Minishengeni ballkanik, makroshengeni shqiptar dhe çështja kombëtare e pazgjidhur e shqiptarëve
Nga Roland Qafoku-
Albin Kurti dhe Edi Rama u takuan pardje në Tiranë për herë parë si kryeministra të dy shteteve shqiptare në Ballkan, takim nga i cili një gjë u kuptua qartë: Nuk do të jenë pikërisht ata dy liderët që do të bashkojnë Kosovën me Shqipërinë. Unë jam besimplotë që një ditë kjo do ndodhë, por “shiritin” e bashkimit të madh nuk do ta presin Kurti dhe Rama. Takimi i 11 shkurtit në Tiranë që përkonte me 100-vjetorin si kryeqytet i qendrës së rëndesës së trojeve shqiptare, në vend të ishte starti i një ere të re, ishte i denjë për të përdorur shprehjen e famshme në romanin “Koncert në fund të dimrit” të Ismail Kadaresë, takimi nuk “kaloi në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore”. Gjithçka ishte e shoqëruar me tension të hapur, gjë që kuptohej qartë nga deklarimet kundërshtuese, por më shumë se kaq nga tendosja e vetullave të Edi Ramës dhe mungesa e mimikës së Albin Kurtit para kamerave. Gjuha e trupit i bëri ata të dukeshin publikisht armiq politikë pikërisht për çështjen më kardinale të kombit shqiptar, çështjen kombëtare shqiptare.
Në karrierën e tyre të dy janë ata që kanë shënuar gjëra të rëndësishme të cilat janë bërë për herë të parë në historinë e kombit shqiptar: Albin Kurti është i pari politikan shqiptar që në programin e partisë së tij politike Vetëvendosje vendosi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe Edi Rama është i pari politikan që ka deklaruar në mes të Beogradit dhe në gjuhën shqipe se Kosova është e pavarur dhe se ky është një realitet i patjetërsueshëm. Të dy politikanët mund të mburren për këto. Ata mund ta kenë në mendje si qëllim këtë bashkim, por në rastin më të mirë ata tashmë janë dy konkurrentë të fortë politikë në dy shtete shqiptarësh dhe në rastin më të keq rrugët që çojnë në këtë bashkim janë të ndryshme.
Deri në vitin 2013 kur ishin të dy në opozitë, dukeshin si “shokë grupi”, por ndryshe ishin takimet më shumë për qejf në plazhin e Jalës me shoqatat panshqiptare dhe ndryshe është të kesh mbi supe qeverisjen e shqiptarëve. Takimi i të martës u nxori në pah pesë divergjenca të forta që lënë të kuptosh se mes dy liderëve jotradicionalë në Kosovë dhe Shqipëri nuk mund të ketë kurrë një “sweet harmony” sa të jenë ata duke konsumuar mandatet qeverisëse. Mes Kurtit dhe Ramës kanë zënë rrënjë pesë divergjenca të thella që ndonëse ata vetë nuk i pranojnë publikisht, tashmë ato kanë dalë mbi ujë:
Divergjenca e parë: Albin Kurti e ka shprehur hapur që punon dhe do të punojë të bashkojë Kosovën me Shqipërinë. Madje, në këtë projekt ai nuk lë pa përfshirë edhe Luginën e Preshevës, trojet shqiptare në Malin e Zi, ato të Maqedonisë dhe Çamërinë. Edi Rama nuk e ka thënë kurrë hapur që do të bashkojë Kosovën me Shqipërinë, por të paktën publikisht ka deklaruar se ky bashkim do të jetë integrimi në Bashkimin Evropian.
Divergjenca e dytë: Albin Kurti është kundër minishengenit ballkanik dhe është për reciprocitetin me Serbinë. Kurti ka një kusht të madh për Serbinë, atë që duket të ketë Edi Rama është pro minishengenit Ballkanik dhe po e luan këtë si një kartë të fortë që sipas tij mbështetet nga BE.
Divergjenca e tretë: Albin Kurti është kundër pikëpamjeve të SHBA-së për një shkëmbim të mundshëm territoresh nëse vetë serbët dhe shqiptarët bien dakord. Të paktën kjo u bë publike rreth një vit më parë, ishte teza më e diskutuar. Edi Rama është pro pikëpamjes së SHBA-së për shkëmbim territoresh, por kjo asnjëherë nuk është thënë publikisht.
Divergjenca e katërt: Albin Kurti mbështet pikëpamjen e Kancelares Merkel, sipas të cilës nuk duhet të ketë shkëmbime territoresh mes Serbisë dhe Kosovës. Edi Rama është kundër pikëpamjes së Kancelares Merkel, ndonëse këtë nuk e ka deklaruar hapur, por e ka lënë të nënkuptohet.
Divergjenca e pestë: Albin Kurti është kundër heqjes së taksës ndaj mallrave serbe. Edi Rama është pro heqjes së taksës së Kosovës ndaj Serbisë.
