Miliona vende pune të kërcënuara nga industria 4.0?

Bota e punës ndodhet para një shndërrimi gjigand: makinat dhe objektet flasin me njëri-tjetrin dhe futen në rrjetin e fabrikave inteligjente. Po njeriu, ku mbetet? Në forumin ekonomik në Davos u bënë prognoza të errëta.

“Ne ndodhemi në fillim të një revolucioni, si pasojë e të cilit, mënyra si jetojmë, punojmë dhe veprojmë me njëri-tjetrin do të ndryshojë në mënyrë rrënjësore”, tha organizatori i Forumit të Davosit Klaus Schwab. Fjala është për Industrinë 4.0 – pra për prodhimin e drejtuar nga kompjuterat, të automatizuar plotësisht dhe të lidhur në rrjet, dhe me përhapjen gjithnjë e më të madhe të teknologjisë edhe në sektorin e shërbimeve – për shembull përmes robotëve.

Madje edhe ekonomistë liberalë të tregut shprehen ndërkohë me tone serioze. Industria 4.0 do të ketë pasoja negative në tregun e punës – ky është rezultati i një sondazhi mes menaxherëve në 15 vende. Sipas sondazhit, teknologjitë në pesë vitet e ardhshme mund të eleminojnë shtatë milionë vende pune. Kjo prek jo vetëm vende pune në fabrikat e automatizuara plotësisht, por këtë herë prek edhe punonjësit e administratës dhe sektorin e shërbimeve. Këshilltarë investimesh, infermierë apo shoferë taksish – të gjithë këta konkurojnë me teknikën. Sipas një informacioni ekskluziv të gazetës “F.A.S” do të krijohen vende të reja pune para së gjithash për specialistë kompjuterash dhe teknike. Por do të krijohen vetwmw dy milionë vende të tilla – gjë që si rezultat është e barabartë me pesë milionë vende pune më pak deri në vitin 2020.

Faza papunësie

Shanse të mëdha për rritjen ekonomike me industrinë 4.0Shanse të mëdha për rritjen ekonomike me industrinë 4.0

Thirrje të tilla ogurzeza nuk janë të reja. Sa herë që bota ndodhet para një shndërrimi teknologjik, frika nga papunësia masive është e madhe. Që në industrializimin e shekullit të 18-të, ekonomistët debatuan për pasojat në tregun e punës. Futja e teknologjive të reja në përpunimin e tekstilit dhe në bujqësi u pasua me të vërtetë me pushime masive nga puna. Zanatçinjtë dhe fshatarët u kthyen në punëtorë me mëditje në kushte shumë më të këqia. Në një kohë që makineritë morën përsipër punët më të thjeshta, u rritën shanset për profesione të specializuara.

Kjo tendencë vazhdon edhe me industrinë 4.0. Sipas Enzo Weber-it, shkencëtar në Institutit e Kërkimeve të Punës dhe Profesionit (IAB) në Nyrnberg, veçanërisht persona me kualifikime të ulëta do ta kenë më të vështirë që të gjejnë një vend pune. “Por ne shohim se mund të eleminohen vende pune edhe në sektorë që kërkojnë kualifikim të mesëm.” Bota moderne e punës kërkon para së gjithash akademikë, thotë ai.

Hannover Messe Highlights 2015

Por këto faza shndërrimesh nuk kanë vetëm aspekte negative. “Kur kemi përparim teknologjik, krijohen herë pas here edhe mundësi të reja, rriten investimet dhe krijohen alternativa të reja.” Por sfidat do të kenë të bëjnë qartësisht me kualifikimin e personelit të nxjerrë prej makinerive nga puna. “Puna nuk na ka mbaruar kurrë”, megjithatë, pas proceseve fundamentale ka gjithmonë periudha të shkurtra papunësie. Një studim i IAB i tetorit 2015 parashikon në këtë kuadër eleminimin e 60.000 vendeve të punës në Gjermani, vitet e ardhshme.

Askush nuk ka dyshim se Industria 4.0 do të sjellë shumë më tepër para në arka – çështja që shtrohet është vetëm për kë? Ka propozime që të rriten taksat ose të bihet dakord për të ardhura të garantuara bazë. Por vendimtare do të jetë se a do ta kundërshtojnë dot me sukses pronarët e makinerive tepër komplekse një rishpërndarje të pasurisë, mendojnë ekspertët.

SHKARKO APP