Mustafa Nano: Rama ka qejf të punojë më “djemtë e këqinj”

Mustafa Nano ka analizuar në një shkrim të botuar sot tek Shqip, atë që ai e cilëson si kriminalizim të shoqërisë.

Sipas tij, këtu është e korruptuar edhe shoqëria dhe elitat e saj.

Dhe, këtë gjë, shkruan Nano, po e shfrytëzon Edi Rama, që sipas tij, ka qejf të punojë me “djemtë e këqinj”.

Opinioni publik ose më saktë asambleja e madhe e qytetarëve (public body), që ka humbur busullën deri në atë masë, sa s’e ka për gjë të vihet në mbështetje të banditëve gjithfarësoji. Sigurisht, në këtë mes kemi përgjegjësi që të gjithë, e në radhë të parë e mbi të gjitha ka përgjegjësi politika, sepse është pikërisht kjo që bëri çmos derisa ia doli të thante çdo filiz të mendimit kritik, të korruptonte, shkurajonte apo ftohte bartësit e përfaqësuesit e këtij mendimi, e të krijonte këtë Shqipëri ku ajo konkurron e gjallon e vetme, pa pasur frikën se duhet të përgjigjet diku a për diçka. Kjo situatë ka sjellë që ajo jo vetëm të jetë e korruptuar, por edhe të mos bëjë asnjë përpjekje për ta fshehur këtë fakt; që ajo jo vetëm të mos e vërë ujin në zjarr për njerëzit e dijshëm në Shqipëri, por edhe t’i poshtërojë këta njerëz të dijshëm, duke u bërë aleate me bandat e rrugës.

Edi Rama ka dalë fare zbuluar në këtë mes. Fillimisht është menduar se ai i ka bërë këto zgjedhje të diskutueshme në planin moral e legal, por inteligjente e të nevojshme në planin elektoral. Kjo gjë, për mua, do të ishte një expedient i kuptueshëm dhe i falshëm në rrethanat që kundërshtari s’e kish për gjë që t’ia vidhte zgjedhjet sy më sy e faqe botës, por ja që nuk na paskësh qenë kështu. Rama, edhe në zgjedhjet e pushtetit lokal, kur banda e rrezikshme nuk e kish më në dorë procesin zgjedhor, këmbënguli të zgjidhte si kandidatë ca njerëz me kredenciale të dyshimta, gjë që tregon se djemtë e këqij nuk i ka pasur si një expedient; jo, me sa duket ai ka qejf të punojë me ta”, shkruan Nano.

Sipas Nanos, shoqëria shqiptare është aq e korruptuar, sa betejën për dekriminalizimin po e udhëheq Sali Berisha.

Kjo për të është tronditëse.

Por për këtë çështje është folur nga shumë vetë. Gjëja për të cilën nuk është folur, ka lidhje me pyetjen: Ok, politika ka qejf të punojë me banditë, por si ka mundësi që zgjedhësit nuk japin shenja disaprovimi kur u duhet që t’i votojnë këta banditë? Si ka mundësi që e keqja te ne ka një tërheqje më të madhe sesa e mira? Në terma më konkretë, si ka mundësi që zgjedhësit e Lezhës, të Shkodrës, Kamzës, Peqinit, Mirditës etj., etj., ua japin votën njerëzve, për të cilët ata janë mirë të informuar se kanë bërë prapësira jo të vogla në këtë dynja?

Përgjigjja është e thjeshtë. Problemi nuk është Lezha, Laçi, Kamza etj., apo përfaqësuesit e tyre në parlament e në organet qeverisëse. Problemi është e gjithë shoqëria (public body, public opinion), e cila, në ndryshim nga gjetkë, qoftë dhe në SHBA, nuk është thjesht e çoroditur apo e shastisur. Është dhe e korruptuar. Tërësisht e korruptuar. Aq e korruptuar sa janë vetë votuesit që zgjedhin vullnetmirë banditë gjithfarësoji si përfaqësues të tyret në organet qeverisëse. Aq e korruptuar, sa luftën kundër korrupsionit e bëjnë më të korruptuarit. Aq e korruptuar, më në fund, sa betejën për dekriminalizimin po e udhëheq – ëoë! – Sali Berisha, që është babai i krimit, madje krimi vetë”, e mbyll ai.

SHKARKO APP