Mitra-lozi i Bulevardit të Lavires
Nga Sokol Balla
Edi Rama nuk është një njeri paqësor. Askush nuk e di më mirë se ai vetë jetën e tij private, por mjafton të shohësh sjelljet e tij publike dhe zellin e tij të madh për t’u tallur me batuta me Fevziun apo Pandi Majkon, për të vlerësuar me nota pesimiste nivelin e paqes në gjakun e tij. Për fat të keq kamerat nuk lejohen nga rregullorja e Kuvendit, e kohës së Jozefina Topallit, që të regjistrojnë PASI drejtuesi i seancës deklaron mbylljen e seancës. Kështu që ose duhet të besojmë deputetët e opozitës, ose indicjet e së shkuarës, dhe të dyja shkojnë në disfavor të budizmit të munguar të kryeministrit gjuhëgjatë e batutaxhi.
Fakt është që edhe nëse ka përdorur fjalën “mitër”, Kryeministri e ka përdorur pasi është goditur me vezë ose me shukun e letrës së lagur. Por kjo nuk e shfaqëjson aspak, nëse ai është mbrojtur si Mitra-loz që shtin kuturu, me këtë batutë. Çeshtja në dukje edhe pak groteske (tashmë fjala mitër ka mundur tabutë dhe ka hyrë në zhargonin normal publik ), mund dhe duhet të trajtohet seriozisht.
Këtë bëri sot ambasadori amerikan, por sigurisht me njeriun e gabuar ndonëse për një debat të drejtë. Kundër Mitra-lozit të kryeministrit, Opozita duhet të përdorë argumentat dhe jo vezët. Shembulli i Kosovës ka treguar se nga vezët tek gazi lotsjellës shkohet shumë shpejt. Dhe nëse në Kosovë kjo situatë shenjoi për keq zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, në Shqipëri për shkak të delikatesës së numrave në Kuvend, kjo mund të rrezikojë një plan B: pas dështimit të votimit të Reformës në Drejtësi, vendi gjithashtu mund të shkojë drejt një mocioni besimi të kërkuar nga PS dhe zgjedhjeve të parakohshme.
Sigurisht Lu zgjodhi investimin e radhës të gabuar të amerikanëve tek Sali Berisha, thjesht sepse Berisha ka lidhje me dhunën verbale shumë më shumë sesa Rama. Për këtë mjafton të kontrollosh çdo orë murin e Facebook-ut të tij, i cili është kthyer si muri i banjove të gjimnazeve, ku tradicionalisht nuk mungojnë format e ndryshme të vizatuara të mitrës dhe penisit me emra të përveçëm personazhesh, si edhe numrat e telefonit të ish-dashnorëve të zhgënjyer. (Për këtë të fundit i referohem whatsapit të tij).
Nëse ka një person që ka hyrë në dhomën e gjumit të çdokujt që me, ose pa dashje i ka dalë atij në rrugë, ky është Sali Berisha. Që ky politikan ka dhunuar femrat e partisë së tij, mjaft të pyesni Merita Zaloshnjën ish-anëtaren e kryesisë së PD, se si e cilësoi ai atë në Këshillin Kombëtar të prillit 1995, ose mos pyesni por vetëm paramendoni sesi ndihen familjarët e Ina Ramës edhe sot, pas fiks pesë vjetësh, që kur ai e cilësoi kryeprokuroren 35 vjeçare si Lavire, për më keq Lavire Bulevardi para 3 milion shqiptarëve. Nëse ka një person që ka dhunuar verbalisht familjarët e çdo personi publik, politikan, gazetar, biznesmen, ambasador, ambasador amerikan e deri europarlamentar, vetëm për interesa politike, ky është personi që shprehu sot shqetësim për “mitrën” tek ambasadori Lu. Për këtë zotit Lu i mjafton t’i dërgojë një email Marisa Linos dhe ta pyesë jo nëse, as kur, por sa minuta zgjasnin sharjet në kor epik “Mariza kurva” nga mbështetësit e Saliut, kur ajo hynte në Selinë Blu pas 14 shtatorit. Ose nëse do t’i bjerë shkurt, të marrë Lulin e ta pyesë për nofkën që i ka vënë Saliu shoqes së vet flokëkuqe të Bashkimit Europian.
Lu vetë, bën mirë të bëjë kujdes. Ai dhe bashkëjetuesja e tij. Se në momentin më të parë dhe kur Saliu ta shikojë të nevojshme, jeta seksuale e çiftit diplomatik, do të kthehet menjëherë në objekt direkt dhe indirekt sulmesh nga zyra në Aba Center.
Kjo në asnjë mënyrë nuk ul vlerën e mitrës, motrës dhe çdo zhargoni rrugaçëror të përdorur si mitra-loz i 97’ nga të gjithë kryeministrat shqiptarë. Nano fliste lirshëm për brekët e grave të kundërshtarëve të tij, ashtu si edhe çifti Meta për bashkëshorten e tij të re. Duke përjashtuar ndoshta Pandeli Majkon dhe monogaminë e tij të përjetshme dhe të deklaruar disa herë, mitrat, motrat dhe gjithë gjeopolitika gjenitale, kanë qënë të pranishme në Kuvend, media, intervista, KPD, Këshilla Kombëtare të partive të mëdha. Që Kuvendi para se të dekriminalizojë rradhët e veta, duhet të demilitarizojë bombat që dalin nga gojët e politikanëve tanë dhëmbëprishur, këtë e dinë të gjithë shqiptarët që mezi presin të shohin “X Channel” të çkoduar të enjteve në Kuvendin e Shqipërië.
Por është e patolerueshme që gratë tona të keqpërdorura ndër shekuj nga burrat, ta lënë vetë të keqpërdoren apo të vetëkeqpërdoren në Bulevard nga ai që ka konsideruar njërën prej tyre si Lavire të atij trotuari.
Siç thotë edhe Margret Thatcher: “Pushteti është si të jesh një femër. Nëse të duhet të bërtasësh e t’u thuash njerëzve se je femër, në fakt vetëm femër nuk je”.
Nuk janë të pakta gratë që mendojnë kështu edhe sot në Tiranë. Edhe ato që janë përplasur jo pak me batutat e Mitra-lozit të Kryeministrisë.
Të paktën kështu mendon Majlinda Bregu. E me gjasë edhe Jozefina Topalli.