Ministrat Koka, Haxhinasto dhe Nasip Naço sqarojnë: Jemi në LSI e jo në PS !
Duket se marrëdhëniet mes PS e LSI nuk janë në ditë të mira, në mos po përkeqsohen përditë për fajin e selisë rozë. Që prej datës 21 korrik kur Ilir Meta këmbënguli duke kërkuar patjetër edhe votat e PD për reformën duket se selia rozë po intrigon kundër LSI. E pazonja si forcë politike për të vazhduar qeverisjen pa Metën zyra kryeministrore shpërndan lajme dezinformacioni për të goditur partnerin e tij qeverisës. E mira e do se kur hyn në një marrëdhënie koalicioni krejt pakënaqësitë apo problemet i diskuton sy me sy. Nëse bindesh se nuk funksionon marrëveshja më mirë pranon prishjen e koalicionit, por edhe dorëzon çelësat e zyrës kreministrore e shkohet në zgjedhje. Sovrani-popull më pas vendos.
Ndaj edhe disa web-e të shpërndara me porosi, dhe pa porosi, dje sot japin sikur ministrat Lefter Koka, Edmond Haxhinasto, pa harruar edhe ish-ministrin Nasip Naço kanë marrë ofertë nga kryeministri Rama që të ikin nga LSI e të futen me Ramën ! Bile sipas tyre janë në negociata!
Për hir të informacionit dhe profesionalizmit redaksia e “Koha Jone” kontaktoi me telefon me ministrat e lartpërmendur.
I habitur ministri Lefter Koka tha se “Unë punoj 24 orë për të përmbushur detyrën time si ministër dhe punoj përditë për të shtuar votat për LSI-në”. Ndërsa Nasip Naço, ish-ministër Drejtësie sqaroi me humor se “tani është shumë nxehtë dhe duket u ka rënë në kokë dielli atyre që përhapin lajme të tilla, pasi të janë të denja për një natë dimri me raki skrapari. Nuk di të kem lëvizur nga LSI. Nëse të tjerët me paskan kaluar diku tjetër të ma thonë edhe mua!”.
Kurse batuta me e bukur ishte ministrit Haxhinasto, kur i pyetur se ka ftesë nga Rama për të kaluar në PS, siç janë përhapur disa lajme, ai tha me shaka se “Unë me Enverin nuk dijmë gjë!..”, batutë kjo e përdorur dikur në kohën e regjimit të Enverit.
Siç duket largimi i Blushit dhe Hafizit nga politika zyrtare e “Rilindjes” ka krijuar të çara të mëdha në PS dhe mundet të kënaqin veten me “lajme” se tre ministra po ikin nga Meta tek Rama.
Në morinë e web-eve apo mediave sociale tashmë ka plot “lajme”, porse në rastin në fjalë të tre ministrat u kontaktuan për të dëgjuar versionin e tyre zyrtar.