Milot, Milot – mirë se vjen!

Nga Enver Robelli

Zhurmë e madhe po bëhet pas vendimit të Milot Rashicës për të luajtur për Kosovën, për Kombëtaren e Kosovës, të cilën ndokush mund ta quajë përfaqësuese apo reprezentacion. Quajeni si të doni: Kosova si shtet është realitet, jo subjekt i përkohshëm juridik. Edhe nëse një ditë bashkohet me Shqipërinë apo Maqedoninë shqiptare, Kosova do të vendosë për këtë me vullnetin e vet dhe jo si «krahinë» e kontestuar nga Serbia dhe Shqipëria.

***

Futbollisti Milot Rashica ka vendosur të luajë për Kosovën dhe ky nuk është kurrfarë krimi. Është vendim racional. Rashica luan aty ku ndihet rehat. Ta quash tradhtar Rashicën, siç bën gazetari tiranas Andi Bushati me një mendjelehtësi frikësuese, lëre që është budallallëk i nivelit më të ulët, por mbase edhe shenjë e një mjegullie mendore verore. Shqiptarët e Kosovës, sipas kësaj logjike jologjike, na qenkan të mirë vetëm nëse i shërbejnë Shqipërisë – dhe qenkan tradhtarë nëse luajnë për shtetin e dytë të dominuar nga shqiptarët, për Kosovën, dhe e braktisin «shtetin amë», flamurin kombëtar, himnin (me muzikë të vjedhur nga Rumania)? A mund të kërkojmë pak shërbim në favor të Kosovës nga Shqipëria? Apo një kërkesë e tillë është e turpshme? A mund ta heqim fjalën «tradhtar» nga diskursi publik? Mundemi. Duhet. Patjetër. Që Milot Rashica tash do të luajë për Kosovën, nuk ka të bëjë asgjë me tradhti, por – po e përsërisim! – me një vendim racional.

***

Edhe nëse e ke emrin Milot – luaj për Kosovën!

Edhe nëse e ke emrin Vlora – luaj për Kosovën!

Edhe nëse e ke emrin Saranda – luaj për Kosovën!

Edhe nëse e ke emrin Shkodran – luaj për Kosovën!

Edhe nëse e ke emrin Përmet – luaj për Kosovën!

Licencat për patriotizëm nuk lëshohen në Tiranë, sidomos jo prej ndonjë kalemxhiu të etur për protagonizëm virtual! 100 vjet shtet – dhe prapë ajo që quhet «Shqipëri londineze» nuk arriti të kualifikohet në asnjë turnir të rëndësishëm botëror – për shkak të kriminelëve që e sunduan. (Për këtë nuk duhet fajësuar shumicën e shqiptarëve të shtypur nga Vermoshi në Konispol). Ishin shqiptarët e diasporës që e çuan ekipin e Tiranës në Kampionatin Europian të Futbollit! Kjo nuk është në radhë të parë meritë e futbollistëve shqiptarë me origjinë nga Kosova, por e shteteve perëndimore që i bënë profesionistë këta lojtarë, madje Perëndimi përkrahu aq shumë talente, saqë prej tyre përfitojnë Zvicra, Shqipëria dhe Kosova. Shikojeni pak esëll këtë punë zhurmues medialë dhe virtualë!

***

Si në vitet ’90, ashtu edhe në vitin 2016 të vetmet shkrime nga shtypi i Tiranës që merren seriozisht në Kosovë janë ato të Mero Bazes dhe ndonjë gazetari të ri që shkruan pa paragjykime dhe racizëm ndërshqiptar. Do të donim të kishte në Tiranë më shumë gazetarë që i kuptojnë zhvillimet në Kosovë dhe jo të neveritemi pothuaj çdo ditë nga grindavecët medialë, të cilët i njohim si paranë e kuqe. Ben Blushi, i cili sot përdridhet si nacionalist, në vitet ’90, ende pa u sqaruar asgjë rreth sulmeve në stacionet e policisë në Skenderaj e Podujevë, ngulmonte se janë sulme terroriste, madje i quante sulme terroriste të stilit korzikian. Vladimir Prela, përndryshe përfaqësuesi i parë i Tiranës në Kosovën e çliruar, në vitet ’90 filozofonte për ndarjen e Kosovës, sepse, sipas tij, Kosova ishte «lëkurë leopardi» për nga përbërja kombëtare! Sikurse Bosnja. Një artikull me iniciale në mediat e Tiranës thoshte se Kosova duhet të ndahet: 40 për qind serbëve dhe 60 për qind shqiptarëve. Gazetari Frrok Çupi kërkonte të «ndëshkohet çdo akt terrorist». Ai e kishte fjalën për «terrorizmin kosovar», jo terrorizmin shtetëror serb që e bëri kasaphane tërë ish-Jugosllavinë.

***

Le t’i japim në rendin e tyre listën e tezave me të cilat manipulohej dhe manipulohet në Tiranë që nga fillimi i viteve ‘90: nuk ekziston Republika e Kosovës; Kosova më së shumti do ta ketë «autonominë e gjerë»; ekziston «lideri i shqiptarëve», jo kryetari; «kosovarët» janë terroristë; «kosovarët» janë fundamentalistë; «zgjidhja më praktike» është «ndarja e Kosovës»; shqiptarët Republikës së Kosovës duhet të quhen sa më dendur «kosovarë» dhe sa më pak shqiptarë; «kosovarët» janë fajtorë që erdhi në pushtet «regjimi i Berishës»; Kosova në përbërjen e saj etnike është «lëkurë leopardi»; dialogun e ofrojnë serbët, e mohojnë «kosovarët»; Serbia ka 10 milionë banorë (në këtë 10 milionësh janë llogaritur edhe dy milionë shqiptarë), sipas «Koha jonë», 16 gusht 1996. Pra, sot 20 vjet!

***

Çfarë mbetet të thuhet nga këndvështrimi kosovar? Nuk do të gjeni asnjë shkrim në shtypin e Kosovës që fyen Shqipërinë në mënyrë paushale. Do të gjeni tekste që shkëlqejnë nga entuziazmi sidomos për Shqipërinë jugore. Do të gjeni futbollistë që luajnë për ekipin e futbollit të Shqipërisë përkundër korrupsionit të thellë që dyshohet se ka lëshuar rrënjë në Federatën Shqiptare të Futbollit. Do të gjeni shqiptarë të lindur jashtë Shqipërisë që e duan Kosovën për shkak se e duan edhe Shqipërinë. Nuk ka këtu asnjë kundërthënie. Rrjedhimisht, Milot, Milot – mirë se vjen!

SHKARKO APP