Modeli Rama dhe Blushi si mundësia e fundit
Partia Socialiste, në thelbin e saj, mund të përfillet si përfaqësuesja e interesave të borgjezisë së re komuniste. Në fakt, borgjezia komuniste e krijuar që në kohën e diktaturës, mund të vështrohet nga disa anë. Ajo ishte pjesa e shoqërisë që përfitoi nga sistemi socialist duke u shkolluar dhe duke zhvilluar një punë që i krijonte mundësi të stimulonte refleksionin. Një pjesë e kësaj borgjezie, madje ajo më e rëndësishmja, përkrahu Lëvizjen Studentore dhe uzurpoi Partinë Demokratike. Shembulli më tipik është Sali Berisha, por edhe Gramoz Pashko apo Genc Ruli.
Në anën tjetër, Partia e Punës ruajti me zgjuarsi përfaqësuesit e saj të natyrshëm dhe Fatos Nano ishte emblema e borgjezisë komuniste me tipare më shumë perëndimore sesa Sali Berisha, i cili mori nga komunistët patosin e luftës dhe agresivitetin e hakmarrjes, por që i ktheu kundër asaj që e kishte rritur dhe pjellë. Ndërsa Fatos Nano përqafoi me tepri anët e ndaluara të kapitalizmit dhe u shqua sidomos në politikë, por edhe në jetën private, për një lloj dorëzimi pa kushte ndaj joshjes së konsumit dhe aleancave me gjithçka që mbante në këmbë marrëdhënie pa ideale, Berisha, nga ana tjetër, e mbarsi PD-në me egërsinë dhe krimin që sjell besa e cubit dhe e klanit për të luftuar me të gjitha mjetet kundër armikut politik ashtu si komunistët që e justifikonin dhunën dhe patetikën e luftës me drejtësinë e ideve.
Në këtë peizazh hyn në skenë Edi Rama. Fatos Nano kur e ftoi atë që të linte emigracionin dhe të bëhej pjesë e kabinetit qeveritar, nuk e kishte menduar se ai një ditë do t’i hante kokën dhe do ta zëvendësonte me një model që në atë kohë askush nuk e kishte menduar se do të ishte ky i sotmi. E kam parë disa herë foton e Edi Ramës me festen me ngjyra të ylberit që përfaqëson flamurin e lëvizjeve për barazi gjinore, ndërsa Edi Rama tha se ajo është si fesi i myslimanëve dhe e kishte vënë në shenjë proteste kundër masakrave në Bosnjë dhe nuk jam çuditur me sasinë e makaronave që ai fut në gojë dhe as me makaronat që i varen nga goja, përkundrazi më ka ardhur keq për gjithçka ai ka vuajtur në emigracion, për njollën e rëndë që mund të ketë marrë nga jeta si refugjat. Ajo fotografi më ndihmon të kuptoj sot modelin e Edi Ramës dhe më bind gjithnjë e më shumë se edhe këtë radhë, pra edhe pas Sali Berishës dhe Fatos Nanos Shqipëria ka gjetur përsëri modelin e gabuar.
Qeverisja e Edi Ramës është vazhdim i jetës së tij në kampin e refugjatëve në Francë dhe është vazhdim i asaj pjatës me makarona që ai po e ha si i babëzitur dhe i atij fesit me ngjyra që mban në kokë. Modeli i tij i qeverisjes mbështetet në shpërndarjen e parave publike nëpër miq e shokë në formën e koncesioneve. U bënë tri vjet qeverisjeje dhe ai nuk na dha një model ekonomik apo shoqëror mbi të cilin të reflektojmë të gjithë dhe të shohim se ku do të shkojmë. Edi Rama e ktheu Shqipërinë me modelin e tij në një kamp refugjatësh në të cilin ai më së pari kërkon të marrë hak për të gjitha frustrimet që ka pësuar në kampin real dhe nisi të vendosë rregull ashtu si banditët në kamp. Është e paimagjinueshme sesi lufta për të formalizuar ekonominë nuk ka sjellë rritjen e të ardhurave, por pakësimin e tyre. Në tri vjet qeverisjeje, Edi Rama thotë se u ka kthyer borxhet kompanive që i kishin bërë punë në kohë të Berishës, pastaj na shfaqi një sistem taksash që e ndërroi katër herë në gjashtë muaj dhe u bë i famshëm për koncesionet që ka filluar të japë pa asnjë kriter, koncesione që agjencitë serioze të investigimit ia kanë quajtur korruptive. Asnjë investim serioz, asnjë projekt serioz ekonomik dhe një rrumpallë komike në institucionet kulturore dhe arsimore të vendit.
Ky është modeli Rama, i cili tani nuk ka më frikë dhe po e projekton veten si kapoja i kampit të refugjatëve në një vend ku po vritet shpresa dhe optimizmi dhe ku i vetmi pasion dhe e vetmja mënyrë për t’i dhënë kuptim jetës është të anëtarësohesh në PS dhe të dëgjosh barsoleta nga Edi Rama. Në këtë klimë të pështirë që ka krijuar Rama, Ben Blushi po përpiqet të shpëtojë atë që ka mbetur nga PS-ja duke shqiptuar krizën e rëndë në të cilën e ka futur vendin kryeministri i tij dhe duke dhënë alarmin për modelin korruptiv dhe kriminal me të cilin Edi Rama qeveris. Blushi e ka vizatuar Ramën si përfaqësues të oligarkëve të rinj të Partisë së Punës që tani kanë vetëm një qëllim – të pasurohen me çdo kusht dhe me çdo mjet. Ai ka ngritur zërin për mungesën e reformave dhe për mediokritetin kriminal me të cilin po qeveris kryeministri dhe kryetari i partisë së tij. Blushi e di dhe vetë që është e vështirë dhe e pamundur që të shkallmohet modeli Rama, por kjo nuk do të thotë që ai duhet të dorëzohet. Lëvizja e Blushit është në të njëjtën valë me opinionin publik dhe me zërat kritikë të shoqërisë shqiptare. Blushi është mundësia e fundit që ka PS-ja si forcë e madhe politike që të ndalojë modelin korruptiv dhe mediokër të Edi Ramës. Një konkurrencë e hapur mes Ramës dhe Blushit nuk është thjesht një ballafaqim personash, është një përballje modelesh dhe PS-ja ka rastin e fundit që të tregojë se ka ende vlera që mund ta frenojnë dhe të kufizojnë arrogancën e ish-refugjatit brilant të Parisit që hyri në memorien kolektive, duke ngrënë në shenjë proteste një tas me makarona dhe duke mbajtur në kokë një fes me ngjyra si të ylberit. Sot, publikisht në mbështetje të Blushit, ka dalë një zonjë e nderuar, një akademike dhe një shkodrane, Mimoza Hafizi- nuk është pak.
“Shqip”