Na nxijnë? Jo. E nxijmë vetë!

Ditët e fundit ka bërë shumë përshtypje botimi i një serie shkrimesh në organe mediatike britanike, franceze dhe italiane për Shqipërinë. Por, ndërsa artikujt e medias së shkruar duken disi hipotetike, ajo televizive ka dhënë dy reportazhe, të cilat sjellin një fytyrë tjetër të Shqipërisë, lidhur me kontrabandën e armëve. Nuk është e para herë dhe me sa duket nuk do të jetë e fundit, që Shqipërisë do i faturohen situata të tilla. Ajo që duhet të na shqetësojë është ushqimi ynë ndaj këtyre mediave.

Për hir të së vërtetës, produkti i tyre duket se është krejt “i logjikshëm” kur ke parasysh akuzat monstruoze që politikanët tanë bëjnë për njëri-tjetrin dhe fjalët që shkëmbejnë. Vetëm në Shqipëri duhet të ndodhë që Opozita mezi pret që kundërshtarët të përballen me vështirësi me rendin. Dikush lufton e dikush fërkon duart kjo ndodh vetëm tek ne. Ka ardhur koha që politika t’i thërrasë mendjes dhe të gjejë gjuhën se krimi është sëmundje në trupin e shoqërisë, që shkakton viktima në jetë, pasuri dhe në vetë mbarëvajtjen e shtetit, citojmë një nga politikanët e sotëm, që e kemi pasur pak ditë më parë tek JAVA.

Ndërkohë të dhëna alarmante i vihen përballë publikut, kur një krah i politikës prodhon pareshtur shifra kriminaliteti të paqena. Një gjë e tillë ndodhi me rastet e vrasjeve për vitin 2015. Por, se mos vetëm kjo. Nëse rasti i Lazaratit do të shikohej si një hap i mirë për vendosjen e shtetit ligjor realisht në praktikë, këtë e përjetoi jo mirë një pjesë e politikës, që nuk e kurseu anatemën ndaj shtetit dhe përqeshjen.

Nga ana tjetër, gjuha që përdor shpesh edhe pozita i jep argument reagimit të opozitës. Në një farë mënyre shqiptari i thjeshtë gjendet në mesin e sulmeve të dyfishta dhe e ka të vështirë të orientohet kur kriminelët, banditët, trafikantët, përdhunuesit (shprehje normale të politikës sonë) flasin me aq shumë bindje për kundërshtarët. Kur ish-presidenti i vendit Berisha flet me siguri për nxirje syri të ministrit të Brendshëm dhe rrahje të zëvendëskryeministrit në detyrë, kur deputetët e pozitës gjuajnë në parlament, lajmet për kontrabandën dhe furnizimin e ISIS-it, e humbasin peshën specifike në morinë e lajmeve të çastit dhe kthehen në normalitet. Ndaj, kur i shqiptojnë të huajt, shpesh nga burime që vetëm e nxijnë vendin, na mbetet thjesht të themi: E çfarë pastaj, ne e dimë! Ne e nxijmë vetë vendin tonë. (Java)

SHKARKO APP