Ndëshkim apo shpëtim për grekët?

Për herë të parë që prej shpërthimit të krizës në Greqi duket realist një koalicion me bazë të gjerë midis të majtëve dhe konservatorëve. Kryeministri Tsipras e kundërshton atë, por votuesit e përkrahin.

Edhe në anketimet më të fundit para zgjedhjeve, partia e majtë Syriza e Alexis Tsiprasit dhe partia konservatore Nea Demokratia nën drejtimin e ish-presidentit të Parlamentit, Evangelos Meimarakis paraqiten me numër gati të barabartë mbështetësish – megjithëse për Syrizën shpesh thuhet se ka një përparësi të lehtë. Shtatë parti të tjera luftojnë për të hyrë në Parlament. Në këtë mënyrë duket shumë e mundur që as të majtët dhe as konservatorët të mos fitojnë një shumicë absolute në Parlament dhe se do të kenë nevojë për një partner koalicioni, nëse i fitojnë zgjedhjet. Të gjitha partitë në opozitë janë të sigurta: kundërshtarët politikë ecin drejt një koalicioni të madh partiak, për të zbatuar kushtet e kursimeve, për të cilat votuan gjithsesi në Parlament në mes të gushtit. Shefi i konservatorëve, Meimarakis është i hapur për një koalicion të madh dhe tregohet i gatshëm që të heqë edhe dorë nga posti i kryeministrit, po t'i shërbejë kjo formimit të qeverisë së përbashkët.

Për një kohë të gjatë, ish-kryeministri Tsipras pati heshtur për këtë çështje. Në ditët e fundit të fushatë elektorale ai duket se e ka marrë vendimin: një koalicion me konservatorët do të ishte "i panatyrshëm", deklaroi ai në duelin televiziv të kandidatëve kryesorë të hënën (14.09.). Por ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, Tsipras ka hequr dorë nga sulmet personale kundër kundërshtarëve të tij konservatorë. A do të thotë kjo se koalicioni i madh është i mundur? "Jo, në asnjë mënyrë", thotë Nikolas Voulelis, drejtor i gazetës liberale të majtë Gazeta e Redaktorëve, i cili konsiderohet si njohës shumë i mirë i jetës së brendshme të Syrizas. "Nëse Syriza do të bënte pas zgjedhjeve më të vërtetë një koalicion me konservatorët, Tsiprasi do të merrte fund. Ditën pasuese, shumica e deputetëve të majtë do të largohej nga grupi parlamentar."

Shkëmbim replikash në finalen e fushatës elektorale

Sipas gazetës greke, Ethnos, kundërshtarët në zgjedhje në 48 orët e fundit përpiqen të bëjnë për vetë të pavendosurit. Janë 650.000 grekë, që sipas sondazheve nuk kanë vendosur ende. "Të dielën merr fund eksperimenti i Syrizas", bëri të ditur shefi i opozitës Meimarakis të enjten, në manifestimin e fundit të madh para zgjedhjeve. Edhe shefi i Syrizas, Tsipras e ka ashpërsuar tonin ndaj kundërshtarit, thotë Vouelis në bisedë me DW. Tsiprasi kujton ish-kryeministrin e pafat Antonis Samaras dhe e krahason atë me shefin e ri të konservatorëve. "Ai u thotë: ai që voton për Meimarakis, nuk do të marrë gjë tjetër veçse një Samaras në format të ri. Programi zgjedhor dhe lista e kandidatëve janë hartuar në fund të fundit nga Samarasi."

Në bazë të anketimeve, shumica e grekëve do ta përshëndeste një koalicion të madh partiak. Por ka edhe rezerva. "Nuk besoj se një koalicion i tillë do të ishte vërtet efektiv dhe do t'i përshpejtonte reformat e nevojshme", thotë analisti i ekonomisë Kostas Stoupas në bisedë me DW. Argumenti i tij: kjo ka të bëjë me natyrën e partisë Syriza, që bën pa ndërprerje punë partie opozitare, edhe kur qeveris vetë.

DW

SHKARKO APP