Myslimanët dhe urrejtja kundër hebrenjve, e re apo e vjetër?

Politologu David Ranan ka polarizuar me tezat e tij për antisemitizmin mysliman. Në intervistë me Deutsche Wellen ai kërkon një qëndrim më të diferencuar ndaj qëndrimeve antisemitiste në Europë dhe Lindjen e Mesme.

Mobing kundër nxënësve hebrenj, sulm kundër një personi me kipa në Berlin, dy reperë gjermanë që me vargje këngësh pa shije dhe të perceptuara si antisemite morën një çmim: Antisemitizmi duket se po marshon në Gjermani. Sipas një statistike aktuale për kriminalitetin, Ministria Federale e Punëve të Brendshme thotë se ai ka shënuar rritje të lehtë në 2017-n, 2,5% të veprave penale me motive politike, ku mes tyre shënohen edhe sulmet kundër hebrenjve apo qendrave të tyre. Si autorë të sulmeve dalin në pah gjithnjë e më shumë myslimanë. Komunitetet hebraike i tremben rritjes së numrit të emigrantëve nga rajone arabe se mund të rritet edhe numri i antisemitëve në Gjermani.

Politologu gjermano-britanik dhe ekspert i antisemitizmit, David Ranan i është ofruar këtij debati me librin e tij „Antisemitizmi mysliman. Një rrezik për paqen shoqërore në Gjermani?”, duke zhvilluar 70 intervista me myslimane dhe myslimanë në Gjermani dhe Britaninë e Madhe. Shumë prej tyre kanë maturë apo kanë studiuar. Përgjigjet e të intervistuarve „për hebrenjtë” lexohen si klishetë tipike antihebreje. Ato kapin „të gjithë spektrin nga pushteti i hebrenjve, paratë e hebrenjve dhe gati specifik, se cilat rrjete supermarketesh në Gjermani i përkasin hebrenjve”, shpjegon Ranan në intervistë me Deutsche Wellen. Politologu shprehet i habitur se edhe një inxhiniere e re fliste për teoritë konspirative „të 120 cionistëve që sundojnë të gjithë botën”. E pyetur se çfarë e përbën një cionist, ajo vetëm tha, „këtu ka paqartësi.”

Roli i prejardhjes

Në këtë pikë qëndron pika kyçe e debatit, mendon Ranan, lindur në vitin 1946, e vetë hebre. Ku fillon antisemitizmi dhe si dallohet ai nga anticionizmi dhe kritika e ashpër ndaj Izraelit? Kjo është pyetja që ai trajton në librin e tij. Shpesh këto nocione përdoren si sinonime. Por një dallim mes tyre është i rëndësishëm, për të kuptuar më mirë studimet për qëndrimin antisemitist të hapësirës arabe, shpjegon eksperti. „Rregullisht thuhet, se ka antisemitizëm dhe se gjëra të caktuara janë antisemite”, thotë Ranan. „Por nuk ka një ujdi se çfarë është ai.” Edhe ai vet nuk ka një përgjigje përfundimtare. Ranan përkrah më shumë përkufizimin e filozofit britanik, Brian Klug që e përcakton antisemitizmin si „një lloj armiqësie kundër hebrenjve, si hebrenj‘, pra për cilësi që iu mvishen atyre.”

Eksperti sheh dallime të mëdha mes antisemitizmit të vjetër në Europë dhe qëndrimit relativisht të ri të shumë myslimanëve, që e ka origjinën në Lindjen e Afërt. Izraeli përjetohet si i fuqishëm, palestinezët të pafuqishëm. E është pikërisht kjo ndjesi pafuqie që i nxit myslimanët e rinj të ndërmarrin aksione kundër hebrenjve. Sipas tij shkas për këtë antisemitizëm, ndryshe nga antisemitizmi europian është një ndjesi e përjetuar realisht e padrejtësisë.

„Ndërsa urrejtja e krishterë, raciste, e zhvilluar në Perëndim është diçka tjetër”, thotë Ranan. „Ajo filloi me idenë se hebrenjtë vranë Jezusin, pra Zotin, dhe kjo është për të krishterët sigurisht e pafalshme.” Kjo histori nuk ekziston tek myslimanët. Sipas Ranan mes „myslimanëve dhe hebrenjve ekziston një konflikt territorial për një vend.”

Ranan nuk do të paragjykojë myslimanët e t’i paraqesë ata më të rrezikshëm se grupime të tjera. Dhe shifrat i japin të drejtë. 95% e veprave penale me sfond antisemitist nuk kryhen nga myslimanët në Gjermani, por nga ekstremistët e djathtë. Kjo është përgjigja që qeveria gjermane i jep një kërkese të zëvendëspresidentes të Bundestagut, Petra Pau (e Majta) në shkurt 2018.

Jo frikë?

Megjithatë libri i Ranan ka polarizuar. Nga pala hebreje ai dëgjon akuzën e relativizimit. „Çështja është nëse ka arsye për frikë”, thotë Ranan për DW. „Besoj se frika nxitet pjesërisht nga pala hebreje, pjesërisht nga filosemitë dashamirës gjermanë, pjesërisht nga politikanë kalkulues gjermanë”. Ajo që ka parasysh Ranan: Edhe AfD paraqitet, për arsye instrumentalizuese si parti „miqësore hebreje”, megjithëse jo pak përfaqësues të kësaj partie janë shprehur në mënyrë antisemitiste.

Për „arsye të kuptueshme” gjithçka që lidhet me frikën e hebrenjve gjen jehonë menjëherë tek politika dhe një pjesë e popullsisë gjermane, beson Ranan. „Por nuk duhet harruar, se populli hebre, minoriteti hebre në përgjithësi dhe në Gjermani veçanërisht është një minoritet i privilegjuar. Ata ndjehen mirë dhe zëri i tyre dëgjohet.” Sipas tij situata për rreth 5 milionë myslimanë në Gjermani është shumë më e vështirë. „Ata as nuk kanë akces në diskurs, dhe as nuk dëgjohen.”

SHKARKO APP