Ndryshimet në qeveri: Postet ku ndahen Edi Rama dhe Ilir Meta!

 

 

Shumëkush e lidhi turravrapin e Edi Ramës në zyrën e Ilir Metës, të dielën në drekë, pas kthimit nga SHBA, edhe me ndryshimet e shumëpërfolura në qeveri. Aq sa kur Rama, në dalje nga takimi, hodhi një frazë hibride në “dhëmbët” e mediave që prisnin tek dera e Kuvendit, nuk pati më asnjë dyshim që qeverisë Rama 1 po i numëroheshin orët e fundit. Sporti kombëtar i përfoljes së listave të ministrave të rinj ka nisur tashmë në media dhe kafenetë e Tiranës, megjithëse vetë Rama i hodhi ujë të ftohtë sot thashethemeve për një ndryshime të shpejtë në kabinet. Çka u hodh poshtë indirekt pasdite, kur Ilir Meta u shpreh zyrtarisht pro këtyre ndryshimeve. Po cili është motivi qëndror i këtij kursi të ri përplasjeje, sa i përket lëvizjeve në qeveri, mes PS e LSI? Burime pranë LSI e lidhin nervozizmin e Metës ndaj qeverisë aktuale, kryesisht me idenë që ai ka rreth mënyrës sesi u përhapën dhe shpërthyen në media, dokumentat e rezervuara të hetimit CEZ-­DIA. Thuhet se brenda rradhëve të kësaj force politike ka një ide të pjekur se të paktën një segment i ekzekutivit nuk ka bërë sa duhet në pengimin e daljes së këtij dokumentacioni, i cili më pas u kthye në akt­akuzën publike të tij, për shumë ditë me rradhë. Kësisoj, për vetë natyrën e punës, linja Gjiknuri­Ahmetaj ka gjasë të jetë dyshja e “rrethuar” me vizë të kuqe nga kreu i LSI. Kësaj mërie të fundit, i shtohet edhe një “ndryshk” i vjetër që aleati i vogël i PS ka ndaj këtyre dikastereve, për shkaqe të shumllojshme, që nuk lidhen vetëm me performacën e tyre. Pa harruar as Ministrinë e Financave, ku rezultatet në taksa e tatime (por jo vetëm), kanë shkaktuar qysh herët rrudhje buzësh në LSI. Një dyshe tjetër të cilën Meta do të donte ta zbriste nga froni ministror, është edhe ajo Tahiri­Beqaj. Të dy ministrat, njerëz të afërt të Edi Ramës, janë shigjetuar në më shumë se një rast në këto dy vjet. Madje në rastin e Tahirit, para se policia të hynte në Lazarat, në mes të vitit 2014, LSI kishte shprehur pakënaqësi të hapura publike. Ndërsa e ka të vështirë ta marrë ministrinë e brendshme, LSI do të ishte e kënaqur edhe me largimin e Saimir Tahirit, një ministër që Meta nuk e ka preferuar asnjëherë. Të njëjtën gjë që kanë synuar ta bëjnë edhe me Beqen, të cilin e ka goditur herë lobi partiak i shëndetësisë, herë ai i biznesit i lidhur me të. Problemi në këtë rast, si me Beqen, ashtu edhe me Tahirin, është se të dy ministrat e mësipër kanë marrë mbështetjen publike të Ramës në më shumë se një rast dhe janë sot dy nga njerëzit e tij të afërt brenda kabinetit dhe në PS. Një tjetër temë debati mes dy aleatëve thuhet se është diplomacia, ku Meta do të ishte i lumtur të dërgonte dikë nga të vetët, ndoshta duke ceduar portofolin e drejtësisë. Mbetet të shihet se cili është reagimi i Ramës në këtë rast, duke parë rolin dhe peshën që ka ministria e jashtme, si një institucion i imazhit ndërkombëtar. Sa i përket portofoleve të tjera, duket se palët nuk do ta kenë të vështirë një marrëveshje. Ilir Meta i konfirmoi edhe para pak minutash dëshirat e tij për një ribërje të qeverisë Rama. Kjo lidhet më së pari me perceptimin e tij, se pas dy vjetësh një kabinet qeveritar ka nevojë fiziologjike për ndryshime, por më së shumti me motivin e faktorizimit të tij politik në krye të skenës politike, pas javëve të fundit të skandalit CEZ-­DIA. Një kthim i kreut të LSI në tryezën e hartimit të listave ministrore, do të jepte idenë se gjithçka është mbyllur mes tij dhe Ramës dhe se koalicioni vijon të jetë tërësisht funksional. Duke u nisur nga qeveria, e cila do të ndryshonte me nismën dhe vullnetin e tij. Duhet parë nëse kryeministri do t’ja akordojë Ilir Metës këtë moment lavdie politike dhe personale.

Javanews.al

SHKARKO APP