Mos na lini vetëm mes vapës dhe rrebeshit!

Nga Artan Fuga

Një foto spontane, një vit më parë, me njeriun e letrave dhe aktivistin shoqëror në mbrojtje të Teatrit Kombëtar z. Rudi Erebara, në ditët e rrezistencës për t’i dalë zot Teatrit!

Një përqafim i sinqertë miqsh solidarë ku kauzat na bashkohen. Rudi dhe të gjithë miqtë e tjerë të dashur dhe shumë të vlerësuar në sakrifikim për Teatrin tonë Kombëtar si simbol, traditë dhe rinovim i shëndetshëm, unë dhe të gjithë kërkuesit dhe profesorët e përgjegjshëm që ka ende Shqipëria në mbrojtje të Akademisë të Shkencave!

Ne mbrojmë institucionet tona që egoizmi, mediokriteti, brutaliteti burokratik, interesat e vogla të poshtra të mos i rrëzojnë për tokë!

Sa shumë kemi nevojë të dilni nga rrjetet sociale dhe të vini në sheshet ku zhvillohen këto beteja për kombin, emancimin shqiptar dhe demokracinë!

Na keni lënë vetëm!
Mos na lini vetëm!
Nuk mjaftojnë komentet këtu në Facebook!
Keni të drejtë kur kërkoni nga intelektualët, por kur ata lëvizin, mos i braktisni në mes të vapës, të shiut, të rrebeshit sepse edhe ata kanë familje, duan të ruajnë vendin e punës, sakrifikojnë nga krijimtaria e tyre, një jetë kanë, dhe luftojnë pa asnjë interes personal, thjesht për ideale!

E përsëris, dëgjoni ju lutem, na keni lënë vetëm!

Gjej rastin të them se unë nuk i ndahem betejës për rinovimin e Akademisë së Shkencave, për rrëzimin e kryesisë së paligjshme dhe uzurpuese, nuk i ndahem derisa atje të bëhet hetimi i shpërdorimeve gjigande të parasë publike!

Atje nis reformimi i jetës sociale, kulturore dhe i dijes shqiptare, atje nis që intelektuali dhe njeriu i dijes të fillojë të kontribuojë për shoqërinë përtej vendit të tij të punës, prandaj e ka uzurpuar politika.

Kuçedra ka zaptuar burimin e ujit!

Reforma në drejtësi do të bëhet, askush nuk e pengon ose e devijon dot dhe unë këtu jam për t’a bërë denoncimin publik atë kohë, nëse Kuvendi i Shqipërisë do të hajë me bukë turpin dhe faqen e zezë për të mos ngritur komisionin parlamentar hetimor!

Unë nuk i ndahem këtyre tre objektivave:
1. Ligj reformues për një akademi shkencash që të jetë shtëpia e përbashkët e intelektualëve dhe kërkuesve shkencorë, e njerzve të dijes!
2. Rrëzim i kryesisë së paligshme dhe uzurpatore.
3. Hetim i dëmeve dhe abuzimeve shumëvjeçare me paranë publike në atë institucion!

Ta dëgjojnë mirë të gjithë ata që duhet në Akademinë e Shkencave dhe më gjerë kolegë dhe profesorë të fuqishëm kudo ku janë!

Unë nuk e tradhtoj kauzën për një kërkues shkencor, intelektual, universitar me të drejta, pjesëmarrës në vendimmarrje, kontribues për emancimin e vendit dhe shoqërisë sonë!

As kur jam te Teatri, as kur bëj leksion, as kur bëj sikur nuk kuptoj se çfarë luhet pas kurrizit, as kur përqafoj kolegët dhe miqtë e kauzave të përbashkëta, as kur drejtoj kërkimin shkencor të doktorantëve, madje as kur marr frymë!

Veç në u tradhtofsha! Atëhere do t’ua them! E do të iki!

Mos na lini vetëm!

SHKARKO APP