Ndëshkim e marrëveshje për zgjedhje të parakohshme
Nga Kastriot Islami
1. Raporti i fundit i OSBE/ODHIR evidentoi krizën e thellë e komplekse politike në Shqipëri dhe nevojën urgjente për zgjedhje të lira e të ndershme. Nëse raporti do të pranohet nga Rama dhe Rilindja kjo do të përbënte një shkëndijë shprese për zgjidhjen e krizës, në të kundërtën situata do të rëndohej dhe gjetja e zgjidhjes do të komplikohej.
2. Ky raport ishte rrjedhojë logjike e vlerësimeve dhe qëndrimeve të kohëve të fundit të faktorit ndërkombëtar. Pavarësisht alibisë që është përpjekur të krijojë media e Rilindjes, qëndrimi i ndërkombëtarëve që prej vitit 2017 ka ardhur duke u ndryshuar dhe qartësuar, pavarësisht se Rama duke shpenzuar shuma të majme parash të korrupsionit është përpjekur të krijojë perceptimin e kundërt. Pika e kthesës të qëndrimit ndërkombëtar ka disa muaj që është vendosur, raporti I OSBE/ODHIR e ndriçoi atë, kurse në javët e ditën në vijim kjo pikë kthese do të bëhet gjithnjë e më e qartë për shumicën e shqiptarëve, madje edhe për publikun e gjerë.
3. Zgjidhja afatgjatë dhe e vetme e e krizës do të vijë nga zgjedhjet e parakohshme, të lira e të ndershme; zgjidhje tjetër nuk ka dhe s’mund të ketë në demokraci. Kjo është e qartë për opozitën, madje kjo është kërkesa e saj kryesore. Kjo duhet ti imponohet maxhorancës, e cila është grahmat e fundit.
4. Pushteti real i Ramës po zvenitet e shkërmoqet realisht çdo ditë sepse mbështetja qytetare po zvogëlohet, por ndërkohë Rama po tenton të krijojë përshtypjen se kontrollon situatën duke u mbështetur vetëm te oligarkët, kriminelët dhe trafikantët, të paaftët, manekinët e servilët, pra te një grusht i vogël njerzish qe kanë marrë peng Ramën dhe qeverisjen e vendit. Mund të thuhet pa asnjë hezitim se tashmë Rama e Rilindja janë aktualisht përfaqësues të së keqes, të pakicës zullumqare. Rama qëndron e mbahet në pushtet me thonj nga frika e humbjes së pushtetit që do të thotë nga frika e ndëshkimit. Ai po zvarritet për të realizuar një marrëveshje amnistie, pra për të realizuar një marrëveshje shpëtimi për bëmat dhe zullumet që ka bërë. Me Ramën në krye të qeverisë dhe të Rilindjes nuk mund të ketë rikthim të vlerave dhe normalitetit në PS, nuk mund të ketë rikthim të pushtetit te socialistët e ndershëm, nuk mund të ketë qeverisje për të mirën e shqiptarëve.
5. Pyetja shtrohet sesi do të realizohen zgjedhjet e parakohshme, të lira e të ndershme, kur vendi është zhytur në krizë të thellë politike, sociale, institucionale, kushtetuese e deri të funksionimit të demokracisë e të pluralizmit? Apo thënë ndryshe, kur kuvendi është jo funksional e monist. Kur pushteti vendor është monist dhe jofunksional. Kur Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e lartë mungojnë dhe sistemi është nën kontrollin politik e personal të Ramës. Kur maxhoranca ka zaptuar të gjithë institucionet kushtetuese. Kur maxhoranca ka vënë nën kontroll biznesin e madh, median, shoqërinë civile, dhe së fundmi edhe drejtësinë. Kur opozita ka dorëzuar mandatet dhe gjendet jashtë parlamentit. Kur zyrat e bashkive janë zaptuar me forcë. Kur qytetarët po emigrojnë dhe një pjesë që proteston goditet ashpërsisht apo sulmohet me gaz paralizues.
6. Së pari,socialistët duhet të largojnë Ramën dhe bartësit e së keqes e mashtruesit që kanë kanë keqpërdour votën e tyre dhe së dyti, këta socialistë duhet të bashkohen e të bashkëpunojnë me të gjithë opozitën aktuale dhe mbi të gjitha me qytetarët e tjerë që po vuajnë pasojat e qeverisjes së drejtuar nga Rama dhe kupola e Rilindjes, për ndëshkimin e Ramës e të kupolës së Rilindjes, për një ndëshkim të ashpër e pa kompromis, pa u shqetësuar se kjo mund të shkaktonte edhe kalimin në opozitë të socialistëve; e cila ndoshta do të mund të ishte edhe zgjidhja aktuale më e shëndetshme për partinë e tyre dhe mbi të gjitha me e favorshme për të larguar të keqen dhe për të mirën e të ardhmen e shumicës së shqiptarëve e të vetë socialistëve.
7. Për shkak të krizës shumë të thellë politike, institucionale, kushtetuese, të demokracisë e pluralizmit, opozita dhe socialistët e ndershëm duhet të bashkëpranojnë se zgjidhja përmes një marrëveshjeje politike do të duhet domosdoshmërisht të paraprihet ose shoqërohet me ndëshkimin e së keqes, të zullumqarëve, hajdutëve e kriminelëve, trafikantëve, mashtruesve e sharlatanëve, që janë të lidhur ngushtësisht e kryesisht me Ramën dhe kupolën e Rilindjes. Nëse në Shqipëri do të vazhdojë të aplikohet kultura e mosndëshkimit, nëse e keqja e zullumet e Rilindjes nuk do të ndëshkohen ashpërsisht dhe nëse filozofia e Rilindjes nuk do të çrrënjoset nga çdo qelize e qeverisjes së vendit, atëherë kriza ose do të thellohet e përkeqësohet, ose zgjidhja fasadë vetëm do të shtyjë krizën në kohë e thellojë atë.
8. Një mundësi do të ishte që zgjedhjet e parakohshme, të lira e të ndershme të zhvilloheshin duke u paraprirë nga plotësimi i disa kushteve: i) largimi i Ramës nga drejtimi i vëndit; ii) ngritja, funksionimi dhe veprimi i SPAK, i pavarur nga pushteti aktual politik dhe i monitoruar nga SHBA e BE dhe ndëshkimi i zyrtarëve të lartë të korruptuar dhe të lidhur me krimin e trafiqet; iii) realizimi i një marrëveshjeje politike të të gjithë faktorëve politikë dhe të shoqërisë civile, konstruktivë e me integritet, jashtë e brenda parlamentit për formësimin e zgjidhjes së krizës; iv) kryerja e reformës zgjedhore dhe përcaktimi i të gjithë kuadrit ligjor, institucional e infrastrukturor për zgjedhje të lira e të ndershme.
9. Tani që zullumi është trashur deri në këputje kurse Rilindja është kalbëzuar deri në asgjësim, socialistët e vërtetë e të ndershëm duhet të bashkohen e të bashkëpunojnë me opozitën, për nxjerrjen e vendit nga kriza e thellë. Është koha, madje është vonë, që socialistët e vërtetë e të ndershëm të zgjohen dhe të bashkohen e bashkëpunojnë me opozitën, pra me të gjithë shqiptarët e tjerë për të kryer zgjedhje të parakohshme, të lira e të ndershme si brenda partisë, ashtu edhe për kuvendin dhe për pushtetin vendor, pra për rivendosjen e vendit në shinat e normalitetit demokratik, pluralist e meritokratik.