Meta: Për mua nuk ka fare rëndësi rezultati i zgjedhjeve

 

 

Nga Ilir Meta

Mendova të flas disa fjalë, fare pak për hekurudhat nën shembullin e kolegëve më parë dhe jo shumë për çështjen tjetër për arsye, sepse mendoj që është një seancë e rëndësishme për të dhënë një mesazh të rëndësishëm përgjegjësie, përsa i takon zgjedhjeve të 21 qershorit.

Së pari sa i takon çështjes së hekurudhave, pata kënaqësinë para pak ditësh së bashku me Ministrin e Transporteve dhe Infrastrukturës si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Hekurudhave dhe me kolegë të tjerë të inauguronim një investim modest, por mjaft të dobishëm për mjaft qytetarë që udhëtojnë me tren sidomos për studentët apo për ata, të cilët i lidh shumë shkolla dhe puna midis Durrësit dhe Tiranës. Por mbi të gjitha mendoj se vëmendja tek mbështetja për sistemin hekurudhor është shumë e rëndësishme për të vitalizuar gjithë ekonominë tonë dhe për të zhvilluar të gjitha kapacitet e vendit tonë si një vend me një pozicion strategjik për të luajtur një rol të rëndësishëm midis disa korridoreve.

Por çështja më e rëndësishme për të cilën dola është ajo që ka të bëjë me standardin e zgjedhjeve të 21 qershorit, duke qenë se shoh mjaft nervozizëm. Dhe meqenëse shoh mjaft nervozizëm, dhe të tepërt mendoj unë, do ta filloja nga vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë meqenëse u bë dhe një pyetje nga deputeti i nderuar z. Hoxha. Unë e kam dënuar aktin e dhunës ndaj deputetit Strazimiri nga dy kolegë të mazhorancës dhe Byroja ka marrë ato masa që ka Rregullorja e Kuvendit.

Ne kemi vepruar në mënyrën më transparente në raport me organet e drejtësisë dhe me Prokurorinë. Ka ikur koha kur ndërhyhej tek serverat për të fshirë pamjet. Çfarë ka kërkuar Prokuroria i ka marrë. Nuk kam qenë dakord me ekspozimin e atyre pamjeve, sepse nuk është në të mirën mendoj të gjithë imazhit të politikës sonë. Megjithatë, ndoshta edhe një përkeqësim i imazhit le të na shërbejë ne për të qenë më të ndërgjegjshëm në të ardhmen. Dje kemi pasur një vendim të Gjykatës së Lartë. Unë nuk jam këtu për të komentuar vendimin e Gjykatës së Lartë. Në radhë të parë duhet ta lexojmë atë. Në rast se do të gjykojmë se për raste të tilla duhet të jetë Parlamenti ai që duhet të marrë sanksione më të forta, ejani me konsensus të bëjmë ndryshime të Rregullores, sepse në gjykimin tim, Rregullorja ka masa mjaft minimale për raste të tilla.

Por ajo që është më e rëndësishme mendoj unë, është provokimi i panevojshëm i tensionit në këtë sallë dhe përpjekja për ta përçuar këtë tension artificial tek qytetarët tanë kudo anembanë vendit dhe sidomos tani në prag të zgjedhjeve. Nuk do të merrem fare me këtë çështjen e miellit. Ministri i Bujqësisë është i gatshëm në çdo moment që një deputet apo një grup parlamentar ka një pretendim se dikujt i është cenuar aktiviteti i tij për arsye politike, është i gatshëm që të vijë këtu të japë llogari me dokumente,me transparencë të plotë përpara deputetëve, përpara opinionit publik, dhe kjo nuk është çështja ime.

Çështja e standardit të zgjedhjeve është një çështje e përbashkët. Është hedhur shumë baltë këtu mbi Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe mbi mua personalisht. Nuk habitem, nuk shqetësohem. Të gjithë kanë sondazhet e tyre dhe e kuptoj që nuk kanë gjë me mua, e kanë me sondazhet. Por unë mendoj që kemi detyrë të gjithë, derisa flasim për forcim të shtetit ligjor, që të vëmë të vëmë në lëvizje mekanizmat e shtetit ligjor. Sepse dëshira për të baltosur zgjedhjet, në të shumtën e rasteve pa arsye dhe pa fakte nuk është në të mirën e askujt, dhe besoj unë, as edhe të vetë opozitës. Dhe jo vetëm kaq, por kam shqetësim se në këtë mënyrë opozita pa dashje po dekurajon shumë nga përkrahësit e saj që të marrin pjesë në votime dhe pa dashje po lë në baltë jo pak nga kandidatët e saj, të cilët synojnë për të fituar dhe një pjesë e mirë kanë lënë dhe mandatin e deputetëve, duke aspiruar për t’u bërë kryebashkiak në zona të ndryshme të vendit.

Tani të vijmë tek akuzat. Sot dëgjuam një shqetësim të madh pse paska dalë një spot kundër blerjes së votave, që është edhe më i thellë se kaq. Është një apel për çdo qytetar shqiptar që të mbrojë votën e vet dhe jo vetëm të mos e shesë, por dhe të denoncojë cilindo që synon ta bëjë këtë gjë apo ta deformojë me mënyra të tjera. Para një jave dhe para dy javësh, kritikoheshim pse nuk i bashkoheshim apelit që t’i bënim qytetarëve shqiptarë që të dënonin këtë fenomen të shëmtuar. Unë vërtet shpreh keqardhjen që ne duke dashur të justifikojmë rezultatin që paragjykojmë, pa dashje, dëmtojmë edhe klimën zgjedhore, por dhe nuk ndihmojmë që këto fenomene të goditen realisht.

