Mësoni Trumpishten në Tiranë!

Nga Linda Karadaku

Une nuk kam qenë fanse e Donald Trump, qoftë edhe për arsye krejt gjinore, do doja të shihja një grua presidente të fuqisë më të madhe të botës, qoftë edhe si simbolikë, qoftë edhe pse Clinton-ët kanë bërë shumë për në shqiptarët, qoftë edhe pse Hillary përfaqësonte diçka që e njohim, e dimë si funksionon dhe është brenda të parashikueshmes në këtë lloj bote që dimë dhe ku jemi adaptuar. Por kjo është dëshira dhe pritshmëria njerëzore, që në politikë nuk funksionon dhe nuk ka as rëndësi për fat të keq. Në politikë, vendimin e morën ashtu siç pritej amerikanët dhe Donald Trump është “The President”. Ajo që mbetet për tu parë, analizuar dhe adaptuar në këtë pjesën tonë të botës, është ku jemi dhe ku do të jemi në këtë situatë kaq të ndryshme, në këtë rend të ri botëror që po instalohet me shpejtësi dhe ku nuk e dimë ende qartë çfarë na ka paravendosur fati, qoftë ky shtetëror, kombëtar apo edhe thjeshtë njerëzor. Dhe për këtë ka një thënie të Trump, që jep “the way out”, rrugë-drejtim. “Ajo që dallon fituesit nga humbësit është si reagon një person ndaj çdo kthesë të re të fatit,” ka thënë presidenti I ri I Shteteve të Bashkuara.

Meqë në fatet e shteteve dhe kombeve nuk bëhet fjalë thjeshtë për një person, por për një komunitet të madh milionësh njerëzish, për ne është me rëndësi, si do të reagojmë ne të gjithë, veçanërisht politika jonë ndaj kësaj kthese të re të fatit. Ajo që dihet është se nuk do përshtatet Trump dhe as Amerika apo kushdo tjetër me ne, por ne me ata! Siç thoshte një analist I njohur në median gjermane, që kancelarja duhet të mësojë Trumpishten, edhe ne nuk kemi ndonjë alternativë tjetër, përveçse të mësojmë Trumpishten! Sado e vështirë që të jetë! Mjafton të shohim dekretet e para presidenciale të presidentit të ri për të parë nga po shkojnë politikat e fuqisë së madhe të botës, ndërkohë që neve në Shqipëri, na pret një zgjedhje e madhe elektorale që përcakton pushtetin për katër vitet që vijnë (që duhet të mësojë dhe të ndjehet komod me Trumpishten), në Kosovë, na pret një periudhë shumë e vështirë me Serbinë, që gjithashtu duhet të mësojë Trumpishten, po kështu në marrëdhëniet me Maqedoninë, Greqinë apo BE-në dhe Evropën.

Ne në Shqipëri nuk mund të sillemi sikur nuk kuptojmë apo nuk shohim këtë ndryshim radikal në politikën amerikane, as të sillemi sikur ky ndryshim nuk na prek apo nuk do të na ndikojë. Thjeshtë nuk është ky realiteti. Realiteti është që bota po hyn me shpejtësi në një ndryshim radikal të fatit të vet dhe politika jonë e ka për detyrë, morale dhe politike që të adaptojë politikat në varësi të këtij ndryshimi, për të na dhënë garanci ne të tjerëve, qytetarëve të këtij vendi. Kjo nuk ka të bëjë fare me deklaratat që ndryshimi në Shtetet e Bashkuara do të sjellë në pushtet opozitën në Shqipëri, sepse nuk funksionon kështu rrota e fatit, ka të bëjë me adaptimin e cilitdo krah të politikës shqiptare me këtë rend të ri  dhe me këtë lidership të ri në Amerikë. Kjo do të thotë që të kemi kontaktet e duhura, njerëzit e duhur, lobimin e duhur që Shqipëria dhe shqiptarët të mbeten në sferën amerikane, perëndimore dhe të kenë vëmendje, për aq sa mund të kemi për peshën tonë, në administratën e re. Kjo nuk ka të bëjë me histerinë e kush humbi dhe kush fitoi dhe shpresat utopike për përmbysje në Tiranë. Ashtu si zgjedhjet amerikane u fituan dhe u humbën në Amerikë, edhe zgjedhjet shqiptare fitohen dhe humben në Shqipëri.

Por kjo nuk përjashton dhe as nuk ka lidhje me rëndësinë e përshtatjes së politikës sonë me ndryshimet e mëdha që po ndodhin në politikën amerikane dhe botërore. Më kujtohet një shembull, që tregon se sa mund të bëjnë njerëzit për vendin e vet. Kontesha polake Marie Walewska, u bë e dashura e perandorit francez Bonaparte, në “një sakrificë të plotë”, siç thotë ajo vetë, “per arsye totalisht patriotike”. “Sakrifica” që kërkohet në Tiranë është shumë më e lehtë, adaptim me administratën e re dhe politikat e saj dhe kontakte sa më të afërta me Washingtonin e ri, gjithçka në interes të shqiptarëve. Dhe kushdo që e ka bërë dhe po e bën këtë, nuk po bën asgjë më shumë sesa detyrën më patriotike ndaj vendit, kushdo qoftë ai! (Javanews)

SHKARKO APP