe trafikantë. Populli i pa nga duart udhëheqësit politik dhe e shiti votën për dymijë lekë. Vetëm populli i zonave të Lezhës kuptoi se nuk duhet shitur shpirti te Mafia dhe votoi kundër LSI (Tanimë sigla LSI po merr konotacion ISIS). Edhe sikur nesër të bëhen zgjedhjet e tjera, populli përsëri nuk do t'i besojë vetes dhe do të shesë votën.
Çfarë po ndodh kështu?
Që nga pika kulmore ku ndodhemi sot (kulmore për epokën, por kulmore edhe për të keqen), po shikojmë se gjatë historisë sonë paskemi ecur gjithnjë me tri këmbë. Këmba Pushtet, këmba Popull dhe këmba Aleat. Me perëndori, pa perandori, me perandori të sharë ose të tradhëtuar!,… kështu çalë-çalë.
Dy të parat, pushteti dhe populli, në jetë të jetëve në marëdhënie dhune, turpi dhe shfrytëzimi. Këmba pushtet e shkeli me kembë popullin.
Aleatët tanë amerikanë e gjetën popullin në këtë gjendje të rëndë e të turpshme. Njerëzit as kishin të drejtën e jetës, as të drejtën e pronës, as të drejtën e dheut. Të gjitha i çliroi, pak nga pak, Demokracia Perëndimore. Besimi te Amerika i bëri njerëzit të guxojnë dhe të fitojnë mbi të keqen.
Kështu ndodhi në qershor të vitit 1991, kur zoti Bejker, sekretar i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, u ul në tokën e shqiptarëve, dhe "shqiptarët i puthën gomat e makinës", siç shkruante shtypi perëndimor të nesërmen. Pa ato puthje, nuk mund të fshihej prej baltës sonë ajo e keqe e pashoqe që quhej komunizëm.
Pa besimin te Amerika, nuk mund të guxonim të ishim kundër të keqes sonë.
Ja ku ka ardhur përsëri kërkesa për të njëjtin besim.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë, pak ditë më parë dhe ditë pas dite që para zgjedhjeve lokale, denoncuan krimin e politikës kundër popullit. U denoncuan kandidatët e inkriminuar, por këtu iu hapën rrugë. U denoncuan deputetë dhe politikanë të inkriminuar, por ja ku janë. U denoncuan biznese të inkriminuara të futura në politikë, por ja ku janë. U denoncuan vjedhje të mëdha nga qeveritarët më të lartë; asgjë nuk është kthyer në thesarin e vjedhur.
Tani përsëri Amerika ndodhet mes popullit dhe pushtetit. Ndërsa mes Amerikës dhe popullit ndodhet besimi. Të gjithë po thonë se veç Amerika mund t'i shporrë këta!
Mes Amerikës dhe popullit ndodhet edhe pushteti, i cili po tenton të shpëtojë pa lagur. Madje shpesh pushteti thotë se "kërkon kontroll amerikan". Pushteti po dredhon. Po kërcënon se "mafia huk jam unë por ju populli". Po shantazhon sikur ka komplot universal kundër udhëheqjes! Po ngre piramidën e propagandës, pushteti ka me vete gjithë mediat dhe gjithë zërat. Populli nuk ka asgjë prej këtyre: As shantazhin, as median, as kërbaçin, as kërcënimin, as Parlamentin…. Të gjitha i ka pushteti.
Dje kryeministi i Republikës, sapo u kthye nga Amerika (nga OKB që ndodhet në tokën amerikane, jo nga shteti amerikan), u drejtua për në zyrën e kryetarit të Kuvendit që këto ditë u vu para provash për një korrupsion gjigand. Me sa duket kryeministri i ofroi përkrahje të akuzuarit tjetër, por përkrahje në karshillëk ndaj iniciatiavave amerikane kundër krimit.
Me sa shihet pushteti ndodhet mes Amerikës dhe popullit, ose kundër të dyve.
… Prapë me tri këmbë, njësoj si në histori. Besimi të Amerika nuk ka rënë, njerëzit po besojnë se veç Amerika i shpëton prej të keqes së të vetve.