E gjithë kjo përmblidhet në ato dy fraza të forta që dy liderët e dy shteteve shqiptare dhanë për median gjatë takimit dhe që treguan se janë shumë larg njëri-tjetrit: Albin Kurti kur tha: “Takimi ynë i parë ishte më parë për makroshengenin shqiptar sesa për minishengenin ballkanik” dhe Edi Rama kur tha: “Nuk ka marrëveshje Shengen shqiptar pa minishengen ballkanik”.
Ky moment tregoi qartë se Shqipëria dhe Kosova nuk janë gati të përziejnë mes tyre tezat për bashkimin kombëtar. Ironia është se kjo ndodh pikërisht tani kur askush nuk është pengesë për këtë bashkim, po jemi ne që nuk jemi afër njëri-tjetrit. Por çfarë po ndodh? Përse shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët? Përse duken sikur janë ndarë si dy kokat e shqiponjës dhe ky simbol na ndjek nga thellësia e shekujve dhe nuk na ndahet?
Përtej dyshimeve personale të Albin kurti dhe Edi Ramës ajo që është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër në të gjithë historinë e raporteve shtetërore Kosovë-Shqipëri është çështja e pazgjidhur e shqiptarëve në trojet e tyre. Personalisht ruaj konkluzionin se pikërisht kjo është arsyeja madhore e divergjencave, konflikteve e deri te mungesa e gjuhës së përbashkët mes liderëve politikë në të dyja anët e kufirit shqiptar. Pa u zgjidhur plotësisht çështja kombëtare e shqiptarëve, nuk mund të ketë asnjë nismë mini, mikro, maksi, makro në hapësirën e Ballkanit Perëndimor.
Pavarësimi i Kosovës më 17 shkurt 2008 vërtet është arritja e dytë më e madhe pas pavarësimit të Shqipërisë më 28 nëntor 1912, por ajo kurrë nuk e mbyll dhe e quan të zgjidhur çështjen kombëtare shqiptare. Pikërisht këtu duhet të jetë thelbi i të gjithë kësaj që ndodh në Shqipëri dhe Kosovë. Kush e quan të mbyllur këtë histori, gabon, siç u gabua edhe përgjatë një shekulli. Pavarësia e Kosovës nuk mund të quhet si zgjidhja më e kompletuar e mundshme e problemit kombëtar shqiptar. Edhe në vitin 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër çështja shqiptare u quajt e mbyllur. U quajt po e mbyllur edhe në Konferencën e Paqes në Paris 1919. U quajt e mbyllur edhe në Konferencën e Paqes në Paris në 1946. Por realiteti është se çështja shqiptare jo vetëm nuk u zgjidh, por cilësohet më e neglizhuara nga Fuqitë e Mëdha.
Përgjatë një shekulli tokat shqiptare janë trajtuar si tokë e askujt dhe ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë serbët kryen gjenocidin e dytë më të rëndë në historinë e botës moderne pas gjenocidit të kryer nga gjermanët ndaj hebrenjve. Dhe të mendosh që ndërsa qeveritarët gjermanë kanë 7 dekada që përsërisin çdo vit fjalën “më fal”, serbët nuk e kanë as në mendje këtë frazë, e jo më ta kenë shqiptuar. E pavarësisht kësaj, i kërkojnë Kosovës heqje takse, minishengen e të tjera e të tjera.
Sa për arbitrat e Evropës, le ta marrim të mirëqenë se Shqipëria është anëtare e BE-së, por pyetja e madhe është: A quhet e zgjidhur çështja kombëtare shqiptare me këtë anëtarësim? Pjesëmarrja në klubin e BE-së kurrsesi nuk do të thotë automatikisht zgjidhje e çështjes kombëtare shqiptare. Në historinë e Ballkanit nuk ka asnjë shtet tjetër si Shqipëria dhe shqiptarët që t’i jenë bërë kaq shumë padrejtësi. Dhe ironia vazhdon se në çështjen shqiptare nuk është vetëm bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Në çështjen shqiptare ka edhe çështje shqiptaro-serbe, shqiptaro-malazeze, shqiptaro-greke dhe shqiptaro-maqedonase. Prandaj, si zgjidhje e të gjithë kësaj dileme madhore është si fillim bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, më pas anëtarësimi në BE dhe më pas akoma, zgjidhja e plotë e çështjes shqiptare me shtetet fqinje. Më qartë se kushdo këtë variant që për disa është ëndërrimtar e ka thënë vetë Albin Kurti në një intervistë që unë i kam marrë në vitin 2010:
“Rrudhja e trevave shqiptare po vazhdon edhe sot e kësaj dite, edhe pse vazhdojmë të jemi të ndarë. Vetëm në një shekull kemi humbur gjysmën e territorit që popullojmë. 4 vilajetet shqiptare para 100 vjetëve kanë pasur 92 mijë kilometra katrorë. Sot Shqipëria, Kosova, Maqedonia Perëndimore, Lugina e Preshevës dhe trojet shqiptare që janë në Mal të Zi janë rreth 46 mijë kilometra katrorë”.
Atëherë Albini ishte i ri. Ishte në opozitë dhe nuk kishte mbi shpatulla qeverisjen. Prova reale është tani. Të presim.
Fjala.al