MOS MË KËRKO NDJESË PËR RAMËN !

 

                                                -Përsiatje nga cikli “Gazetar midis dy shekujve”-

Nga Kristo Mërtiri

Pranë urës te Brryli në kryeqytet, aty ku mëngjeset e cdo dite priten e përcillen nga ethet e të papunëve fytyrëvrarë që kërkojnë të sigurojnë koromanen e gojës së fëmijëve, mblidhen të ditur e të pashkollë, hamenj e lulishtarë, muratorë e karpantierë. Mirëpo parmbrëmë po kuvendonin ciltër e me zë të lartë disa të majtë e të djathtë, me e pa tesera në xhepat e grisur. Dhe nuk ishin nga ata që as kullojnë e as turbullojnë. Njerëz të thjeshtë që debatojnë pastër me njeri-tjetrin, që nga shërbimet bashkiake gjysmake, reforma gjëmimtare në Drejtësi dhe gjer te Qeveria që bën sikur po i dridhen gjunjët përballë elektoratit durimmadh e me pritmëri të plagosur dukshëm. (Befas, një mesoburrë ballëdjegur e me matrapik zëfikur të ngulur buzë trotuarit, hyri si pa teklif ne sheshin e bisedës: “Or ti shoq, na thuaj një llaf gur qosheje, këtë Qeveri a e freskoi dot ikja e të vetmit profesionist ministër duarpastër e faqebardhë, Shkëlqim Cani ? Përgjigjen nuk e dua dibrance, por si nga Gryka e Këlcyrë-Mezhgoranit…”). Sepse vërtet shpresa vdes e fundit, por shuarjen e tranzicionit rrumpallë nuk mund ta presin kur tu mbijë bari në Sharrë a Shishtufinë !…Dhe pa u kthyer në këmborë të prishura. Premtimeve politike me themele në rërë, tani që po troket mbarimi i Legjislaturës, ua nxjerrin pa drojë kallajin. Dhe pa u kolisur e bitisur vetëm te ajo parulla e hapave të parë “Fajin e ka Saliu”. Por një i njohuri im socialist i vjetër 24 karat, më hoqi si me lezet mënjanë, sikur do më tregonte ndonjë sekret me peshë :

-Aman, më qafsh, ti mbete idealist i pandreqshëm dhe me bindje të majta politike, por nuk ke vrapuar asnjëherë pas kartave partiake që ua kalojnë edhe kartave të kreditit në banka. Rebel me cdo pushtet që abuzon mbi fukarenjtë. Sa për Edi Ramën, dikur kemi turfulluar mbi ty e kritikat e tua pa dorashka, sidomos për drejtimin “ronxho-bonxho” të PS… Dhe shpesh i ngjan asaj Kuqes së dashur, mushkës xanxare që bleu dikur babai në pazarin e famshëm të Këlcyrës, e që hidhte vickla ndaj cdo trajtimi jo human, ndaj cdo padrejtësie njerëzore. Megjithse nënën tuaj të ndjerë e shoqëronte në cdo hap si manare në Trëndafile e Dervene, në Rreth e në Nivicë, në mot të mirë e në llohë dëbore a nën vërshimin e shiut me gjyma…Llafoseshin e kuptoheshin si dy mikesha të miqësuara herët në punë, në shtëpi e kullota. Eva jonë e paharruar nuk nxitohej kurrë në fjalë e kuvend dhe nuk i vilte asnjëherë arrët në korrik ! Ashtu e kulluar si krojet në Golik e Trebeshinë dhe aspak qaramane e përkëdhelur përballë fatit korb. Se jeta e qëlloi edhe me gurë…Ndërsa ti, miku ynë, nganjëherë na dukesh sikur i bën hesapet pa hanxhinë. E kërkon drejtësinë e vërtetë edhe atje ku ajo është e vdekur dhe e pakallur bashkë me të zonë. Edhe kur të kërkojnë ndjesë, ti nuk e ndjek gjurmën mbrapsht. Sidomos me ata që rrinë  vazhdimisht shaluar përmbi shalën e kalit të pushtetit…

Njerëzit e thjeshtë hallexhinj nuk vënë në përdorim maska e laraska, janë tepë praktikë, zemërhapur e aspak me mendim rakitik. Janë shumë lart e larg minjve anonimë të internetit që lëvdojnë e shajnë pa doganë cilindo që kritikon dhe thotë të vërteta lakuriqe për liderë e kalanderë në pushtet e në opozitë. Madje, personalisht kam bindjen se mjaft nga ata lëpirës të djeshëm, sot po kthehen në rrëkera e përrenj pështymhedhës pa pikë dinjiteti. Fjala është për atë tabor të përhershëm pa kokë e pa këmbë që është mësuar të rrëmbejë ndonjë kockë nga “thertorja” e kolltuqeve të sipërme shtetërore. Kur nuk i sigurojnë dot as këto kockurina me fare pak “mish” , vërtiten në sulmin e fundit zemërak e ulërak. Militantë të rëndomtë, mercenarë të zinj e pa asnjë shtyllë kurrizore. Po e përsëris : Përballë të vërtetave që hedh në faqet e medias së shkruar, nuk pishmanosem dhe as fshihem syunjur nëpër hijet e cdo Kryeministri ! Dhe pa u dredhur e përdredhur në emër të Lirisë së Shtypit. Unë nuk jam rrogtar i askujt, o të mjerë ! Por nuk mund të hesht. Sic thotë me të drejtë një koleg i nderuar i brezit tim, cdo gabim a qorollepsje në moshën tonë nuk korregjohet kollaj…

