Ndërkombëtarët i pret dështimi i sigurtë në Tiranë

Klima e mosbesimit dhe pasigurisë është një déjà vu për kushtet e biznesit në vendin tonë, por të dëmtuarit e drejtpërdrejtë  edhe këtë herë nuk do të jenë politikanët dhe rrethi i tyre i afërt. Qytetarët e thjeshtë, ata që janë manipuluar sa herë për t’ju përgjigjur thirrjeve të paligjshme të partive, ata që arrestohen për faturën e papaguar të dritave…

Nga Ilva Tare

Çfarë do që të ndodhë në fillim të javës tjetër, si me bllokimet e paralajmëruara të rrugëve dhe me ardhjen e eurodeputetëve Kukan e Fleckenstein dhe gjermanit tjetër McAllister shqiptarët do të përjetojnë një déjà-vu të krizave të mëparshme të politikës së Tiranës. Ndryshimi këtë radhë mund të jetë ai që deri më tani duket si një dështim i sigurt i ndërmjetësimit ndërkombëtar për shkak të mos lëshimit të palëve ndaj kërkesa ekstreme, sidomos nga opozita.

Hezimi i europarlamentit të PPE David McAllister për ta ndërmarrë një mision ndërmjetësimi për krizën aktuale është i kuptueshëm në kushtet e përshkallëzimit të retorikës agresive në vigjilje të bisedimeve mes palëve. Nuk është e qartë nëse deklaratat që paralajmërojnë destabilizim kanë për qëllim të dështojnë ende pa nisur negociatat, apo janë një mjet presioni për të rritur forcën e kërkesave që janë në diskutim.

Një platformë me disa pika e përfolur nga diplomatët dhe selitë e partive kryesore do të jetë baza mbi të cilën palët do të kërkojnë të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për t’i dhënë fund bojkotit të Parlamentit dhe futjen në zgjedhjet e 18 Qershorit, sicc e kërkon prerazi Washingtoni, Brukseli dhe Berlini. Në kushtet kur kriza politike rrezikon të shndërrohet në kolaps institucional, vendi mund të përjetojë një “jamais vu” situatë që nuk ka të krahasuar me asnjë nga konfliktet e mëparshme, madje as me 1997-tën.

Partnerët e Shqipërisë që u investuan për ta parë më në fund vendin afër hapjes së negociatave me BE-në, do të jenë të parët që do t’i heqin reflektorët e vëmendjes duke e braktisur në fatin që meriton shoqërinë shqiptare. Për rrjedhojë jo vetëm nuk do të ketë investime të reja, por do të largohen edhe ato që kanë mbetur ende në vend. Sa më pak rezultat të ketë zbatimi i reformës në drejtësi aq më e largët do të jetë dita kur bizneset serioze do ta shohin Shqipërinë si një mundësi investimi.

Klima e mosbesimit dhe pasigurisë është një déjà vu për kushtet e biznesit në vendin tonë, por të dëmtuarit e drejtpërdrejtë  edhe këtë herë nuk do të jenë politikanët dhe rrethi i tyre i afërt. Qytetarët e thjeshtë, ata që janë manipuluar sa herë për t’ju përgjigjur thirrjeve të paligjshme të partive, ata që arrestohen për faturën e papaguar të dritave, ata që nuk paguajnë dot ilacet që do duhet të ishin falas në spital, ata do të trajtohen sërish si mburoja njerëzore në barrikadën e interesave të politikanëve që kanë për cfarë t’i tremben vlerave të Bashkimit Europian dhe shtetit ligjor. Ata, janë dhe viktimat e vërteta që do ta vuajnë më së shumti fikjen e paralajmëruar të reflektorëve ndaj Shqipërisë, nëse javën e ardhshme politika zgjedh të vendos konfliktin e saj përpara interesit qytetar e kombëtar. (Javanews.al)

SHKARKO APP