Myslimanët në Britaninë e Madhe: “Ne nuk ndihemi fajtorë”
Çfarë mendojnë myslimanët në Britaninë e Madhe përballë shpërthimit të ri të dhunës? Myslimanët duhet të veprojnë si të gjithë qytetarët e tjerë, thotë zëdhënësi i Shoqatës së Myslimanëve në Londër.
Deutsche Welle: Si reaguan komunitetet myslimane ndaj atentateve në Londër në fundjavën e kaluar?
Talha Ahmad: Ishin të shokuar dhe nuk e besonin dot që mund të ndodhë një gjë e tillë. Para atentateve të kohës së fundit, në Londër nuk ka pasur atentate të mëdha (që prej 2005, v.red.). U bë e qartë se edhe këtë herë kemi të bëjmë me kriminelë, që besojnë se mund t’i kryejnë këto akte në emër të besimit tonë. Ne jemi edhe të zemëruar, sepse akte të tilla në fakt na dëmtojnë më shumë ne myslimanëve.
Shumë kërkojnë tani që myslimanët të tregohen më aktivë, të demonstrojnë dhe të përkujtojnë në heshtje. A jeni i këtij mendimi?
Asnjë komunitet nuk duhet të ndihet fajtor për një krim, vetëm, sepse atë e kanë kryer rastësisht pjesëtarë të këtij komuniteti. Si myslimanë ne nuk kemi përgjegjësi më të madhe për të demonstruar ose për të treguar interesimin tonë. Si qytetarë që e marrin seriozisht rolin e tyre në shoqëri, përkundrazi është detyra jonë që ta hapim gojën. Thjesht nuk është korrekte që t’u bësh thirrje myslimanëve që të demonstrojnë ose që të distancohen, vetëm sepse janë myslimanë. Kjo vetëm do ta nxiste islamofobinë. Myslimanët duhet të veprojnë si çdo qytetar tjetër: të ngrejnë zërin dhe të mos u lënë hapësirë atyre që ushtrojnë akte të tilla dhune.
Ky akt barbar nuk ka vend në fenë islame. Të gjithë ata që ndërmarrin akte të tilla, e bëjnë këtë për shkak të energjise kriminale dhe e keqpërdorojnë besimin. Ne myslimanët nuk ndihemi fajtorë, por jemi të shqetësuar. E para, sepse mund të bëhemi vetë viktima të një atentati të tillë, gjë që tashmë ka ndodhur. Së dyti, shumë prindër myslimanë janë të shqetësuar se të rinjtë mund të bien në kurthin e “Shtetit Islamik”.
Çfarë mund të bëjë organizata juaj, që të pengohet një shkarje e të rinjve në ekstremizëm?
Natyrisht që kjo është çështja e madhe që shtrohet – dhe ndoshta për këtë askush nuk ka një përgjigje për të qenë. Ne theksojmë dhe përsërisim gjithmonë, se në fenë islame nuk ka vend për këtë dhunë. Kushdo që t’i kryejë këto akte, me siguri që nuk mund të quhet mysliman, dhe aq më pak si dikush që ka kryer akte të mira.
Ne duhet t’u japim njerëzve mundësinë që të flasin për frikën që kanë se mos bijat e bijtë e tyre stigmatizohen ose bien pre e ideve ekstremiste. Ajo që është më e rëndësishmja: i bëjmë thirrje qeverisë që të tregojë vullnet për të folur me myslimanët. Në mënyrë që myslimanët të mos krijojnë përshtypjen se ndodhen nën dyshim të përgjithshëm.
Talha J. Ahmad është zëdhënës i Muslim Council in Britain (MCB).
Bisedën e zhvilloi Friedel Taube.