Në këtë botë të kokolepsur, nuk më kanë kërkuar ndjesë vetëm për Edi Ramën si Kryetar i PS, por edhe për Nanon, Berishën, Metën e ndonjë tjetër protagonist të jetës politike shqiptare në Tranzicion. Prandaj më pushtoi një lloj irritimi i brendshëm njerëzor e profesional, atë mbrëmje gushti rreth urës te Brryli në kryeqytet. Te ajo urë plot psherëtima mjerimi, kushdo prek nga afër atë refrenin e përditshëm të skamjes : U bë leku gur mulliri !…Ndoshta përvoja e gjatë më ka mësuar e ndihmuar që ta shikoj shpejt folenë ku fle lepuri. Përshembull, më thoni emrin e një qeveritari të vetëm (të djeshëm e të sotëm) që ka zbritur nga vetura luksoze prapa “Partizanit të Panjohur”, te Brryli ku fukarenjve u është vënë bërryli 25 vjet me radhë, te Dogana e të tjerë sheshe “Omonia” ku sokëllet në kupë të qiellit papunësia dhe a kanë kuvenduar qoftë edhe një herë të vetme sy më sy me këtë elektorat të raskapitur, të braktisur e të dëshpëruar ?! ( Vetë Kryeministri ynë përgjërohet e robtohet për fatin e trishtë të trafikantëve dhe të sorollopit të tyre, duke bërë e përhapur rrufeshëm letra publike tepër fyese për cdo shqiptar të ndershëm. Mos e ka fajin vapa që brockullis “përtej së majtës e të djathtës”(?!). Njerëzit e thjeshtë kanë sy e shikojnë të vrerosur, kanë nofulla e dinë t’i shtrëngojnë durimsosur, sa herë shohin politikanët e dhembshuruar tek zbresin e gogësijnë përpara kazinove të shumuara frikshëm në Tiranë e gjetkë. Cilët janë pronarët e tyre të vërtetë ? Ditët e fundit nuk u cudita hic kur mësova nga media se në këtë gjiriz kazinosh e loto sporti paska hyrë edhe vetë “fatligxhafëria” që po na sjell drejtësinë e ëndërruar në breza ! Derdhet lumë paraja… maskaraja !, do shpërthente me siguri një miku im përmetar.-Rroga mujore e shtetit demokratik, dëgjo mua, përballon me sukses cdo ves e tërmet, cdo qejf e siklet…Rrofshin e mbretërofshin kryetarët e partive që u zgjodhën me dorë ! Kur ndonjë ambasadore e huaj (si ajo e Hollandës) bëri thirrje publike për votimin e Reformës në Drejtësi, na kujtoi që “politikanët janë në dorën e qytetarëve, pasi janë ata që i kanë cuar aty me votë”, buzëqeshëm pak hidhur e jo pa ironi. I shkreti elektorat ! Por le t’i japim karar me një fabul nga humori politik i mikut tim të vjetër që me groteskun e vet është tallur në cdo kohë :

“Dy deputetë të dy partive parlamentare, po luanin bixhoz me njeri-tjetrin. Njëri arriti të fitojë dhe, i kënaqur iu drejtua tjetrit:

-E, po, le të vazhdojmë.

-More, mirë e ke, po unë nuk kam më asnjë lek në xhep!-u përgjigj tjetri.

-Vër në dispozicion elektoratin tënd, atëhere !-këmbënguli fituesi.

-Si ta vë, kur nuk e di, se kush më ka zgjedhur !?-ngriti supet tjetri”.

Nuk mund të harrojmë. Më shumë se kudo, te ato sheshe mjerimi thyhen dhe bëhen copë e thërrime kapardisjet, fjalimet dhe imazhet gënjeshtare e verbuese që u dërgohen si sanduic ekraneve televizive. E tha hollë e bukur një i mencur me rrënjë nga Kuci i Labërisë : Populli në Shqipëri merret me politikë, ndërsa politikanët merren me biznes !…

Jo më kot i rashë shkurt muhabetit atë mbrëmje gushtore : “Të lutem, mos më kërko ndjesë për Edi Ramën !”. Nuk hyj te ajo racë që e nis dhe e gris ditën me lëpirje e pështyrje dhe anasjelltas. Dhe as t’i bëj petullat me ujë apo të shtirem si mjegullor brigjeve të Vjosës plakë. I kam parë herët shkarpat, kuckat dhe kërcunjtë e mënjanuar nga dallgët e serta dimërore…

 

SHKARKO APP