Mos u shqetësoni për Lulzim Bashën!

 

Nga Mero Baze

Ka një sërë spekulimesh me fatin politik të Partisë Demokratike më 21 Qershor dhe pasojat që mund të ketë rezultati për kryetarin e saj formal Lulzim Bashën. Spekulimet vijnë nga sondazhet e këqija që kanë nisur të publikohen për minimumin historik të PD-së në Shqipëri dhe rezultatet e pritshme negative në një shifër absolute bashkish.

E vërteta është se Partia Demokratike është në kuotat e saj më të ulëta, por kjo nuk do të thotë që shumë kandidat të saj kanë shanse reale për fitore që vijnë nga problemet me kandiatët e së majtës, me rendjen pas votave për parti në koalicionin e stërmadh të Edi Ramës dhe lirinë për të votuar kë kandidat të duan, si dhe probleme që vijnë nga konsumimi i pushtetit. E sigurtë është, që secili kandidat i PD-së mund të marrë vota më shumë se PD-ja edhe nëse nuk ia del të fitojë.

Por rreziku që PD të marrë një rezultat final katastrofik është i hapur. Edhe në disa rrethe ku PD-ja ka kandidat të mire, që janë afër fitores problemet brenda PD-së dhe harxhimi i kohës prej Lulzim Bashës, më shumë kundër armiqve të brendshëm sesa ndaj kundërshtarit, po i dëmton ata seriozisht. Figurat tradicionale të PD-së janë përjashtuar nga fushata dhe ndonjë ndihmë e tyre për ndonjë kandidat shikohet si diversion ndaj Bashës dhe i prish punë më shumë kandidatit pasi e ftoh me partinë. I futur në psikozën e rrezikut të karriges pas 21 qershorit, Basha duket se po i bie shkurt, duke harxhuar më shumë energji brenda PD-së që të mos ketë probleme pas zgjedhjeve, sesa për të mundur Edi Ramën.

Dhe kjo vetëm sa e thellon dhe më tej shansin e humbjes së thellë të PD-së.

Por a do të ketë pasoja Basha pas një rezultati të pritshëm të keq?

Mendoj se jo. Rezultati nuk do të tronditë askënd dhe natyrisht as Bashën. Ata që thonë se Berisha do të rikthehet pas kësaj, janë thjesht duke bërë lojëra fjalësh se Berisha s’ka ikur asnjë moment. I emëruari i tij formal, Lulzim Basha jo vetëm që do të ketë mbrojtjen e tij të plotë, por do ta përdorë këtë rast dhe për të fajësuar kritikët e tij brenda PD-së, që mund të kërkojnë largimin.

Ajo që i intereson Sali Berishës është një humbje e Bashës dhe mbajtja e tij kryetar "si qen i rrahur", që të mos ketë mundësi në asnjë rrethanë t’i bëjë karshillëk Berishës. Ai e do aty në zyrat e SHQUP-it, kokëulur, të pafuqishëm, të bindur dhe të gatshëm të pranojë çdo skenar politik të ofruar prej tij.

Një fitore e madhe e pritshme e së majtës, do të jetë për Berishën shansi për të hedhur në lëvizje radikale PD-në, duke e sugjestionuar atë me mungesën e shpresës për të fituar zgjedhje me votë në çdo rrethanë. Ai po pret pikërisht atë moment kur fitorja e madhe të majtës të bëjë pa shpresë për rikthim në pushtet grupe militare dhe militantë brenda PD-së, për t’i pasur ata mbështetës të thirrjeve për përmbysje dhe largim nga parlamenti.

E gërshetuar kjo me efektet e krizës ekonomike dhe reçesionit të ekonomisë, Berisha shpreson pikërisht tek humbja, më shumë se tek ndonjë rezultat inkurajues sa i takon ngritjes së PD-së. Në thelb, Berisha nuk do një rezultat që tu japë shpresë të vetëve tek lidershipi i Bashës, por një rezultat që i jep shans tezave të tij dhe që mban Bashën si kryetar formal në zyrat e SHQUP-it nën mbrojtjen e tij.

Për këtë shkak, debati për të ardhmen e Bashës nuk ka kuptim. Nuk ia vlen të shqetësohesh për të, për aq kohë sa ai është në atë detyrë jo për të fituar PD-ja, por për të mos ikur Berisha dhe familja e tij nga pushteti. Fushata elektorale drejtohet tërësisht nga familja Berisha dhe i biri i tij dhe po ai vet është dhe kontrollues i debateve publike të PD-së, apo mediave afër saj në mënyrë direkte. Këtë hapësirë, Basha ia ka dhënë me qetësi dhe i bindur se është e vetmja mënyrë për të ndarë përgjegjësitë pas zgjedhjeve.

Duke mos qenë i rrezikuar në detyrën formale të kryetarit, Basha po ashtu nuk është i rrezikuar as të prishet me Berishën pas zgjedhjeve. Ai mund t’i tregonte dhëmbët Berishës vetëm nëse ky i fundit do të kërkojë largimin etij. Por Berisha as që ka ndërmend t’i hyj këtij formaliteti. Atij i duhet në atë karrige, pikërisht Lulzim Basha, humbës, i pambështetur, i padobishëm dhe i paaftë të jetë një lider fitues. Njësoj siç e shpalli në mënyrë poshtëruese kryebashkiak të Tiranës nga minus dhjetë vota, duke mbedhur vota në kosha plehrash të legalizuara nga Ristani, njësoj siç e bëri kryetar të PD-së në mënyrë poshtëruese duke kërcënuar çdo kundërshtar të tij dhe në fund duke i detyruar të votojnë hapur për të, ashtu i duhet të mbajë kryetar partie edhe pse do të humbasë. Filozofia e Berishës është, që në bilancin e Bashës të ketë vetëm trofe të dhuruara nga Berisha dhe jo ndonjë fitore të tij. Dhe si i tillë, s’ka pse kërkon largimin e tij. Largimi i Bashës riekspozon Berishën formalisht si kryetar i asaj partie dhe kjo do të përsërisë urrejtjen e shqiptarëve ndaj tij. Basha e bën mirë punën e rrufepritësit në këtë rast, duke përdorur dhe të vetmin element që ka avantazh me Berishën, duke qenë më i gjatë se ai. Ndaj mos u shqetësoni për fatin politik të tij. Berishës nuk i duhet PD-ja për të rifituar pushtetin, por për të mos humbur sigurinë se një ditë mund të përballet me drejtësinë. Basha e plotëson më së miri rolin e rrufepritësit për të. Dhe merr si bonus të qëndruarit në krye të PD-së edhe si humbës.

Gazeta Tema

SHKARKO APP