Ministri që ngatërrohet me shifrat e veta
Ministri edhe më rilindës se Kryerilindësi, Saimir Tahiri, u shfaq dje ngallënjyes mbi krimin. Policia e Rilindur i ka vënë poshtë kriminelët.
Ministri beri me dije se në vitin 2015 ndodhen vetëm 54 vrasje, numri më i ulët e rekord në 25 vite, ndërsa me treguesin prej 1.2 vrasje për 100 mije banorë kishim lënë pas mjaft vende të zhvilluara në Europë e Bote.
Sot, ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi se, nga burime brenda policisë, numri i vrasjeve për vitin 2015 ishte 136 ndërsa vetëm në gjashtëmujorin e dytë 2015 ky numër ishte 69.
Nuk di të them se cili prej të dyve jep shifrën e saktë e, meqë nuk e kam patur asnjëherë zakon të vë në dyshim shifrat zyrtare, edhe në këtë rast do të doja të besoja Ministrin dhe jo ish- Kryeministrin.
Besim deri në provën e kundërt ama, provë që ma dha vetë Ministri në të njëjtin fjalim ku shprehet se në vitin 2015 plagosjet e rënda janë ulur me 10% krahasuar me vitin 2014.
Kjo shifër më tërhoqi vëmendjen pasi, duke ndjekur muaj pas muaji statistikat e kriminalitetit që jepen në buletinin mujor të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me rezultonte në vazhdimësi se, për periudhën janar-shtator 2015, ndërsa numri i vrasjeve ishte ndjeshëm më i ulët se e njëjta periudhe e vitit 2014, numri i plagosjeve të rënda ishte ndjeshëm më i lartë ndërsa rezultonte një barazim statistikor i numrit të vrasjeve plus plagosjeve të rënda në këto dy periudha, rezultat ky që rrezon suksesin e pretenduar të qeverisë e policisë dhe vërteton përkujdesjen e perëndisë apo veprimin e rastësisë që plumbi, bomba, thika, sqepari, sëpata a lopata nuk kanë arritur në shume raste të shkaktojnë vdekje, por plagosje të rëndë.
Sa për sqarim, ndonëse është mbyllur viti 2015 dhe Ministri bëri raportin vjetor, në faqen e Ministrisë deri sot paradite buletini më i fundit ishte ai i shtatorit 2015 ndaj edhe analiza bazohet në të dhënat zyrtare deri këtë muaj, por kjo nuk pengon konkluzionin vijues.
Duke ju kthyer fjalimit të Ministrit e duke qenë i prirur të besoj shifrat zyrtare verifikova edhe njëherë, për siguri e një për një, të gjitha buletinet mujore, 23 gjithsej, që nga nëntori 2013 deri në shtator 2015. Shënimet e mia muaj pas muaji ishin te sakta e po kështu edhe llogaritjet.
Pretendimi i Ministrit për uljen me 10% të plagosjeve të rënda në vitin 2015 krahasuar me vitin 2014, bazuar në të njëjtin informacion zyrtar, nuk mund të jetë i vërtetë.
Nga këto buletine, gjatë gjithë vitit 2014, rezulton se ndodhen 136 raste me plagosje të rëndë. Sipas Ministrit, me 10% më pak, në gjithë vitin 2015 paskan ndodhur 122 raste me plagosje të rëndë. Nga po këto buletine, rezulton se për periudhën janar-shtator 2015 kanë ndodhur 143 raste me plagosje të rëndë.
A mundet që në 12 muaj e 2015 të kenë ndodhur 122 raste me plagosje të rëndë ndërsa në 9 muaj e parë të të njëjtit vit të kenë ndodhur 143 raste? A mundet që e tëra të jetë më pak se pjesa?
Meqë përgjigja është qartësisht JO mbetet, që ose buletinet e Ministrisë ia fusin kot ose Ministri ia fut kot e me kot.
Statistikat e kriminalitetit janë ndër të dhënat më të rëndësishme për çdo shtet. Ndaj, kjo situate absurde ka nevoje për sqarim të plotë, të saktë e të menjëhershëm.
Deri në qartësimin e shifrave analiza e kriminalitetit të çdo lloji, bazuar mbi buletinet e Ministrisë a mbi fjalimet e Ministrit, humbet çdo kuptim.
Po aq, e më plot të drejtë, fitojnë besueshmëri të dhënat e deklaruara nga të tjera burime përfshirë ato nga ish-Kryeministri deklarimet e te cilit, më së shumti, rezultojnë të sakta.