Na mungon ekonomia e dijes

Nga Irena Beqiraj-“Burimi i vërtetë i pasurisë së një kombi – mbështetet në themelet e dijes , inovacionit dhe institucioneve shoqërore që ndërtojmë, të cilat jo vetëm na mundësojnë një bashkjetësë paqësore me njëri- tjetrin por lehtësojnë bashkëpunimin për të mirën tonë të përbashkët “

Kjo fjali e thjeshtë e Joseph Eugene Stiglitz (fitues i ҫmimit Nobel në Ekonomi) qartazi tregon që edhe nëse ritmet e rritjes ekonomike do të jenë të larta, nëse kjo rritje nuk shoqërohet me norma të kënaqshme të transformimit produktiv, i cili lidhet me dijen, teknologjinë dhe inovacionin nuk mund të gjenerojmë vende pune cilësore dhe rrjedhimisht nuk mund të gjenerojmë mirëqenie. Në këto kushte, rritja ekonomike do të funksionojë vetëm për një numër të kufizuar qytetarësh, jo për të gjithë.

Indeksi Global i Inovacionit 2020, analizon cilësinë e themeleve të 131 ekonomive në botë . Ai e rendit Shqipërinë në vendin e 83-të. Për më tepër, Shqipëria është e fundit në renditje për gjithë Ballkanin Perëndimor. (Mali i Zi zë vendin 49, Serbia vendin 53, Maqedonia renditet e 57-a dhe Bosnje Hercegovinë e 74-a). Sipas këtij indeksi Mali i Zi rezulton 6 here i sukseshëm në inovacion , në vitet 2020, 2019, 2018, 2015, 2013, 2012, ndërsa Serbia rezulton 3 herë në vitet 2020, 2018, 2012. Shqipëria asnjë herë.

Në bazë të strukturës së këtij indeksi, Shqipëria renditet në vendit 119 në botë dhe e fundit në rajon në komponentin e “produktit të dijes dhe teknologjisë”, pra ka performacën më të ulët në krijimin, impaktin dhe shpërndarjen e dijes. Po ashtu Shqipëria renditet në vendin e 95-ë në botë dhe e fundit në rajon, në komponentin e kapitalit njerëzor dhe kërkim zhvillimit, komponent ky që përfshin, arsimin parauniversitar, arsimin universitar, si dhe kërkim zhvillimin. Ndërkohë, në të gjithë komponentet e tjerë të strukturës së këtij indeksi, Shqipëria nuk e tejkalon vendin e parafundit në rajon.

Ky indeks tregon që ekonomisë tonë i mungon “virtyti bazë” aftësia për inovacion. Ka disa arsye që kanë ccuar në këtë situatë. Së pari, politikat neoliberale të mbështetura tek “Konsensusi i Washingtonit” na drejtuan drejt pranimit pa ekuivok të faktit se, eficienca e tregjeve është mekanizmi i vetëm, i cili mundëson rishpërndarjen optimale të burimeve qoftë ky edhe kapitali njerëzor. Duke ndjekur tregun, i cili u provua jo eficient, si dhe në mungesë të plotë të mekanizmave rregullues nga politikëbërja, sot vetëm 12 % e të rinjve tanë studiojnë në degët që lidhen tradicionalisht me inovacionin si inxhinieritë, prodhimi dhe ndërtimi. Arsimi i lartë i ridrejtuar në këto degë është kyҫ për një ekonomi si jona që tenton të lëviz përtej proceseve të thjeshta të prodhimit, më lart në zinxhirin e vlerës.

Së dyti, Shqipërisë i ka munguar (me dashje ose jo) përparësia që duhet t’i jepte shteti, arsimit parauniversitar, përparësi e cila matet me shpenzimet publike për një nxënës që ndjek arsimin parauniversitar. Ky nivel për Shqipërinë është tejet i ulët , 416 dollarë në vit për nxënës ose sa 8% i PBB /frymë. Për Serbinë këto shpenzime janë 11.2 % e PBB/frymë ose 822 dollarë për nxënës dhe për Zvicrën që mban vendin e parë në renditjen botërore këto shpenzime jannë 24.5% e PPB/ frymë ose 20,088 dollarë për nxënës. Por lajmi më i keq vjen nga kërkim- zhvillimi që realisht dhe fatkeqësisht për ne është i munguar deri në pamatshmëri dhe rrjedhimisht i pakrahasueshëm.

Së treti, ekonomisë tonë i mungojnë tërësisht sistemet kombëtare të inovacionit, të cilat përbëhen nga kompanitë private, universitetet, institutet /laboratorët kërkimorë publik apo privat, agjencitë qeveritare dhe institucione financiare, ekzistenca dhe bashkëveprimi i të cilave është jetik dhe i pazëvendësueshëm për zhvillimin e inovacionin brenda një sektori të caktuar. Një pjesë e këtyre aktorëve janë tërësisht të munguar por edhe ajo pjesë që ekziston në sektorë të caktuar ka pak ose aspak ndërveprim. Mungesa e këtyre sistemeve kushtëzon krijimin , shpërndarjen dhe impaktin e njohurive në ekonomi.

Ndërkohë që në kontekstin ekonomik botëror fokusi i zhvillimit ka lëvizur nga konkurrenca në tregje, tek konkurrenca për tregje, (konkurrencë e cila mund të fitohet vetëm nëpërmjet ekonomisë së dijes) .Shqipëria akoma nuk e ka dijen të mirë publike dhe nuk zotëron në asnjë sektor, asnjë sistem funksional kombëtar për dijen dhe shpërndarjen e saj.

Sot nëpër sirtarët e administratës publike flenë të plurosura plot 14 stategji programe dhe plane zhvillimi (citoj: Strategjia e dytë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (NSDI II, 2015 – 2020; Plani Kombëtar për Integrimin Evropian (NPEI) 2016-2020; Programi Kombëtar i Reformës Ekonomike për Shqipërinë (NERP) 2018-2020; Programi i Reformës Ekonomike 2019 -2021; Strategjia e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve 2014-2020 (BIDS); Strategjia Shqiptare e Inovacionit dhe Teknologjisë së Biznesit 2017-2022; Strategjia Kombëtare e Turizmit 2014-2020; Strategjia për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në Shqipëri 2014-2020; Strategjia Kombëtare e Energjisë 2018-2030, Strategjia për Zhvillimin e Industrisë Jo-Ushqimore 2016-2020; Strategjia Kombëtare multi-sektoriale e Cilësisë së Mjedisit 2013-2020; Strategjia Kombëtare dhe Plani i Veprimit për Barazinë Gjinore 2016-2020; Punësimi Kombëtar 2014-2020 dhe Plani Kombëtar i Veprimit për Rininë 2015-2020.)

Pak ju njihet përmbajta , por druaj se dhe më pak do t’iu njihen rezultatet!!!!

Askush sot në Shqipëri ( as duke shfletuar strategjitë e mësipërme) nuk është në gjendje t’i përgjigjet pyetjes se cilët janë 3 sektorët apo industritë prioritarë të së ardhmes sonë ekonomike ? Sa janë burimet që duhet për t’i nxitur apo për të ngritur rreth tyre sistemet kombëtare të inovacionit, si bërthama të ekonomisë së dijes ?

E nxiva ca, këtë e di, por punët janë edhe më zi!

SHKARKO APP