Mos paç fatin e Liljanës!

Po të vrau, ai do rrijë ca kohë në burg, po ka lekë do dalë për vrasje në kushte të rënda psiqike. Kushedi ç’do bëhet me fëmijët e tu, kur nuk do jesh ti, që t’i shikosh e mbrosh.

Nga Rudina Xhunga

Liljanat po vdesin se janë vetëm. Në një vend që të mbyt me pamundësi, me vrer, me sherr, ku Liljanat i zhveshin, rrahin, vrasin, pasi iu mbyllin fëmijët në dhomë.

Nënës tjetër nuk ia lanë fëmijët atë natë, kur ia ndjeu zemra të keqen dhe shkoi t’i merrte. Nënë është edhe ajo që braktis martesën dhe ikën nga shtëpia. Punonte në një klub nate dhe i shoqi ia mbyti të miturit dhe ia shkuli zemrën.

Ne raportojmë hollësitë vrasëse dhe vdesim edhe vetë brenda një lajmi, raportojmë dhe komentojmë, mallkojmë dhe harrojmë.

Por nuk flasim, as me veten. Bëjmë sikur kaq qe dhe mbaroi.

Unë dua të flas, të flas me Liljanat, me gratë që e dinë se vdekja po i ruan.

Liljana e radhës, do të të vijë ty nesër! Çfarë po pret? Kur një burrë nuk bën, nuk bën. Kur të rreh një herë, mos prit herën e dytë të të rrahë më pak. Do të të rrahë përsëri se ka parë nënën të rrihet dhe do të rrisë djem që rrahin e vrasin, se të kanë parë ty, të rrihesh.

Kur një burrë të rreh, edhe do të të vrasë, se pak e ndan kufirin e dhunës, pak e ndan karrigen, nga thika. Edhe po s’ka armë, do të të hedhë nga ballkoni, edhe po nuk të hodhi, do të hidhesh vetë. Çfarë po bën, po përgjon vdekjen tënde?

E di që mendon se po rri për fëmijët. Po për cilët  fëmijë rri ti? Ata që të shohin kur rrihesh dhe fshihen pas perdes, duke qarë? Vajzat e tua, kur të shohin të mpirë e të nxirë, do kujtojnë se kjo është jeta, do pranojnë çdo dhunë, siç pranuan dhunën ndaj më të shtrenjtës në botë, nënës.

Djemtë e tu do të bëhen si i ati, do të mendojnë se gruaja është pronë dhe do e rrahin e do përfundojnë burgjeve. Do t’i qash, të gjallë!

Prandaj ndahu për ta, mos rri për ta!

Dil tani nga shtëpia, denonco! Dil nga shtëpia, shko në polici, gykatë, gazetë, televizion. Dikush, dikur do të përgjigjet. Nuk janë gjithë dyert e mbyllura. Mos ia mbyll derën vetes!

Mos rri në shtëpi dhe qaj. Më e keqja nuk të ka ardhur, ende.

Ke dëgjuar nga shoqet që nuk ia vlen e gjitha, se të tall dynjaja, se shteti s’ka ç’bën, se gjykata të jep urdhër mbrojtjeje, që ai të rrijë 2 metra larg teje, po ju prapë një dhomë ndani.

E di, ke të drejtë, bota është e padrejtë me të dobtin, me të pafuqishmin, me të varfërin. Derisa kjo të ndryshojë, derisa ligjet të forcohen dhe një burrë që dhunon, të nxirret jashtë nga shtëpia e tij, merre fatin tënd në dorë; ik nga shtëpia, lëre atë dhomë që mund të të kthehet në varr. Ik! Shko të nëna jote, vëllai, motra, jeto poshtë pallatit, me fëmijët e tu. Nuk ka më rëndësi ku do jetosh, por a do jetosh…

Nuk jetojnë të gjitha kështu, nuk rrihen të gjitha kështu. Mos e justifiko se të ka thënë nëna, që të gjithë burrat të tillë janë.

Mos e justifiko se është bërë i tillë, ngaqë mbeti pa punë. Ndaj pi, ndaj të rreh, po në darkë e gjeni gjuhën.

Po nuk është jetë kjo. Po nuk është kjo jeta. Nuk ka justifikim për të. Edhe ti papunë je, po nuk pi. Ke përveshur mëngët, ke shtuar rrudhë mbi rrudhat dhe mban fëmijët me bukë e shkollë me ato lekët e shkallëve që pastron.

Nuk të ka në dorë jetën, ai që s’kontrollon dot të vetën. Mos ki frikë, nuk të bën dot keq, po ike. Po ndenje, po.

Po të pa të frikësuar, do të të japë edhe goditjen e fundit.

Ik, bëje atë hap që të shpëton  jetën.

Kjo është e gjitha, po je gjallë do ia dalësh. Nuk e di sesi, po ti do e gjesh.

Po të vrau, ai do rrijë ca kohë në burg, po ka lekë do dalë për vrasje në kushte të rënda psiqike. Kushedi ç’do bëhet me fëmijët e tu, kur nuk do jesh ti, që t’i shikosh e mbrosh.

Mos më thuaj, e bën për ta. Ti po rri, se ke frikë. Por kur nuk ke frikë të vdesësh, si paske frikë të jetosh?

Bëje, mos u mendo më! Mos paç fatin e Liljanës./Dritare.net

SHKARKO APP