NATO synon ringjalljen e dialogut me Rusinë

 

NATO fton Malin e Zi për anëtarësim, dhe po ashtu synon ringjalljen e dialogut me Rusinë. Gjashtëmbëdhjetë vjet pas bombave të NATO-s në ish-Jugosllavi, me ftesën për Malin e Zi NATO bën një gjest sfidues ndaj Rusisë.

"Ky është fillimi i një aleance të mrekullueshme", tha i entuziazmuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në takimin me ministrin e Jashtëm të shtetit xhuxh të Malit të Zi, i cili qe ftuar në rrethin e vendeve anëtare të NATO-s si anëtar i ardhshëm. Ministri i Jashtëm Igor Luksiç u përshëndet nga kolegët e tij të ardhshëm madje me duartrokitje. Gjashtëmbëdhjetë vjet pas bombave të NATO-s në ish-Jugosllavi, me propozimin e saj ndaj Malit të Zi aleanca po bën një gjest sfidues ndaj Rusisë.

Zgjerim i NATO-s drejt Lindjes

Ftesa për Malin e Zi "nuk ka lidhje me Moskën", komentoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, "dhe nuk drejtohet kundër askujt." Diplomatët, megjithatë, e interpretojnë këtë hap edhe si një gjest: për të treguar se Kremlini nuk ka të drejtën e vetos në vendimet për anëtarësim në NATO. Me ofertën për Malin e Zi, NATO-ja zgjeron anëtarët e saj në ish-sferën e ndikimit të Moskës në Evropën Juglindore. Në reagimet e para ruse u fol për një "goditje të rëndë nga blloku euro-atlantik". Konkret pranimi i Malit të Zi mund të bëhet në samitin korrikun e ardhshëm: deri atëherë duhet të jenë çuar përpara reformat në drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit.

Sa i përket procesit të anëtarësimit të Gjeorgjisë nuk ka përparime, sepse parimet e NATO-s e ndalojnë anëtarësimin e një vendi që ka mosmarrëveshje territoriale. Ministrat e Jashtëm të NATO-s kërkuan sërish largimin e trupave ruse nga rajoni i Abkazisë dhe i Osetisë Lindore, por sa kohë "frozen conflicts" mbeten të pazgjidhura, NATO ngurron me hapat ndaj Tbilisit.

Ringjallja e dialogut me Rusinë

NATO synon rifillimin e dilaogut politik me Rusinë. "Nuk ka absolutisht asnjë kontradiktë ndërmjet një mbrojtjeje të fortë dhe dialogut politik," tha Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg i pyetur për bisedimet në kuadrin e Këshillit NATO-Rusi. Këto bisedime u ndërprenë verën e vitit të kaluar nga kriza në Ukrainë. Sidomos ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier kërkon "që ndoshta takime në nivel ambasadorësh të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur". Edhe pse procesi i armëpushimit në lindje të Ukrainës është ende i vështirë, Rusia po sillet konstruktive në negociatat e Vjenës për një zgjidhje politike të konfliktit sirian. Disa përfaqësues nga Evropa Lindore megjithatë paralajmërojnë ndaj një kthimi tepër të shpejtë tek "business as usual" me Rusinë, pra sa kohë konflikti në Ukrainë është ende i gjallë.

Më tepër informacion dhe ndihmë për të luftuar IS-in

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier dëshiron më tepër këmbim informacionesh në lidhje me manovrat ushtarake. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg përmendi qëllimin e avionit rus në kufirinin turko-sirian për të bërë thirrje për më tepër transparencë dhe dialog. Dialogu mund t'i minimizojë rreziqet dhe incidentet.

Ministri i Jashtëm i SHBA-së John Kerry kërkoi ndihmë nga partnerët e NATO-s për të mbështetur trupat speciale amerikane në luftë kundër IS-it. Ai tha se vendet e ndryshme mund të japin kontribute të ndryshme, si trajnime për policinë, furnizimin me municion dhe masa të tjera. Kerry përshëndeti edhe angazhimin e Rusisë në procesin e Sirisë.

Po ashtu Kerry tha se Turqia është e gatshme ta mbyllë krejtësisht kufirin me Sirinë në zonën që dominohet nga IS-i. "Eshtë edhe në interesin e Turqisë që të pengojë transportet ilegale të naftës dhe kalimin e luftëtarëve të huaj" – tha Kerry.

Zgjatja e misionit në Afganistan

NATO do të zgjasë praninë e saj në Afganistan dhe do të jetë e pranishme aty me 12,000 ushtarë edhe në vitin 2016. Vendimi u mor për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në vend. Po ashtu është edhe në interes të vetë "Afganistanit që të mos bëhet përsëri strehë për terroristët ndërkombëtarë", argumentoi Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s. Megjithatë, nuk duhet të ketë kthim në një mision luftarak, por do të vazhdojë shkollimi dhe trajnimi i forcave afgane të sigurisë. Në të njëjtën kohë në Bruksel (01.12) u bë thirrje që partnerët e NATO-s të grumbullojnë paratë e nevojshme për të financuar ushtrinë afgane deri në vitin 2020. Kjo kushton çdo vit rreth 5 miliardë dollarë, dhe shumica paguhet nga SHBA-ja.

SHKARKO APP