Mesazh për tifozët
Futbolli Shqiptar, Sporti i vlerave dhe i respektit
Nga Viron Bezhani*
Miq të sportit, tifozë! Futbolli, ashtu si çdo sport tjetër, është pjesë e familjes së madhe Olimpike shqiptare dhe ashtu si çdo sport tjetër pasqyron vlera të jashtëzakonshme në zhvillimin e shoqërisë, promovimin e “FAIR PLAY” dhe të lojës së ndershme. Ndaj dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar shprehet se një ndeshje futbolli siç është ajo e Kombëtares tonë të futbollit dhe asaj të Serbisë duhet të shihet si e tillë, si një ndeshje futbolli dhe jo si një “ndeshje politike”.
Askush nuk duhet të mendojë se ajo është një sfidë ku ne duhet të shprehim dufin, apo inatin tonë, për t’u hakmarrë për padrejtësitë që na janë bërë një vit më parë në Beograd. Sporti përçon të tjera vlera dhe mbi të gjitha atë të RESPEKTIT për njëri-tjetrin, fjalë të cilën futbollistët e mbajnë të shkruar në fanellën e tyre. Ndaj respekti në fushë, në tribunë e gjetkë duhet të jetë në maksimum në këtë sfidë, për të mos rënë pre e provokimeve, euforisë apo ndjenjave të tjera që veçse mund të na prishin punë. Përgjigja që drejtësia sportive ndërkombëtare (CAS) i dha gjesteve huligane në Beograd, janë shembulli më i mirë se nëse sporti shihet si një betejë personale e politike do të dënohet.
Ndaj dhe ne, qytetarët e tifozët shqiptarë, që e duam flamurin e kombin tonë, të tregojmë atë qytetari që të tjerët nuk ditën ta bëjnë. Jemi shumë pranë realizimit të ëndrrës tonë më të madhe sportive, të shkojmë në një Europian dhe gjithçka varet nga ne dhe vetëm nga ne. Lojtarët kanë në fushë mundësinë të bëjnë ëndrrën tonë realitet, ndërsa ne, drejtues, trajnerë, sportistë e tifozë të sportit, kemi në dorë tifon, t’i mbështesim në stadium, sheshe dhe ekrane. Të gjithë duam të jemi në stadium, por edhe aty ku do të jemi ne u kemi dhënë lojtarëve në fushë zemrën tonë dhe jam i sigurt se ata 11 luanë që do të zbresin në fushë do të dinë si ta përdorin zemrën tonë. Besimin tonë. Ndaj të lëmë topin të rrokulliset dhe ne, tifozët, do të festojmë në stadium, sheshe apo kudo që do të ndodhemi, pasi nëse besojmë tek ata kuqezinj do të dimë të shijojmë fitoren. Nëse i mundim në fushë me lojë dhe në stadium me respektin që na karakterizon ndaj miqve, të enjten në mbrëmje do të themi se i kemi mundur dyfish. Ndaj “Forca Shqipëria”, për të bërë ëndrrën tonë realitet.
*President i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar