Monumentalizimi i Mbretit Zog

Nga Ekrem Spahiu

Tetë vjet më parë, më 24 dhjetor 2012, në Kryeqytetin e vendit, u vendos monumenti i Mbretit Zog, pikërisht në Bulevardin që mban emrin e tij, duke monumentalizuar kështu një datë shumë të rëndësishme në historinë e shtetit shqiptar: rivendosjen e legjitimitetit që është themelore për një shtet të qëndrueshëm.

Në Shqipëri dhe trevat shqiptare, në sheshe, bulevarde, institucione, shkolla, etj, ku është monumentalizuar historia kombëtare, kombi shqiptar përulet për të nderuar Skënderbeun, Ismail Qemalin, Mbretin Zog dhe figura të tjera që e bënë këtë histori.

Sigurisht, ajo çfarë ata lanë pas, është vepra e tyre kombëtare. Gjithsesi, monumentet na e mbajnë gjallë kujtesën, sepse një popull që nuk mban gjallë të kaluarën, rrezikon edhe të ardhmen.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është guri i parë i themelit të Shqipërisë, heroi i shqiptarëve dhe po aq edhe kalorësi mbrojtës i Europës. Ai personifikon një epokë të lavdishme të historisë kombëtare të shqiptarëve, që mori emrin e tij, për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe të lirisë. Duke monumentalizuar Skënderbeun, kombi ynë takon heroin kombëtar, në të cilin janë mishëruar aspiratat e vlerat më të spikatura të tij dhe për këtë arsye, bëhet simbol i bashkimit kombëtar dhe i luftës së tyre të përbashkët.

Ismail Qemali, me aktin themelues të Pavarësisë së Shqipërisë, ndryshoi historinë politike të popullit shqiptar, duke ndikuar në riformatimin gjeopolitik të Ballkanit në përgjithësi. I ardhur nga një derë fisnike kombëtare, me kulturë shtetari të fituar në një perandori që ishte superfuqi pesëqindvjeçare, Ismail Qemali i priu kohës dhe koha e përjetësoi në rrënjët e kombit, në historinë monumentale të tij dhe në monumentet e ngritura për të.

 

Për të ardhur më afër në kohë, Mbreti Zog u bë një figurë madhore dhe qendrore e historisë së Shqipërisë, që hodhi themelet e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit modern shqiptar, me orientim të qartë perëndimor europian. Ideator dhe realizues i administratës së parë të shtetit shqiptar, si dhe i një legjislacioni bashkëkohor ai do t’i hapte rrugë emancipimit shoqëror dhe zhvillimit të potencialeve të vendit. I gjithë korpusi i legjislacionit shqiptar i ndërtuar nën kujdesin e tij,  shënoi shkëputjen e plotë nga legjislacioni i periudhës osmane dhe e orientoi zhvillimin e Shqipërisë për nga modelet europiane dhe potencialet demokratike.

Ahmet Zogu – Mbret i shqiptarëve, u thirr dhe iu përkushtua Shqipërisë në të gjitha momentet vendimtare historike të saj, duke filluar që nga shpallja e Pavarësisë dhe gjatë gjithë jetës së tij, të cilën e lidhi plotësisht me fatet e kombit.

Shteti i ndërtuar nga Mbreti Zog, e bëri krenar shqiptarin, të denjë për të paraqitur identitetin e tij në çdo vend të botës.

Sot, shqiptarët në të gjitha trojet kombëtare, gjithnjë e më shumë po i evokojnë vlerat, kontributet dhe arritjet e Mbretërisë Shqiptare. Ajo zgjati vetëm 11 vjet, por i la Shqipërisë një trashëgimi të pashlyeshme e cila, në shumë drejtime, është e paarritshme edhe sot.

Në njohje dhe vlerësim të personalitetit, kontributeve dhe trashëgimisë së tij historike e kombëtare, me 17 nëntor 2012, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, shteti Shqiptar me një ceremoni dinjitoze dhe madhështore ktheu eshtrat e Mbretit Zog në Atdhe, të cilat u vendosën në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore në Tiranë, duke përmbushur kështu një detyrim historik, patriotik, moral dhe human.

Ky akt përbënte rivendosjen në vend të historisë, jo vetëm ndaj një personi sikurse ishte Ahmet Zogu, por ndaj një epoke që mori emrin e tij e që lidhet me shtetformimin e Shqipërisë. Rivarrimi i tij pikërisht aty ku partizanët komunist hodhën në erë varrin e Nënës Mbretëreshë, përbënte njëherësh riafirmimin e mirënjohjes dhe humanizmit si vlera të patjetërsueshme kombëtare të shqiptarëve.

Sot është 96 vjetori i “Triumfit të Legalitetit”. Ahmet Zogu me karizmën e tij, me orientimin e qartë perëndimor, me dashurinë për kombin shqiptar, rivendosi shtetin ligjor, rendin dhe sigurinë më 24 dhjetor 1924, duke i rikthyer legjitimitetin qeverisë së atëhershme të dalë nga zgjedhjet e 27 dhjetorit të vitit 1923. Me këtë vepër, ai shpëtoi Shqipërinë nga zhvillime që mund ta humbisnin atë në vorbullat e turbullta dhe retë e zeza midis dy luftërave botërore.

 

Në vlerësim të kësaj date të rëndësishme historike dhe për ta bërë të plotë kuadrin jubilar të një shekulli me shtet kombëtar shqiptar, më 24 dhjetor 2012, në Bulevardin “Zogu I” u vendos monumenti i Ahmet Zogut si protagonisti kryesor i “Triumfit të Legalitetit”.

Me veprën e tij, Mbreti Zog lidhi historinë dhe veprën e Skënderbeut e të Ismail Qemalit për ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar e shtetëror të shqiptarëve. Prandaj, monumentalizimi i tyre, ashtu si edhe i figurave të tjera që bënë historinë kombëtare, është në nderin, vullnetin dhe kulturën e kombit shqiptar, për të përjetësuar historinë, sepse një popull pa memorie, është një popull pa kujtesë dhe pa histori.

*ish-deputet & kryetar i PLL

SHKARKO APP