Moraliteti dhe historia islamike. Përse Bizanti modern është në shënjestër të Kalifatit

Nga Jason Burke

Shumë njerëz që jetojnë në vende në brigjet e Mesdheut, e kanë nisur Vitin e Ri me frikën e atentateve të reja. Ata që jetojnë në Turqi, kanë arsye të justifikuara për ta paralajmëruar këtë rrezik, në mënyrën më akute e të thellë. Në 18 muajt e fundit, Turqia është goditur nga një valë dhune terroriste, që ka lënë 400 të vdekur. Disa prej sulmeve janë kryer nga fraksione të dhunshme kurde. Të tjerë, mes tyre të gjithë ata që kanë shkaktuar një numër të lartë viktimash, janë kryer apo frymëzuar nga ISIS.

Sulmi natën e Vitit të Ri në Stamboll nuk ishte një surprizë. U mor përsipër nga ISIS dhe ndoshta është realizuar nga i njëjti rrjet, që verën e kaluar kishte goditur aeroportin. Sigurisht, objektivi – një lokal nate i frekuentuar nga elita laike dhe e kamur e vendit – është analog me ata të shumë atentateve të tjerë, të kryer përgjatë viteve. Një arsye për të vënë në shënjestër këta lokale, është përbuzja morale puritane kundrejt dekadencës që ata mishërojnë; një tjetër arsye është ndjesia për të përmbushur një detyrë fetare. Në deklaratën ku mori përsipër atentatin, ISIS ka shpjeguar se organizata donte të godiste të krishterët dhe një fuqi myslimane, që i mbron. Kjo mbrojtje e bën Turqinë, e për pasojë edhe turqit, një vend “apostat” (femohues). Sipas pothuaj të gjithë teologëve salafitë, ndëshkimi për femohimin është vdekja. Sipas xhihadistëve, luftimi i femohimit me forcë është një detyrë për të gjithë besimtarët.

Por qëllimet e ISIS-it nuk influencohen vetëm prej teologjisë, por edhe nga eskatologjia dhe nga një vizion i shtrembëruar i historisë islamike. Edhe në këtë rast, Turqia është në linjën e zjarrit. Revista e ISIS-it më parë quhej “Dabiq”, emri i një fshati sirian ku, sipas një profecie, do të ndodhë përplasja finale mes të mirës dhe të keqes. Por ISIS u dëbua nga Dabiqi në tetor dhe revista ndërroi emër, në Roumiya (Roma). Për ISIS-in, Roumiya nuk është vetëm kryeqyteti i sotëm italian (padyshim një objektiv), por edhe një Romë më e lashtë: Bizanti, Stambolli i sotëm.

Pastaj është edhe realizmi brutal strategjik që tashmë kemi mësuar të shohim prej grupit islamist. Ndoshta ISIS ka vlerësuar se presidenti turk, Erdogan, i cili në korrik i shpëtoi për një fije një grushti shteti, është i goditshëm. Dhe ndoshta konsideron se Turqisë i ka ardhur radha për një fushatë destabilizimi, e ngjashme me ato që grupi ka ndërmarrë në Arabinë Saudite, Egjipt dhe vende të tjera të rajonit.

Në fund është roli aktiv që luan Turqia, një vend anëtar i NATO-s, në koalicionin e udhëhequr prej amerikanëve, që po lufton ISIS-in në Siri dhe Irak. Në fillimet e luftës civile siriane, Turqia, një vend me shumicë sunite, u ofroi mbështetjen e saj rebelëve sunitë, e bindur që ata do të rrëzonin shumë shpejt presidentin Bashar al Assad, dhe do të vendosnin në Damask një regjim islamik, në miqësi me Ankaranë. Me një politikë të kufijve të hapur, lejoi “foreign fighters” që vinin nga e gjithë Lindja e Mesme dhe Europa, që të futeshin në Siri, bashkë me armë dhe municione. Shumë prej luftëtarëve dhe një pjesë e furnizimeve mbërritën tek ISIS, para se grupi të niste luftën në shkallë të gjerë në vitin 2014. Rrjetet mbështetëse brenda vetë Turqisë u nënvlerësuan dhe rreziku që paraqisnin u injorua.

E gjithë kjo tani ka ndryshuar: shërbimet turke luftojnë islamizmin e armatosur, me të njëjtën vendosmëri me të cilën luftojnë ekstremizmin kurd, si dhe rreziqe të tjera për vendin, si për shembull lëvizja besnike ndaj Fetullah Gylenit. Kontrollet në kufij janë në fuqi dhe Turqia ka dërguar një numër ushtarësh në Siri, e vetmja fuqi e huaj përveç Iranit, që bën një gjë të tillë. Qëllimi i saj është i dyfishtë: të mbajë militantët kurdë jashtë zonave strategjike përreth Aleppos dhe të shtyjë ISIS-in larg prej kufirit turk, duke ia hequr kontrollin në një zonë kufitare që ka rëndësi kritike strategjike.

Trupat turke shmangin përplasje direkte me ato të Assadit: një armëpushim i negociuar javën që kaloi nga Rusia e Turqia mes rebelëve dhe qeverisë, sapo është miratuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Nuk përfshin ISIS-in. Pra, fakti që ISIS dëshiron të dobësojë Turqinë, ta bëjë të paguajë për ndërhyrjen kohët e fundit, të demoralizojë shërbimet e saj, është i kuptueshëm. Mesazhi për Erdoganin është i paekuivok. Ka edhe një mesazh të nënkuptuar për europianët në këta akte dhune, edhe pse ISIS ndoshta nuk do që ta dëgjojmë. Sulme si ai i Berlinit para Krishtlindjeve kanë efektin që të shkëpusin vëmendjen tonë, nga fakti që objektivi parësor i ISIS është (dhe ka qenë gjithmonë) rajonal. Të hënën, grupi kreu një seri sulmesh të përgjakshëm në Irak. Gjatë muajit të fundit ka goditur në Jemen, Jordani dhe vende të tjerë të Lindjes së Mesme. Shumë analistë, kanë parashikuar me saktësi një shtim të dhunës, teksa ISIS vazhdon të humbasë terren dhe ndjekësit e tij janë gjithnjë e më të çorientuar. Por vështirë se pika qendrore e këtyre sulmeve do të jetë Milano, Hamburgu apo Uashingtoni. Objektivat do të jenë më pranë bastioneve të militantëve. Atentati në Stamboll, me shumë gjasa nuk do të jetë i fundit. / The Guardian –bota.al

SHKARKO APP