Na mundi të gjithë si një mik i përpiktë, prandaj iku si fitimtar
Nga Ben Blushi
Bashkim Fino ishte socialisti më i dashur që mund të njohësh, Kryeministri më optimist që mund të takosh dhe miku më i ndershëm që mund të kesh. Bashkim Fino ishte politikani i vetëm që e dinte gjithnjë vendin e vet, që nuk kërkonte kurrë vendin e dikujt dhe askush nuk merrte dot vendin e tij.
Me Bashkimin çdo fitore ishte e sigurt dhe çdo humbje ishte një fitore, qoftë ajo në domino, një ndeshje apo një palë zgjedhje kombëtare.
Aftësia më e rrallë e Bashkimit ishte ekuilibri që gjente mes gjërave, që në vendin tonë quhen të mëdha, si politika, ligjëvënia, influenca dhe shteti dhe gjërave që bëjnë jetën e përditshme të njeriut dhe që prandaj duken të vogla, si nderet ndaj miqëve, një telefon, një ngushellim, një gol, një kollaro apo një puro.
Bashkim Fino i kushtohej me të njëjtin pasion dhe frymëzim si rishikimit të një ligji ashtu edhe një kampionati futbolli, si një fjalimi në parlament ashtu edhe lidhjes së një kollareje, si ndryshimit të një qeverie edhe ndryshimit të një rregulloreje futbolli. Nëse ka fjalë që e sintetizon Bashkim Finon është përpikmëria. Bashkimi ishte njeriu më i përpiktë që kam njohur.
Ishte i përpiktë si mik, si shok, si burrë, si fëmijë, si politikan, si tifoz, si kundërshtar, si duhanxhi, si tekanjoz, si kokëfortë, si mbështetës, si kandidat, si pacient dhe jam i bindur si baba dhe si bashkëshort. Përpikmëria e tij ishte ngjitëse, dominuese dhe e pakonkurrueshme.
Bashkim Fino na mundi të gjithë si një mik i përpiktë dhe prandaj iku si fitimtar. Duke nxituar për të qenë i përpiktë si çdo herë, dje u nis më herët dhe arriti më shpejt se ç’duhej.
Arriti gjithë hir sapo u thirr si bir!