“Mos ki frikë Edi Rama, Berlini do të të ndihmojë”
Mijëra shqiptarë përpiqen çdo ditë të lënë vendin e tyre. Tirana tani kërkon ndihmën e Berlinit. Por nuk duket kaq e thjeshtë
Nga Eva Konzett, Wirtschaftsblatt
Çfarë bën shefi i një qeverie në Europën Juglindore, kur njerëzit largohen?
Ai thërret në ndihmë Gjermaninë.
Mos ke frikë, Berlini do të të ndihmojë.
Kështu ka bërë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që po i bën vazhdimisht thirrje qeverisë gjermane që ta klasifikojë vendin e tij si të “sigurt” përsa i përket azilit.
Më pas autoritetet gjermane mund të deportojnë me procedura të thjeshtëzuara të gjithë shqiptarët (që janë me mijëra).
Këtë plan po e diskuton Berlini prej kohësh.
Por cili është plani i politikanit shqiptar?
Nëse shqiptarët nuk do pranohen më në Gjermani, ata do ndërtojnë ekonominë në vendin e tyre.
Kjo është logjika e një fermeri të keq, që shpreson se do ketë dëme tek ferma e fqinjit, në vend që të punojë më mirë për veten.
Sepse shqiptarët po shkojnë në Gjermani jo sepse ky vend është domosdoshmërisht fantastik, por sepse nuk shohin asnjë shans në shtëpinë e tyre.
Një 24-vjeçar nga Tirana, me diplomë në turizëm, ëndërron të punojë si picajol në Itali, pasi studimi i tij nuk vlen.
Një 30-vjeçare që njeh tre gjuhë dhe ka studiuar në Itali, me një fëmijë të vogël, ëndërron për gjithçka përveç Shqipërisë.
Një adoleshent nga provinca ëndërron për një punë.
Ai mund të rregullojë një makinë që kur ka qenë i vogël.
Ai është i shkëlqyer, por nuk mund të provojë aftësitë e tij.
Grindjet nuk zgjidhen në gjykata, por në rrugë.
Ekonomia shqiptare është në shumicën e saj në hije.
Mungesa e arsimit, një sistem social jofunksional dhe sektori informal nuk janë arsye për të marrë azil. Por janë arsye për t’u larguar nga vendlindja.
Rama duhet t’ia nisë nga këtu!
Përktheu: Mapo