Na vjedhin dhe na thonë budallenj!
Nga Blendi FEVZIU
Duhet të jesh budalla ta besosh! Duhet të jesh naiv të bësh pyetjen si ndodhi dhe duhet të jesh i trashë që të mos e kuptosh se vjedhja e parave në aeroportin e Rinasit, nuk është as grabitje me dhunë, as një vjedhje nga ato që ndodhin rëndom, por fare thjeshtë, dorëzim me mirëkuptim të një shume jo të vogël. Një shumë ku palët nuk po tregohen transparente dhe ku shifra reale, po zvogëlohet me herë. Duke tentuar kështu të minimalizohet edhe skandali.
Pyetja e parë shkon përtej vjedhjes dhe ka lidhje me sigurinë. Që prej 24 orësh, pas ngjarjeve të Stambollit, aeroporti i Tiranës ishte vendosur në masa sigurie të shtuara. Policë dhe forca speciale u shfaqën në TV duke bërë kontrolle dhe duke vonuar pasagjerët, ndërkohë që “hajdutët” nuk i shqetësoi askush. Imagjino, hajdutët hynë deri në pistë, pa i ndaluar askush dhe pa i shqetësuar njeri.
Nëse ata do kishin pasur objektiv jo lekët, por aktet e terrorit ata mund të bënin ç’të donin. Mund të merrnin peng një apo më shumë avionë; mund të hidhnin në erë një a dy prej tyre, madje mund të merrnin peng edhe vetë kryeministrin bashkë me delegacionin e tij sikur të ndodhej atë moment aty.
Pra, masat kundër terror, nuk patën asnjë vlerë, madje e nxorën gjithë planin e tyre në një situatë komike. Në këtë rast, ose gjithë struktura ishte e paaftë, ose ajo e dinte që ata që do hynin aty ishin thjeshtë hajdutë dhe nuk kishin punë me terrorizmin. Pra do merrnin atë që ju ishte caktuar të merrnin dhe do iknin. Kjo duhet hetuar seriozisht sepse realisht, kërcënon thellë sigurinë e vendit. Një vend që nuk mund të ruajë dot pistën e aeroportit qëndror, s’mund të jetë i aftë t’ju garantojë siguri qytetarëve të tij.
E dyta, të gjitha strukturat kanë falimentuar ose kanë bërë sikur kanë falimentuar. Ekipi i sigurisë privat, që shoqëronte paratë dështoi; ekipi i sigurisë së aeroportit që është gjithnjë aty, nuk pa gjë dhe dështoi; ekipet e gjithë llojeve të policisë, që nga ajo e rendit e deri tek rrugorja po ashtu dështuan. Kush e njeh atë zonë mund të qeshë me vete me shpjegimet e dhëna. Hajdutët kanë grabitur në pistë, pastaj kanë ecur disa kilometra nëpër një rrugë të ngushtë drejt Fushë Krujës. Mjaftonte një radio policie, ose një celular, që patrullat e policisë që qëndrojnë në kryqëzimin e rrugës Vorë – Fushë Krujë, aty ku del rruga e Rinasit, të vendosnin makinën e tyre në mes të rrugës dhe asnjë automjet të mos ecte më dot.
Ndryshe nga rastet e tjera, zona rreth aeroportit është bosh dhe çdo helikopter mund të shihte me qartësi atë që ndodhte. Nuk veproi asnjë dhe hajdutët ikën, siç kanë ikur rëndom në këtë 18 muajt e fundit. Me disa miliona euro me vetë dhe me një tallje dhe përqeshje të shtetit që ditën që kishte marrë masat për një siguri maksimale, nuk “ruajti” dot as tre veta. Që hynë, e hodhën dhe pastaj ikën.
Natyrisht që paratë e vjedhura i paguan kompania ndërkombëtare e sigurimit, por ato i gëzon me siguri ndonjë prej njerëzve, ose njerëzit që zyrtarisht kanë qenë të ngarkuar për t’i mbrojtur. Asnjë shpjegim tjeter nuk mund të ketë një histori e përsëritur, ku shqiptarët përveçse i vjedhin, duan t’i bindin që janë edhe budallenj për të besuar versionin e “grabitjes me dhunë”! Opinion.al