Kam dëgjuar këtu se po bëhet kjo gjë dhe ajo gjë. Një ditë kam parë në Rilindjen Demokratike një fotografi të një personi që pretendohet se ishte në një zyrë të LSI-së në Shkodër, por pa emër, pa gjë. Kam takuar Sekretarin e Përgjithshëm të LSI-së, z. Luan Rama dhe i kam kërkuar duke marrë gazetën Rilindja Demokratike të bëjë padinë në gjykatë, gjë që është bërë prej kohësh në mënyrë që kjo çështje të hetohet dhe të gjykohet. Në rast se ekziston ky person real bazuar në foton e botuar nga Rilindja Demokratike duke bërë shit-blerje vote të dënohet dhe do të ketë mbështetjen time më të plotë drejtësia për ta dënuar në mënyrë shembullore, por në rast se është një fotomontazh pastaj kjo është një çështje tjetër.

Kam parë në një gazetë të pavarur para disa ditësh një foto tjetër të botuar për një person që merrte para apo ndante para në një zyrë të shtabit të kandidates së PD-së në Shkodër. Nuk e di a është foto e vërtetë, a është fotomontazh, do të ishte shumë mirë që edhe kjo të shkonte në Gjykatë apo të shkonte në Prokurori dhe të verifikohej.

Isha pak ditë më parë në Shkodër dhe duke folur me Prefektin e Shkodrës, një personalitet shumë simpatik, Paulin Radovani, edhe ky i LSI-së i thashë: Ore po kur dilni në televizor dhe ju pyesni për këto punët e xhinseve etj., që thotë Doktori se ndan LSI-ja në Shkodër si ia bëni? Më tha: Unë e kam dhënë përgjigjen time, kam thënë që më vjen keq se si e mendon Partia Demokratike që qytetarët e vendit të dytë më të zhvilluar në Europë pas Gjermanisë mund të shesin votën për një palë xhinse apo më keq për të palë të brendshme sipas Doktor Berishës. Nuk e di a ka të drejtë z. Radovani, por unë mendoj që duhet t’i japim fund një herë e mirë maskaradave të shpifjeve.

Për mua nuk ka fare rëndësi rezultati i zgjedhjeve, për mua ka rëndësi standardi i zgjedhjeve. Keni ngritur vetëm një pretendim të drejtë në raport me mua deri tani, pretendimi i z. Patozi para dy javësh se ishte një foto e imja në Vorë, që unë nuk e dija dhe që sipas tij nuk ishte normale, sepse nuk kandidoja unë. Kam shkuar dy herë për ta bindur personin që e kishte vënë në një objekt privat për ta hequr thjesht në respekt të një shqetësimi që ngriti z. Patozi. Është një shqetësim pse ka flamuj të LSI-së, edhe unë nuk do të kisha dëshirë të shikoja shumë flamuj, sepse nuk mendoj që flamujt shtojnë përkrahjen dhe votat, sidomos kur nuk vendosen edhe në një mënyrë etike. Dhe natyrisht që ka sjellje spontane të aktivistëve të ndryshëm dhe unë do t’iu sugjeroja t’i rrallojnë sa të kenë mundësi flamujt deri më 21 qershor. Dhe do ta quaja si një vërejtje të drejtë. Por në rast se dikush do të ngrinte shqetësimin për ngjyrën e flamurit të LSI-së këtë gjë nuk e ndryshojë dot, sepse ngjyra e kuqe është një ngjyrë mendoj unë shumë e vërtetë dhe sfidante.

Pra me pak fjalë kemi 8-9 ditë deri në zgjedhjet e 21 qershorit, të mos e kthejmë këtë në një betejë kaq të rëndësishme. Le të kthejmë vëmendjen te propozimet tona për qytetarët shqiptarë. Le t’i japim mundësi të zgjedhin më të mirët, sepse është shumë e rëndësishme data 21 qershor, jo se kush do të zgjidhet dhe sa do të fitojnë këtej apo sa do të fitojnë andej. Por kjo është e rëndësishme, sepse do të fillojë zbatimi për herë të parë i një reforme madhore, një reforme të vështirë dhe unë për këtë qëllim kam folur edhe me Ministrin për Çështjet Vendore, z. Çuçi në mënyrë që ata duhet të jenë gjithashtu të përgatitur për të gjitha aktet nënligjore që të mos kemi asnjë lloj vakumi në qeverisjen e re vendore sipas bashkive të reja.

Dhe shpresoj që ky të jetë preokupimi dhe shqetësimi ynë kryesor dhe njëkohësisht do të ftoja përfaqësuesit e opozitës, të cilët kanë marrë edhe lidershipin e Këshillit Kombëtar të Integrimit, që pavarësisht nga shqetësimet që ata kanë për zgjedhjet për standardin e zgjedhjeve dhe për çështje të tjera të rëndësishme për ta dhe për të gjithë ne, të vazhdojnë të shtojnë kontributet e tyre në këtë drejtim sepse zgjedhjet do të bëhen më 21 qershor, por mendoj se pas zgjedhjeve procesi i integrimit kërkon impenjime më të mëdha dhe shpresojmë që opozita të tregojë edhe ajo lidershipin e saj në këtë proces që është shumë i rëndësishëm për të gjithë vendin tonë.

Fjalimi në Kuvend

SHKARKO APP