Mos u mërzit Profesor Berti..!

Nga Julian Deda.

Kam ndjekur me vëmendje situatën dhe tensionin mediatik të krijuar këto ditë nga dialogu mes Robert Ndrenikës dhe Mirela Kumbaros. Të them të drejtën qellimisht u tregova shumë i matur për të shkruar dy fjalë dhe jo pa arsye. U tregova i matur, jo sepse nuk dija cilin krah të mbaja, por sepse nganjëherë një fjali e vetme thotë shumë më tepër se një shkrim i tërë. Në këtë rast, në atë fjali të thënë nga aktori i madh Robert Ndrenika ka gjithçka brenda, revoltë, mendim, dëshirë, mbrojtje, por mbi të gjitha ka histori.

Çfare tha ai? Po jua rikujtoj: “Nëse ndodh që godina e teatrit shembet, unë nuk do të tretem në gropë, por do të shtrihem atje”. Me dëgjim të parë duket si një kërcënim skenik, por po ta analizosh mire, vë re diçka tepër dramatike në të.

Më falni po a e kuptoni se sa e zemëruar është qënia e një artisti, përderisa ai detyrohet të prodhojë një fjali të tillë? A e ndjeni se ai nuk po tallet, se ai kur e thotë atë fjali ka parasysh gjithë karrierën, që njëkohesisht është edhe jeta e tij? Duam apo nuk duam ne, historia skenike e Robert Ndrenikes eshte njekohesisht edhe historia e secilit prej nesh.

Qe te jem i qarte. Si fillim dua te them se çdo investim qe behet në të mirë të artit është për tu pershendetur. Është shumë e vërtetë ajo që thotë Kryeministri se institucionet artistike kanë zënë pluhur, po është e vërtetë. Siç e mbështes plotësisht kur thotë se qeveria duhet të ndërtojë shtëpi te reja artistike për artistët. Jam plotësisht dakort, e ku ka më bukur. Por a është e vërtetë e gjithë kjo? Këto fjalë që po na thuhen, a kanë ndonjë bisht nga mbrapa? A mos e ka harruar Kryeministri, që për një pjesë të pluhurit ka kontribuar edhe ai vetë kur ishte Ministër Kulture?

Ditë më parë u zhvillua një takim i Kryeministrit dhe Ministres së Kulturës me artistë. Shumë mirë. Por pyetja ime është: Pse në këtë takim ishin të pranishëm vetëm ata që janë në krah të qeverisë (këtë po e them për të kuptuar se 95% artistëve të këtij vendi anojnë nga njëra apo tjetra parti. Pra nuk jemi vetëm ne që flasim, por edhe ata që nuk flasin kurrë, por i dallon takimeve të tilla). Pse ne këtë takim ishin ftuar vetëm ata, që sikur me jashtëqitje ta ndërtoje teatrin qeveria, përsëri do jenë dakort me të? Nuk më zune sytë asnjë, që mund të kishte ndonjë mendim ndryshe, konstatova vetëm duartrokitësa. Pse? Është e qartë, sepse qeveria nuk ka kohë të merret me replika artistësh, i duken të gjata dhe të merzitshme, por shpejton drejt paketimit të projekteve dhe vjeljes sa më shpejt te atyre lekëve, që do shkojnë në xhepat e partisë. Dhe e dini pse, sepse po vijnë zgjedhjet dhe duhen lek për ti blerë.

Ja pra, këtë arrogancë e ndjejnë edhe artistët (sigurisht jo ata që ishin aty në sallë, atyre u duket sikur po i bën nder), këtë ndjeu dhe Profesor Berti përpara se të prodhonte atë fjali që ja plasi në sy shtetit pa ju dridhur qerpiku. E për fatin tuaj të keq artistet dhe aq më tepër nje artist me eksperiencë si Zotria, e ndjen edhe më shumë paqartësinë për këto projekte. Ai ka frikën e ndonjë kulle 25 katëshe, por askush nuk e shpjegoi. Askush nuk u mundua ta qetësoje aktorin. U mjaftuan me një: e ftuam por nuk erdhi.

I dashur Profesor Berti, a do shembet apo jo teatri, këtë nuk di të ta them, por një gjë është e sigurtë, Rilindja ka bërë një seri shembjesh këto vite. Shembja e fundit ishte ajo e shpresës së mijëra maturantëve për tu shkolluar edhe pse kishin mesatare të lartë. Përderisa po shembin të ardhmen e rinisë, nuk e kane problem te shembin një teatër, që atyre i duket thjesht një ngrehinë, nga e cila mund të mbushin xhepat. Mos u mërzit Profesor.

SHKARKO APP