Mitsotakis, fytyra e re e së vjetrës që përparon

“Princi trashëgimtar i familjeve helene” (fjalë të Alexis Tsipras), përgatitet të marrë në dorë fatet e Greqisë. Pa i dhënë rivalit as nderin e armëve. “Kemi qenë të parët në BE që kemi eksperimentuar populizmin, do të jemi të parët që do ta çojmë në shtëpi”, është mantra e Kyriakos Mitsotakis, udhëheqësi 51-vjeçar i Nea Demokratia, që sipas exit poll-eve të para nga zgjedhjet në Greqi, është fitues i tyre.

“Tsipras dhe Syriza fituan në vitin 2015 duke thënë gënjeshtra – ka sulmuar udhëheqësi i të djathtës greke – dhe kanë qeverisur me paaftësi dhe arrogancë”. “Tani – premton ai – kthejmë faqe”.

Duke u kthyer në pikën e nisjes – për gojët e liga – dhe duke ia dorëzuar Greqinë, siç kujton Tsiprasi, “njerëzve dhe partisë që e çuan në buzë të greminës”.

Praktikisht, Mitsotakis është fytyra e re e të vjetrës që përparon. Mes kohës së Olimpiadës së vitit 2004 dhe vitit 2009, Nea Demokratia – me kryeministër Kostas Karamanlis – ka fryrë me borxhe të fshehura, bilancet e vendit. Shumë prej njerëzve në krye të partisë janë të njëjtët e asaj kohe. Por, qëndrojnë prapa pamjes teknokrate të ish bankierit, i cili ia ka dalë mrekullisht të rregullojë pamjen e partisë, pa prishur ekuilibrat e brishtë të njëmijë rrymave të saj.

“E kam hapur Nea Demokratian për shumë fytyra të reja, mbi të gjitha të rinj”, përsërit shpesh.

Megjithatë, rrënjët kanë shumë rëndësi në familjen Mitsotakis. Në tryezën e zyrës së tij – në krah të një luani prej pellushi dhe një modeli të anijes “së pamposhtur” – ka një fotografi të babait, Konstantinos, ashtu sikurse atë të xhaxhait të të atit, Eleftherios Venizelos.

Të afërm ndonjëherë pakëz gjarpërinj nëse është e vërtetë – siç thuhet – se motra e tij Dora, ish ministre e Jashtme, nuk e ka mbështeur si udhëheqës të Nea Demokratia, për të mos prishur karrierën e të birit 41 vjeçar, Kostas, sot Kryetar Bashkie i Athinës.

Ai hedh poshtë akuzat për nepotizëm dhe godet drejtpërdrejtë – pavarësisht telasheve të bashkëshortes, emri i të cilës u shfaq në Panama Papers për. Llogari bankare në ishujt Cayman – me programin e tij: “Tsiprasi e ka masakruar me taksa shtresën e mesme dhe është momenti ta shpëtojmë. Ka hapësirë për t’i zvogëluar”.

Dëshiron të përshpejtojë privatizimet, të digjitalizojë si Estonia makinerinë shtetërore. “Kam nevojë për 12 muaj që të bind Evropën të na japë më shumë fleksibilitet”.

Me shpresën që Brukseli është gati ta dëgjojë dhe që një frenim i ekonomisë botërore, të mos mbysë menjëherë premtimet e tij ambicioze.

/ bota.al

SHKARKO APP