Na ishte njëherë Partia Socialiste

 

Nga Dritan Hila/

Kur në përvjetorin e njëzet e katërt të themelimit të PS, Edi Rama përmendi "socialistët e Ilir Metës" , nuk ishte provokim ndaj aleatit të tij që ti kujtonte se LSI-në po e mban me miell hua. Realisht PS është transformuar kaq shumë në udhëheqjen e saj, saqë nuk ka lidhje me socialisten që shqiptarët mendonin dikur. I gjithë procesi selektiv i kandidatëve të bashkive kishte lidhje me projektin e Ramës për partinë e vitit 2017. Dhënia e pushteteve reale njerëzve të cilët i përputhen synimit të tij, është faza e fundit e shndërrimi. Në udhëheqjen e partisë, në pushtet qëndror dhe lokal, komandojnë njerëzit e Edi Ramës.

 PS-ja e vjetër që mund ti sillte pengesa, tashmë nuk ekziston më, janë larguar duke pranuar karrigen e spektatorit, ose vendosur në karantinë. Brezi i ri i cili mendohej të ishte pasardhësi i gardës së vjetër, u shpartalluan nga Rama. Përjashto Blushin, të tjerët përpiqen ti shfaqin besnikërinë dhe falsifikojnë letrat si simpatizantë të hershëm të tij. Erion Veliaj ka grupin më të strukturuar dhe tashmë edhe me resurset që ofron bashkia, po përgatitet dhe ka shumë gjasa ta trashëgojë PS-në.  Me njerëz të sjellë nga "MJAFT"-i, të vendosur në pozicione kyçe, pret çastin të marri timonin. Thënia e Ramës në një nga intervistat elektorale se "as e mendonte dhe as e vendoste ai që Veliaj të merte PS", është nga pohimet e zakonshme të tij, kur realisht është pikërisht ajo që ka në mëndje. A nuk tha se “Veliaj nuk do të jetë kandidat për Bashkinë e Tiranës”, pak para se ta shpallte? 

E vetmja pengesë që mund të kenë është Sajmir Tahirit, një lloj Thanas Vaja i Edi Ramës. Besnik; nga njerëzit efiçentë të një qeverie që ka probleme serioze me mediokritetin; makinë efikase elektorale; i mungon karizma publike dhe aftësia të krijojë mbështetës apo aleanca jashtë krahinës së prejardhjes për të pretenduar trashëgiminë e PS-së.  Mungesa e proceseve përzgjedhës sipas normave të një partie, atrofizimi i demokracisë së brendshme, ka sjellë eliminimin e talenteve të tjerë që mund të vijnë si rezultat i evolucionit natyral, proces që është zëvendësuar nga krijesat e laboratorit të Ramës. Pjesa vendimmarrëse e PS për aq sa ju ka deleguar shefi i tyre, tashmë përbëhet nga ish punonjës bashkie, shefa OJQ-sh, apo antarë të MJAFT-it. Administrata operative, ajo që ka edhe titujt ekzekutiv dhe jetën ekonomike, janë përzgjedhje të Ramës dhe i përgjigjen direkt atij. Rama nuk i ka lënë asgjë në dorë rastësisë që PS të transformohet në diçka që nuk do ai.

Gjithë ky ndërrim emrash, mund të cilësohej ndërrim brezash. Por Partia e re Socialiste nuk ka thuajse asgjë socialiste as në program që të përputhë emrin me thelbin dhe as ka zbatuar ndonjë reformë të majtë në dy vjet qeverisje. Faktet janë kokëforta. Në vitin 2013, në fund të qeverisjes se PD, me miratimin edhe të PS, ndryshohet Kodi i Procedurës Civile përsa i takon pasurive të hipotekuara për kredi në banka, duke favorizuar këto të fundit dhe penalizuar rëndshëm privatët dhe pronarët e banesave të cilët nëse nuk shlyejnë tre këste, shtëpia ju nxirret në shitje dhe brenda një periudhe rekord pranohet oferta edhe nën vlerën e tregut, mjaft të shlyejë bankën, duke e lënë banuesin në rrugë të madhe. Taksa progresive, rezultoi kamzhik për shtresën e mesme. Ka mbi dhjetë vjet që në paga nuk indeksohet inflacioni. Ka 25 vjet që nuk përllogaritet niveli zyrtar i varfërisë, duke lejuar abuzime me nivelin e asistencës sociale. Ndihma ekonomike është 8.000 lekë, por një pjesë trajtohen me 2.000 lekë. Shqipëria ka rreth gjysëm milion pensionistë, ku një pjesë e mirë marrin pensione që nuk kalojnë 100 eurot në muaj. Mardhëniet publik-bankë, shtëpia, mbrojtja e shtresës së mesme, pensionet, taksat, asistenca, të gjitha këto tema, janë flamuri i të majtës botërore. Por tek PS-ja nuk ka shenjë.

I fundmi ledh që PS të kthehej në një formacion të tipit "Lista Edi Rama", ishte nëse baza e së majtës do ti pranonte këto ndryshime. Zgjedhjet bashkiake ishin testi i fundit. Ashtu si në 2009-ën, Rama i hodhi gjithë gurët në tavolinë, por këtë radhë jo për të nxjerrë jashtë loje klasën politike kundërshtare, por të marrë hipotekën e PS. Ja doli. Pas kësaj, do të vijë matja e peshave me Ilir Metën, sesa feta nga torta e të majtës i takojnë njërit dhe sa tjetrit. Por atëherë Rama do ta dijë se feta me emrin PS, është komplet e tij. Mund ta quajë edhe "Lista Rama". Publikut i mbetet të shpresojë se një eksperiencë e dështuar në Itali si ajo e listave personale politike, mund të funksionojë këtu. Por eliminimit të një prej krijesave më genuine të demokracisë partiake si PS-ja, do të ketë kosto në zhvillimin demokratik të vendit. Dhe lënia e vendit pa një parti të majtë, do të krijojë probleme sociale në rritje. Pasi edhe në vazhdoftë të mbajë siglën e PS për t'iu marrë votën votuesve të moshës së tretë që kërkojnë një logo identifikimi apo personave që për lustër ju pëlqen të quhen të majtë, Partia Socialiste sot e më tej do të jetë diçka që Rama do, por që nuk ka më lidhje me të majtën dhe idealet e saj.

SHKARKO APP