Meta: Mesazhet nga SHBA janë të qarta. Koalicioni funksionon normalisht

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ka përshëndetur sot publikisht rezolutën e miratuar nga Parlamenti Evropian për Shqipërinë, teksa shtoi se ky dokument kërkon finalizimin e reformave të ndërmarra.

Sipas tij, ky është një inkurajim për Shqipërinë, pasi njeh progresin e deritanishëm të saj, sikundër edhe ka falenderuar eurodeputetët Fleckeinstein e Kukan.

Më tej, i pyetur nga gazetarët, kryeparlamentari Meta tha se koalicioni PS-LSI funksionon normalisht.

Ndërsa lidhur me vizitën e kryeministrit Edi Rama në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai u shpreh se ky është një tregues i partneritetit strategjik i vendit tonë me SHBA-të. “Mesazhet nga Uashingtoni janë të qarta. SHBA mbështet reformat dhe thellimin e tyre”, u shpreh Meta.

 

Prononcim i plotë për mediat i Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta

Së pari, dëshiroj të përshëndes vizitën e suksesshme të Kryeministrit Rama në Washington dhe takimet me Presidentin Obama dhe zv.Presidentin, Biden.

Kjo vizitë është demonstrim i qartë i partneritetit strategjik që Shqipëria ka me SHBA dhe konfirmim i qëndrueshmërisë së politikës tonë të jashtme, angazhimin në luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe rolit konstruktiv të Shqipërisë në rajon.

Mesazhet e vizitës janë të qarta. SHBA mbështet rrugën e reformave dhe bën thirrje për thellimin e tyre, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.

Përshëndes miratimin e Rezolutës për Shqipërinë nga Parlamenti Evropian dhe falënderoj në mënyrë të veçantë reporteret për Shqipërinë në PE, Fleckenstein dhe Kukan, për rolin konstruktiv dhe mbështetjen e dhënë.

Rezoluta njeh progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në kuadër të reformave dhe 5 prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave.

Rezoluta është një inkurajim për Shqipërinë, Kuvendin, Qeverinë dhe të gjitha institucionet për të vazhduar dhe thelluar reformat dhe përmbushur pa vonesë miratimin e reformës në drejtësi.

Rezoluta kërkon implementimin e reformave.

Është përgjegjësi e klasës politike ta lexojë në mënyrën e duhur rezolutën, e cila duhet të jetë një udhërrëfyes dhe të bashkojë palët për çuarjen përpara të reformave dhe hapjen e negociatave.

Rezoluta është një thirrje për të lënë mënjanë diferencat dhe retorikën e panevojshme dhe të fokusohemi në prioritetet madhore.

Me këtë rast, përshëndes vendimin e Partisë Demokratike për t’i dhënë fund marrëdhënies së kushtëzuar me Parlamentin dhe besoj në angazhimin konstruktiv të të gjitha palëve për çuarjen përpara të reformave madhore për vendin.

Meta, ju vlerësuar si shumë pozitive vizitën Kryeministrit Rama më SHBA, por dy ditë më parë DASH ka publikuar raportin për Shqipërinë ku cilëson se korrupsioni është shtrirë në të gjitha hallkat. Si e vlerësoni ju këtë raport…?

Çdo kritikë dhe çdo sugjerim do të lexohet me vëmendje. Besoj se thellimi i reformave do të ndihmojë për të adresuar të gjitha këto shqetësime edhe të shprehur në raportin e Departamentit të Shtetit.

Meta, a ka një ftohje brenda koalicionit kur LSI-ja ka dërguar disa letra në drejtim të kryeministrit Rama dhe nuk ka marrë ende një përgjigje. Ka disa çështje të cilat i ka ngritur me shqetësim LSI-ja brenda koalicionit?

Mendoj se koalicioni funksionin shumë normalisht dhe në mënyrë demokratike.

Meta kur mund t’ju shohim edhe juve në një vizitë në Washington?

Kam qenë dhe do të jem pa asnjë diskutim, por më e rëndësishme, jam i bindur është të ecim përpara me reformën në drejtësi dhe ju e dini qëndrimin e LSI-së që është një qëndrim shumë i qartë në këtë drejtim.

Dhe së dyti, do të përshëndesja dhe dhënien fund të marrëdhënies të kushtëzuar me parlamentin nga ana e Partisë Demokratike, gjë që besoj do të shërbejë si premisë pozitive për t’u bashkuar të gjithë së bashku, sa të jetë e mundur, për ecurinë e reformave me ritmin e duhur.

 

SHKARKO APP